Chris Brown për të parën herë ka performuar në skenën e një lokali në vendin tonë duke entuziazmuar jo pak të gjithë fansat e artistit. Mbrëmë ai ishte i pranishëm në një lokal në Durrës duke i kushtuar çdo adhuruesi të tij fillimisht 50 euro në hyrje dhe minimumi 20. 000 lekë për një shishe. Në analogji me afërsinë me skenën rritej edhe vlera e tavolinave të cilat varionin nga 500 euro për të arritur tek vlera absurde e një tavolinë në të ashtuquajturën ‘’zonën vip’’ prej 3000 eurosh.

Shqiptarët vazhdimisht ankohen për rrogat e ulëta dhe vështirësinë e përballimit të jetës kur lipset që këto të ardhura të konkretizohen në shpenzime. Kjo është pasqyra e ditës së një shqiptari mesatar, që punon fort për të pasur mundësinë të bëjë edhe pak qejf. Me të ardhur nata, errësira sheshon problemet dhe gjithçka duket e bukur në rrugët me drita.

E gjitha fillon tek hyrja e lokalit kur ti pyetesh nëse do një tavolinë me shishe, apo thjeshtë ‘’dëshiron të jesh një numër’’. Të gjithë e dinë çfarë përmban ajo tavolina, për disa vetëm gjysmën e rrogës së muajit, e për të tjerë një muaj të tërë. Si një qejfbërës i dorës së dytë punonjësi i thjeshtë duhet të kënaqet vetëm me disa gota dhe të shijojë nga larg pamjet e atyre të rehatuarve në kolltukë që kanë një tavolinë me shishe që magjikisht xixëllon nga fishekzjarrët.

Kjo është atmosfera e lokaleve të natës në një fundjavë normale, por ajo që ndodh kur emra të mëdhenj të muzikës botërore performojnë në Shqipëri tejkalon çdo logjikë. Megjithatë argëtimi është një opsion, për aq kohë sa ende ka një kërkesë për të shpenzuar çmendurisht vetëm në një natë, oferta nuk ka ndërmend të mungojë. 


Redaksia Online
Alma Nikolli /Shqiptarja.com