TIRANE - Pjesa e katërt e dosjes së CIA-s mbi marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, (hartuar më 22 qershor 1962) përmban një përzgjedhje që prek periudhën e përëmirësimit relativ të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas një krize të pashpallur, ku në sfond ndërthureshin shumë probleme e hije që lidheshin me ndëshkimet pompoze e të mistershme që kreu udhëheqja e lartë e PPSH-së në vitet 1955-56, marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe një seri zhvillimesh të brendshme e të jashtme, ku si kulme mund të renditeshin: Konferenca e Tiranës dhe Revolucioni hungarez.
Pjesa e sotme kulmon me me vizitën e Hrushovit në maj-qershor 1959 në Shqipëri dhe kap çështjet e përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, vizitën e Zhukovit, marrëveshjet, grantet dhe kreditë sovjetike si dhe problematikat e dritëhijet që i shoqëruan. Më poshtë përmbajtja e tyre:
* * *
MARRËDHËNIET SHQIPTARO-SOVJETIKE PËRMIRËSOHEN
Ndoshta për të rregulluar disi dyshimet dhe diferencat që kishin ngritur krye në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike në periudhën 1955-56, BRSS më 7 prill 1957 emëroi një ambasador të ri në Tiranë, V.I. Ivanov për të zëvendësuar L.I. Krylov. Pak ditë më vonë, Hoxha dhe Shehu, të shoqëruar nga disa anëtarë të Byrosë politike dhe Ministri i Jashtëm Behar Shtylla, u nisën për një vizitë shtetërore në BRSS.
Ishte hera e parë që një delegacion i një niveli kaq të lartë, të ftohej në BRSS dhe kjo ishte një pjesë e programit të lidershipit sovjetik për forcuar autoritetin e tyre në kontaktet bilaterale me vendet e Bllokut. Gjatë vizitës së tyre në Moskë, u ndërmor edhe një hap tjetër shumë i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në linjë edhe me vendet e tjera të Bllokut për rritjen e asistencës ekonomike, BRSS lajmëroi më 17 prill se kishte fshirë borxhin prej 422 milionë rublash për Shqipërinë dhe kishte siguruar një kredi prej 31 milionë rublash për të blerë pajisje bujqësore, si dhe kishte premtuar se do të bënte gati një grant për sektorë specifikë të ekonomisë. Duke fshirë borxhin, BS në fakt kishte bërë edhe dhuratën e parë qëkurse kishte ngulur këmbë në Shqipëri në vitin 1948.
INTERVISTA E SHEHUT PËR “NEW YORK TIMES”, 1957
Liderët shqiptarë u kthyen nga Moska duke manifestuar një kënaqësi të madhe për pritjen e organizuar dhe shprehën vlerësimin në maksimum për dhuratat dhe ndihmën e BS. Por deklarata e përbashkët e të dyja partive, bënte të qartë se liderët sovjetikë nuk i kishin abandonuar shpresat e tyre për një pajtim me Titon dhe se liderëve shqiptarë u ishte kërkuar që të mbanin qëndrime më pajtuese ndaj Jugosllavisë.
Në një intervistë me Harrison Sulisbury më 28 gusht 1957, Shehu riafrimonte se: në politikën tonë me Republikën Popullore Federative të Jugosllavisë, ne nisemi nga fakti se Shqipëria dhe Jugosllavia po ndërtojnë socializimin. Për këtë arsye, marrëdhëniet mes dy vendeve tona mund të kenë vetëm një zhvillim socialist, bazuar në principet e barazisë, miqësisë, bashkëpunimit, respektit reciprok dhe mosndërhyrjes në punët e njëri-tjetrit.
STINË E QETË ME JUGOSLLAVINË
Rreth datave 8-9 korrik Hoxha u zhduk nga Tirana dhe nuk u kthye më për dy muaj rresht. Gjatë shumicës së kësaj kohe, ai ishte në BRSS. Përveç Hoxhës, të gjithë liderët e tjerë satelitë vizituan BRSS në korrik dhe gusht dhe ndoshta morën pjesë në konsultimet me liderët sovjetikë që kishin të bënin me qëndrimet e reja ndaj Jugosllavisë.
Në dakordësi me pjesën tjetër të Bllokut, Shqipëria vazhdoi të mbante dhe zgjeronte marrëdhëniet shtetërore me Jugosllavinë gjatë vitit 1957. Në fund të korrikut, një marrëveshje e re tregtare u nënshkrua. Në shtator, udhëheqja shqiptare bëri të ditur mbështetjen e saj të madhe ndaj propozimeve të Stoicës për një konferencë ballkanike ( Rumania, Bullgaria, Jugosllavia, Shqipëria, Greqia dhe Turqia) për të diskutuar bashkëpunime të përbashkëta.
Gjatë vizitës së Marshallit Zhukov në Shqipëri në tetor, Hoxha i kushtoi një vëmendje të veçantë progresit të shënuar në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Pak ditë më vonë, në një artikull të “Zërit të Popullit”, ai duhej t’a kishte reflektuar më mirë poziconin e Shqipërisë. Duke kometuar mbi synimet e Shqipërisë për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, ai vuri re se “shumëçka varet nga liderët jugosllavë, të cilët duhet të tregojnë përpjekje të barabarata”.
VIZITA E MARSHALLIT ZHUKOV DHE “HATËRMBETJA” SHQIPTARE
Shkarkimi nga detyra i Marshallit Zhukov nga Byroja Politike e PK BRSS, në përfundim të vizitës së tij të sukseeshme 10-ditore në Shqipëri në fundtetor, duhet të ketë sjellë një irritim më shumë për liderët shqiptarë. Vizita e Zhukovit shënoi rastin e parë që një anëtar i plotë i Byrosë Politike të PK BRSS kishte vizituar Shqipërinë dhe kjo paramendohej se ishte një shenjë e rritjes së mbështetjes sovjetike për Hoxhën.
Zhukovi u lavdërua e u respektua ngado që shkoi gjatë vizitës së tij dhe gjatë nisjes së tij më 26 tetor, Hoxha, Shehu dhe e gjithë Byroja Politike, i dhanë atij lamtumirën në aeroport. Për këtë, shkarkimi i tij i papritur nga posti i Ministrit të Mbrojtjes, pikërisht në atë ditë, ndjekur nga përjashtimi tij nga Byroja Politike dy ditë më vonë, liderëve shqiptarë duhet t’iu ketë dukur si një reflektim tjetër i vëmendjes së ulët që Moska tregonte ndaj tyre.
Megjithatë, Komiteti Qendror i PPSH-së mbështeti shkarkimin e Zhukovit dhe Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Beqir Balluku, menjëherë dërgoi urime për ministrin e ri, Malinovski. Më 5 nëntor, Hoxha, Shehu dhe Ministri i Mbrojtjes, Balluku, u nisën me një aeroplan drejt Moskës për të marrë pjesë në kremtimet e 40- vjetorit të Revolucionit të Tetorit dhe takimin e partive komuniste ndërkombëtare.
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 1959, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike arritën majën e tyre dhe Shqipëria tashmë zuri një vend të rëndësishëm në raportimet që vinin nga Blloku. Më 16 janar, Hrushovi i adresonte një letër Hoxhës ku i bënte me dije se KQ PK BS donte t’i dhuronte popullit dhe partisë shqiptare, ndërtimin falas të një pallati të madh kulture dhe një godine RTV në Tiranë.
Dy javë më vonë Hoxha, Shehu dhe Kapo shkuan në Moskë për të marrë pjesë në punimet e Kongresit të 21-të të PK BRSS. Në fjalimin e tij përshëndetës për kongresin, Hoxha i referohej Hrushovit si: miku ynë i dashur Nikita Hrushov“ dhe e përskruante në raportin e tij si “një kontribut të vlefshëm të trashëgimisë marksist-leniniste”.
VIZITA E HRUSHOVIT NË SHQIPËRI
Në prag të mbërritjes së tij në Shqipëri, “Zëri i Popullit” e përshkruante Hrushovin si “një nxënës besnik të Leninit, një udhëheqës militant dhe të përkushtuar të KQ PK BRSS dhe të shtetit sovjetik, i cili ia kishte kushtuar të gjitha energjitë e veta ndërtimit të socializmit etj.
Gazeta më pas shkruante se: Nikita Hrushov është miku më i madh dhe më i dashur i popullit shqiptar, i cili gjithmonë kishte dëshmuar prova të një mbështetje të veçantë dhe bujare, duke ndihmuar popullin shqiptar për të ndërtuar me sukses jetën e tij të lumtur në socializëm”.
Vizita e Hrushovit në Shqipëri, ( 25 maj -4 qershor 1959) zgjati më shumë se çdo vizitë tjetër e mëparshme e Hrushovit në vendet e tjera të Bllokut në Europën Lindore. Delegacioni konsistonte në nëntë anëtarë, duke përfshirë Hrushovin, Ministrin e Mbrojtjes, Malinovski dhe anëtarin e Presidiumit, Mukhidinov – të ndarë në tri grupe për të përshkuar vendin gjatë pesë ditëve të para të vizitës.
Më 30 maj, tri grupet u kthyen në Tiranë ku u hartua edhe një deklaratë e përbashkët, në të cilën thuhej se BRSS kishte kredituar Shqipërinë qysh nga viti 1957 me një shumë prej 526 milionë rublash ( rreth 131.6 milionë dollarë USA). Më 31 maj, të gjitë anëtarët e delegacionit, përveç Hrushovit dhe Malinovskit, u kthyen në BRSS.
Këta të dy i shpenzuan ditët e mbetura të vizitës së tyre, duke shkuar në jug të vendit; Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër, si dhe në zonat ku ishin instaluar bazat e marinës e atyre të nëndetësve ushtarake të Pashalimanit. Deklarata publike të bëra nga Hrushovi gjatë vizitës shkonin në tri drejtime: 1) lavdërimi liderëve dhe i popullit shqiptar 2) shqetësimi për sigurinë e Shqipërisë ndaj fqinjëve dhe 3) shqetësimi për zhvillimet ekonomike të vendit.
Ai lavdëroi Hoxhën duke e përshkruar si “biri i lavdishëm i popullit shqiptar, që i shërben marksizëm-leninizmit” dhe si “shoku ynë i dashur”, kurse Shehun si ”organizator shembullor që është i përkushtuar për çështjen e socializimit dhe një mik i BRSS”. Ai paralajmëroi fqinjët e Shqipërisë dhe siguroi liderët shqiptarë se Shqipëria kishte “ të gjitha forcat e bashkuara të kampit socialist përkrah saj”.
Duke kërcënuar se do të ndërtonte një bazë raketore në Shqipëri, nëse Greqia do të vijonte me planet e saj për vendosjen e bazave raketore, ashtu siç kishte bërë Italia, ai propozoi një zonë të çliruar nga armatimi raketor bërthamor në Ballkan dhe Adriatik. Ndërsa vazhdonte të premtonte ndihma ekonomike, ai vuri re edhe disa rezultate zhgënjyese që lidheshin me ndihmat e dhëna sovjetike.
Në një fjalim të mbajtur në Moskë pas kthimit nga Shqipëria, më 6 qershor, Hrushovi duke iu referuar në mënyrë të veçantë Shqipërisë, u ndal disi më gjatë në domosdoshmërinë e kontakteve personale mes liderëve partiakë e atyre qeveritarë - jo vetëm për të nxjerrë jashtë diferencat dhe dallimet, por edhe si një mjet për t’i parandaluar ato.
Megjithatë, vizita ishte ndoshta jo aq e suksesshme sa ç’u shit në publik. Hrushovi ishte i zhgënjyer nga niveli i ulët dhe prapambetja e ekonomisë shqiptare. Turi i Hoxhës, në qershor, pas vititës së Hrushovit, në një përpjekje për t’u shitur fshatarëve shqiptarë një program për zhvillimin e frutikulturës, tregon se Hrushovi e përdori të gjithë influencën për të vënë në jetë programin.
Hrushovi gjithashtu me shunmë gjasa u bë më shumë i ndërgjegsjshëm mbi pikëpamjet dogmatike të Hoxhës dhe Shehut, dhe ndoshta nuk u impresionua fare nga aftësia e tyre për të drejtuar një program për t’a konvertuar Shqipërinë në një “kopsht me lule”.
Liderët shqiptarë ngjashmërisht, me shumë gjasa u bezdisën nga këmbëngulja e Hrushovit për të relativizuar frikërat në lidhje me Jugosllavinë dhe përqëndimi tek problemet e brendshme. Si gjatë, ashtu dhe pas vizitës, nuk u dëgjuan më tone konfliktuale ndaj Jugosllavisë.
Në gusht, ministri shqiptar ( ambasadori) në Jugosllavi, i cili ishte tërhequr një vit më parë, tashmë u rikthye në Beograd. Do të duhej të vinte shtatori i atij viti, që diferencat mes dy vendeve e partive të ngrinin kokë sërish. Të dy, si Hoxha, ashtu dhe Shehu, e shfrytëzuan atë verë për pushime të gjata. Hoxha u nis më 10 korrik, në Bullgari e Çekosllovaki duke mos u kthyer më deri më 11 shtator, kurse Shehu shpenzoi një muaj në Bashkimin Sovjetik, duke ia nisur nga mesi i gushtit.
(vijon në numrin e ardhshëm)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)