CIA: Hoxha i përshëndeti
vendimet e Kongresit të 20 !

CIA: Hoxha i përshëndeti<br />vendimet e Kongresit të 20 !
Ndërsa shkëputja nga tutela jugosllave, fillimisht u dha një siguri liderëve komunistë shqiptarë dhe i shpëtoi deri diku nga një siklet që lidhej edhe me ndonjë ndërhyrje direkte në fatet e tyre, për shkak të kufinjve të përbashkët që dy vendet ndanin, duket se muajt e mjaltit me Moskën, s’do të ishin të përjetshëm.

Kështu konstatonte pak a shumë në një pasazh dosja sekrete e CIA-s, e hartuar në vitin 1962, mbi marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, e hartuar në fakt në funksion të trajtimit të konflikteve kino-sovjetike, të cilat dëshmohehsin si shumë të rëndsishsme për Uashingtonin dhe Perëndimin në përgjithësi, për të ulur fuqinë dhe prestigjin e kundërshtarit “numër 1” të tyre, në një kohë kur Lufta e Ftohtë dhe diskutimet mbi armatimin bërthamor ishin bërë papritur refren i kohës, sidomos me zhvillimet që pasuan revolucionin kuban. Dokumenti:“Për Perëndimin thyerja me Moskën, me leverdi!

Në pjesën e tretë të këtij dossier-i, trajtohen momente të tjera interesante në harkun e këtyre zhvillimeve, duke u fokusuar më shumë tek purgat e famshme që nisnin me dyshen “Jakova-Spahiu”, “Konferencen e Tiranës”, eliminimi i Liri Gegës dhe Dali Ndreut, presionet për rehabilitimin e Xoxes etj, duke anashkaluar deri diku periudhën “e artë” të relacioneve të relaksuara shqiptaro-sovjetike, të cilat gjithsesi, në tekstin origjinal që dosja e CIA-s përcjell, vlerësohen e analizohen më volumin e vëmendjen e duhur.

                                                                            * * *

PURGA NDAJ JAKOVËS DHE SPAHIUT

Megjithëse purga ndaj Jakovës dhe Spahiut ishte qartazi një refleksion i frikës së lidershipit të partisë, se takimi mes Titos dhe Hrushovit në Beograd do të mund të sillte si pasojë fraksionizmin në parti dhe forcimin e elementëve pro-titistë brenda partisë, është e dyshimtë nëse Jakova apo Spahiu ishin pro-jugosllavë, apo se kishin rënë në kontakt me agjentët jugosllavë në 1955.

Në fakt, më shumë gjasa ka që ata të mbështesnin pa rezerva qëndrimet sovjetike në 1955. Të dy këta të fundit kishin luajtur një rol të rëndësishëm në prishjen e Shqipërisë me Jugosllavinë në qershor 1948.

Në takimin e rëndësishëm të Komitetit Qendror të PPSH-së në shtator 1948, ishte Jakova, i cili i sapokthyer nga Moska, ishte emëruar të zëvendësonte Xoxen në rolin e tij si sekretar organizativ i partisë dhe kishte drejtuar sulmet ndaj tij dhe mbështetësve të tij në parti e në shtet, duke i akuzuar si “agjentë të trockistëve jugosllavë”.

Ngjashmërisht, Spahiu, kishte qenë prokurori publik në gjyqin e Xoxes dhe i ngarkuar të mblidhte evidencat e fajeve të tij. Asnjëri nga këta dy persona nuk mund të shihet si pro-jugosllav, apo që të ketë favorizuar bashkëpunimin e ngushtë me Jugosllavinë për hir të saj.

Të dy burrat, gjithsesi, kishin humbur statusin në parti nën lidershipin “Hoxha-Shehu” dhe ishin larguar nga byroja politike në vitin 1951 për “oportunizëm”. Ata mbetën anëtarë të Komitetit Qendror dhe në këtë pozicion duhet të kenë qenë të ndërgjegjshëm mbi lëkundjet e diferencat në lidershipin udhëheqës shqiptar rreth propozimeve sovjetike rreth Jugosllavisë në maj 1955.

Ata me të drejtë mund ta kenë parë këtë si një mundësi të mirë për të korrigjuar partinë dhe u afruar me idetë e tyre. Ata mund të kenë folur në takimet e Komitetit Qendror kundër qëndrimeve të PPSH-së e kësisoj ta kenë vendosur veten në një pozicion të shigjetuar nga ana e udhëheqjes së lartë në këmbënguljen e tyre naive për të inkurajuar çdo përpjekje që çonte në ndryshimin e linjës së partisë.    

PËRMIRËSIM I PËRKOHSHËM ME JUGOSLLAVINË

Kriticizmi i ashpër jugosllav i liderëve shqiptarë koinçidoi me vizitën e parë të Hoxhës në Moskë qysh kur Hrushovi kishte qenë në Beograd në turin e tij. Hoxha u nis për në Moskë më 18 gusht dhe nuk u kthye deri më 3 shtator.

Gjatë kësaj kohe, Hrushovi dhe liderët e tjerë ndoshta konsumuan përpjekje të devotshme për të bërë të njohura “frikërat” shqiptare dhe inkurajonin kësisoj liderët shqiptarë për të ulur tonet antijugosllave dhe polemizuese  - ku patën në fakt deri diku edhe një farë suksesi. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave gjatë kësaj periudhe dalëngadalë njohën një përmirësim.

Duke shprehur pikëpamjen e qeverisë së tij mbi politikën e jashtme, Ministri i jashtëm Federal jugosllav, Popoviç, u citua të thoshte: “Qeveria shqiptare së fundmi ka treguar gatishmëri për të trajtuar disa nga problemet ekzistuese që reflektojnë çështje të së kaluarës sonë dhe qeveria jugosllave do të krijojë bazën për marrëdhënie të mira fqinjësore mes dy vendeve”.

KONGRESI I 20-TË DHE JEHONA E TIJ NË TIRANË

Për herë të parë në historinë e Partisë shqiptare, dy liderët e saj kryesorë u nisën njëkohësisht duke e lënë vendlindjen, në shkurt 1956, për të marrë pjesë në Kongresin e 20-të të PKb të BRSS. Raportet dhe konkluzionet e kongresit u bënë publike në mënyrë të gjerë në Shqipëri, dhe herët në mars, 10.000 kopje të raportit të Hrushovit në kongres u shfaqën në shtypin shqiptar.

Më 14 prill, pas kthimit të tij në Tiranë, Hoxha publikoi një artikull në “Zërin e Popullit” ku mbështeste vendimet e Kongresit, duke përfshirë edhe pohimin se “Stalini në vitet e tij të fundit të jetës, kishte kryer gabime”. Hoxha gjithashtu pohonte se “gabimet ishin kryer edhe në vendin e tij” dhe theksonte nevojën për të forcuar udhëheqjen kolektive dhe marrëdhëniet e partisë me masat etj.

Si kudo në Europën Lindore, në pranverë të vitit 1956, liderët shqiptarë papritur u përballën me një valë nacionaliste, kërkesa për më shumë demokraci të brendshme partiake dhe reforma për të korrigjuar gabimet e së shkuarës dhe padrejtësitë. Por në shenjat e para të një rreziku për Hoxhën dhe Shehun, ata nisën shtypjen me forcë të elementëve disidentë dhe refuzuan t’i bindeshin presioneve sovjetike të momentit.

KONFERENCA E TIRANËS E VITIT 1956

Ndoshta ishin zhvillimet në Konferencën e partisë së qytetit të Tiranës, në fundin e prillit të vitit 1956, të cilat rizgjuan frikërat e lidershipit komunist shqiptar dhe sollën rikthimin e shpejtë në politikat e vjetra.

Në ditën e dytë të konferencës, shtatë anëtarë të Komitetit të partisë së rrethit të Tiranës, u ngritën njëri pas tjetrit për të kritikuar politikat dhe praktikat e lidershipit të partisë që kishin sjellë kult të individit dhe kërkuan rehabilizimin e Koçi Xoxes.

Folësit sulmuan liderët partikë se kishin braktisur idealet e komunizmit. Ata gjithashtu kritikuan poltikat shqiptare të aleancës totale me BRSS dhe avokuan një politikë “titiste” në marrëdhëniet me Lindjen dhe Perëndimin. Toni i fjalimeve, gjithsesi, nuk ishte i zjarrtë dhe ato me ç’duket kishin si synim zëvendësimin e një linje të vjetër, me një të re.

Fjalimet u duartrokitën me entuziazëm, dhe i vetmi anëtar i byrosë politike në sesionin e mëngjesit të asaj dite, Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, nuk u dha asnjë përgjigje akuzave, por papritur e shtyu sesionin e mëngjesit, duke e ndërprerë atë në orën 10.45.

Në kohën kur sesioni tashmë pritej të niste në orën 15.00, qyteti ishte mbushur me lajme dhe rrugët jashtë ishin mbushur me njerëz. Të gjithë anëtarët e rregullt të Komitetit Qendror, u shfaqën aty për sesionin e pasdites, në të cilin Enver Hoxha shigjetoi folësit e sesionit të mëngjesit, duke i akuzuar si “grup anti-parti”. Ai u pasua nga të tjerë anëtarë të KQ që folën po me aq zell.

Sipas një anëtari të partisë që mori pjesë në atë takim, shumica e atyre që ishin prezentë në konferencë, ( numri shkonte në rreth 250 pjesëmarrës) pritnin që Enver Hoxha dhe anëtarë të tjerë, të mbështesnin qëndrimet e shprehura në sesionin e mëngjesit, dhe të vendosnin qetësi në sesionin e pasdites. Kur sulmet mbaruan, tre nga folësit e mëngjesit, bënë fjalime justifikuese me nota autokritike. Katër të tjerët refuzuan të tërhiqeshin e u arrestuan po atë ditë, në mbrëmje. 

ÇËSHTJA “GEGA-NDREU”

Policia e fshehtë shqiptare tashmë ia nisi lëvizjeve për të bllokuar të gjithë ata që konsideroheshin si devijatorë potencialë. Ishte ndoshta në të njejtën kohë që Liri Gega, e cila kishte qenë një udhëheqëse kryesore gjatë kohës së luftës partizane, bashkëshorti i saj, Dali Ndreu, gjeneral-major, dhe Petro Bulatova, me nacionalitet jugosllav, që u arrestuan.

Gega në fakt kishte qenë larguar nga Byroja Politike qysh në vitin 1944, në një luftë fraksionesh me Koçi Xoxen, dhe në 1956 raportohej të ishte vetëm një mësuese shkolle në afërsi të Fierit. Bashkëshorti i saj, Ndreu, gjithashu kishte qenë një drejtues ushtarak gjatë luftës partizane, por ishte larguar nga ushtria në vitin 1948, dhe mbante pozicione të ulëta në dikasterin e ekonomisë.

Në vitin 1956, ai mbante postin e Zëvëndësministrit të Industrisë. Më 22 nëntor 1956, Gega, Ndreu dhe Bulatova u ekzekutuan me akuzat se kishin qenë lidhur me spiunazhin e vendeve të huaja dhe se kishin kryer krime të rënda kundër popullit dhe partisë.

Arrestimi dhe ekzekutimi i këtyre të treve është mbuluar me mister, por sherret mes Moskës dhe Tiranës qysh nga viti 1960, e bëjnë të qartë tashmë se rasti “Gega” luajti një rol të rëndësishëm në diferencat shqiptaro-sovjetike.

Në kohën e ekzekutimit të saj, u raportua se Gega dhe i shoqi, ishin kontaktuar nga agjentë jugosllavë, të cilët po përpiqeshin të nxisnin disa nga ish-liderët kryesorë të partisë për t’i hedhur në revoltë kundër Shehut dhe Hoxhës.

Akuzat e ngritura ndaj tyre nga autoritetet shqiptare, të kombinuara me pjesëmarrjen e një shtetasi jugosllav në komplot, tentonin t’i jepnin deri diku justifikim këtyre zërave. Duket e dyshimtë, gjithsesi, që Gega të jetë larguar nga pushteti dhe partia në kohën e predominancës jugosllave në Shqipëri, akoma gëzonin një farë simpatie për partinë jugosllave në vitin 1956.

Duhet të duket si më shumë e dyshimtë që ashtu si Jakova dhe Spahiu një vit më parë, ajo të ketë parë tek rezistenca e liderëve shqiptarë ndaj politikave liberalizuese sovjetike, një mundësi të mirë për të goditur armiqtë e saj të vjetër në parti dhe të rimerrte pozicionet që kishte pasur më parë, duke u mbështetur nga objektivat sovjetike – të cilat donin të thoshnin në atë çast, në të njejtën kohë, edhe mbështetje ndaj objektivave jugosllave.

Gega dhe i shoqi ishin dënuar me vdekje qysh kur ishin në arrest, në maj 1956. Ekzekutimi i tyre u shty si rezultat i presioneve sovjetike. Por në rastin e parë që pasoi Revolucionin hungarez dhe rifillimin e sherreve sovjeto-jugosllave në nëntor 1956, Gega dhe shokët e saj, u ekzekutuan. Ishte 26 marsi i vitit 1957, kur “Pravda” raportoi se një grup anti-parti, duke përfshirë edhe Liri Gegën dhe Dali Ndreun “që po përpiqej të organizonte një kryengritje, u zbulua jo shumë kohë më parë në Tiranë”.

PRESIONET PËR REHABILITUAR XOXEN

Por nuk ishte vetëm çështja Gega që liderët sovjetikë po ndërhynin në mënyrë direkte në çështjet e brendshme të partisë shqiptare. Në fjalimin e tij të 7 nëntorit 1961, në 20-vjetorin e themelimit të partisë komuniste shqiptare, Hoxha tha se në prill dhe në maj 1956, lidershipi sovjetik, nëpërmjet Suslloovit dhe Pospelovit, u përpoqën që të bindnin partinë shqiptare “të rehabilitonte tradhtarin Koçi Xoxe”.

Ai theksoi se kjo përpjekje ishte bërë pikërisht në kohën kur po zhvillohej edhe konferenca e Tiranës në prill, në të cilën “elementët oportunistë ishin ngarkuar të vinin në jetë një komplot” me ndihmën dhe inkurajimin direkt të jugosllavëve. Liderët shqiptarë ndoshta i shihnin këto presione si të qëllimta, pikësëpri për të rrëzuar qënien e tyre në pushtet dhe zëvndësimin e tyre me persona më të pranueshëm nga Tito.

Një substancë e kësaj pikëpamje, haset edhe në gazetën jugosllave “Nova Makedonija” të 14 majit 1956, e cila raportonte se një nen i sponzorizuar nga Kryeministri Shehu, ishte rrëzuar dy herë në parlamentin shqiptar. Kjo histori e rëndësishme ishte interpretuar në përgjithësi në atë kohë si një përpjekje jugosllave për të detyruar Shehun të hapë rrugën”.

PRESIONET “PËR LLOGARI TË TITOS”

Prova se presioni sovjetik për të rehabilituar Xoxen ishte vetëm një hap paraprak për të nxjerrë jashtë loje Shehun apo Hoxhën, ose të dy bashkë ndoshta, erdhi pak muaj më vonë, kur lidershipi sovjetik i bëri liderët shqiptarë të privoheshin nga një komunikim sekret që Hrushovi kishte pasur me Titon më 9 nëntor 1956.

Kjo letër citonte se: Ne ( KQ i PKb të BRSS) vërejmë me kënaqësi se qysh nga bisedimet e Brionit ( shtator 1956) ju keni rënë plotësisht dakord me pozicionin tonë mbi shokun Janosh Kadar, si një personalitet i jashtëzakonshëm e me autoritet revolucionar në Hungari.

Ju ishit plotësisht të kënaqur me faktin se KQ i PK BRSS, që nga vera e këtij viti, në lidhje me largimin e Rakoshit, është përpjekur ta bëjë shokun Kadar Sekretar të Parë të Partisë Punëtore Hungareze”. Hoxha dhe Shehu padyshim se ishin tmerruar, megjithëse ata ndoshta nuk ishin surprizuar në këtë pikë, që Hrushovi ishte konsultuar me Titon mbi formësimin e lidershipit të një partie tjetër.

Ata duhet ta kenë interpretuar këtë si një provë se presioni për të rehabilituar Xoxen, ishte vetëm një hap paraprak, për t’i detyruar ata të jepnin dorëheqjen, ashtu siç kishte ndodhur me rehabilitimin e Rajkut në Hungari dhe të Kostovit në Bullgari, hapa që kishin çuar pashmangshëmrisht në largimin e Rakoshit dhe dobëësimin e Çermenkovit respektivisht.

Në përpjekjet e tij për të sjellë Titon sërish në Bllok, ishte e qartë në sytë e shqiptarëve se Hrushovi po kërkonte dhe ishte i gatshëm për të sakrifikuar liderët satelitë që ishin të pakëndshëm për Titon.

Kjo dëshmi e qartë e një tradhëtie të Hrushovit, duhet t’a ketë tronditur fort besimin e liderëve shqiptarë tek Moska. Do të duhej shumë kohë për të gjetur një aleat më të besueshëm dhe ishte qysh në këtë fazë që liderët shqiptarë nisën të tregojnë interes në rritje tek Kina komuniste.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor,  OSBE: Shpresojmë që të respektohen kuotat gjinore

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, OSBE: Shpresojmë që të respektohen kuotat gjinore