Këto dhe shumë detaje të tjera na bëhen të ditura për herë të parë në disa prej raporteve përgjatë viteve 1951-1953, që bazoheshin në të dhënat e vjelura kryesisht nga të arratisurit shqiptarë që merreshin në pyetje nga shërbimet greke e që më pas u kaloheshin aleatëve anglo-amerikanë, të cilët i verifikonin me kujdes këto deponime duke i krahasuar edhe më ato të mëparshmet apo me ato të agjentëve të tyre në terren.
Gjithsesi, shumë prej tyre nuk bazoheshin në të dhëna profesionale e duhen marrë me rezerva, ose si pjesërisht të sakta, pasi duke u nisur nga rrethanat dhe nga mundësitë, sigurisht se të dhënat që të arratisurit ofronin, shpesh ishin një mjet për të përfituar shpejt dhe pa problem statusin që kërkonin. Në këto përfundime arrinin ndonjëherë dhe vetë hartuesit e raporteve, të cilët shënonin në fund për eprorët e tyre vërejtjet dhe komentet e veta mbi besueshmërinë e këtyre deponimeve.
“Shqipëria tashmë ka trupa të mirëdisiplinuara dhe thuajse të gjitha ato tashmë janë nën komandën sovjetike”. Kështu thuhet për shembull në një raport të vitit 1952, i cili jep më në detaj edhe ndarjen organizative dhe strukturore të ushtrisë shqiptare dhe gjithashtu edhe emra konkretë drejtuesish, të cilët ne për arsye etike, por edhe se nuk përbëjnë interes publik aktual, nuk do t’i botojmë.
Po ashtu nga një raport tjetër i ngjashëm një vit më parë, mësojmë se: “nga 1.2 milionë shqiptarë gjithsej, 130.000 janë nën armë. Për këtë arsye mbizotëron në vend një mungesë e ndjeshme e krahut të punës në ekonomi dhe sidomos në bujqësi”.
Po aty rezulton se: “në vitin 1946 u dërguan nëpër trajnime e shkollime rreth 1.200 oficerë të ushtrisë shqiptare nëpër kurse të ndryshme të pëgatitjes profesionale”. Përsa i përket armatimit, raporti thekson se: Armët e poseduara nga Ushtria Shqiptare në thelb janë ato të prodhimit sovjetik, dhe një pjesë e vogël e tyre është me origjinë çekosllovake. Por përdoren edhe modele të vjetra ruse të “Maxim MG”.
Njësitë e artilerisë janë furnizuar mirë me 110 granatahedhëse (kalibër 12 cm)”. Raportet tentojnë të jenë të balancuara e të fokusuara në detaje konkrete, por vënë në dukje edhe paradokset dhe anët negative që haseshin, ndërsa thekjsohet se investimet në ushtgri tashmë ishin evidente. Gjitashtu vihet re edhe trajtimi i veçantë i specialistëve ushtarakë sovjetikë, për të cilët në raport thuhet se blinin në dyqane të ngritura enkas për ta me çmime favorizuese.
Në vijim raportet e plota:
***
1.2 MILIONË SHQIPTARË, 130.000 NËN ARMË
Nga 1.2 milionë shqiptarë gjithsej, 130.000 janë nën armë. Për këtë arsye mbizotëron në vend një mungesë e ndjeshme e krahut të punës në ekonomi dhe sidomos në bujqësi. Në vitin 1946 u dërguan nëpër trajnime e shkollime rreth 1.200 oficerë të ushtrisë shqiptare nëpër kurse të ndryshme të përgatitjes profesionale.
Komanda e Përgjithshme me gjithsej 72 oficerë sovjetikë gjendet në Tiranë, dhe po ashtu edhe Shtatmadhoria e Ushtrisë, komandant i të cilit është Enver Hoxha. Ndërtesa e Komandës Qendrore gjendet përballë Stadiumit “Qemal Stafa”, në Tiranë.
USHTRIA SHQIPTARE: KATËR DVIZIONE
Ushtria shqiptare përbëhet nga katër divizione. Secili prej tyre gjendet në Tiranë, Shkumbin (Elbasan), Korçë dhe Shkodër. Njësi autonome ndodhen po ashtu edhe në brendi të Elbasanit, Vlorës, Beratit, Gjirokastrës dhe lokaliteteteve të tjera të panjohura. Fuqia e këtyre njësive nuk bëhet e ditur.
(Një regjiment në Shqipëri i përgjigjet në raport një ish-batalioni gjerman të Ëehrmacht-it). Gjithçka që lidhet me organizimin e Ushtrisë, si: furnizimi, stërvitja, trajnimi, ndërtimet ushtarake, i lihet në dorë një strukture të veçantë ( nuk identifikohet dot përcaktimi).
ARMËT E USHTRISË SHQIPTARE
Armët e poseduara nga Ushtria shqiptare në thelb janë ato të prodhimit sovjetik, dhe një pjesë e vogël e tyre është me origjinë çekosllovake. Por përdoren edhe modele të vjetra ruse të “Maxim MG”. Njësitë e artilerisë janë furnizuar mirë me 110 granatahedhëse (kalibër 12 cm).
Këto armë janë dëshmuar - sidomos në terrene malore- shumë efektive. I gjithë sektori sanitar është ndërtuar e funksionin tashmë sipas modelit sovjetik nën drejtimin e Dr. ( nuk dallohet qartë emri). Një spital i madh ushtarak gjendet tashmë në Tiranë. Akoma mbahen në detyrë shumë mjekë italianë, ngaqë ka mungesë personeli të specializuar shqiptar.
QENDËR MODERNE RADIONDËRLIDHËSE
Një qendër moderne radiondërlidhëse tashmë është ndërtuar nga sovjetikët në Tiranë. Në Shkumbin (Elbasan), ( në raport thuhet 6 km, por qartazi aty bëhet fjalë për një lapsus) km nga Tirana, ndodhet një ofiçinë riparimi ushtarak e ish-trupave pushtuese gjermane, një depo karburanti dhe një depo e madhe armësh, futur mes shkëmbinjve. Atje ndodhen, të mbrojtura nga shkëmbinjtë, një numër tankesh T 34.
Numri i tyre është i panjohur, por llogaritet se atje gjenden 110 tanke të këtij modeli. Një depo tjetër armësh gjendet në Gjirokastër në një minierë të braktisur, një e tretë ndodhet mes Elbasanit dhe ( nuk dallohet qartë emri i lokalitetit). Gjendja reale, sidoqoftë, nuk na bëhet e njohur.
RIVIHET NË FUNKSIONIM AERODROMI
Në periferi të Tiranës ndodhet aerodromi i ngritur nga italianët. Aerodromi i shkatërruar seriozisht nga lufta, u arrit të rindërtohej e të rivihej në funksionim nga robërit gjermanë të luftës.
Pista tashmë ka një gjatësi prej 3.5 deri në 4 km dhe një gjerësi prej 14 m. Aerodromi, në vitin 1949 ishte vënë tashmë në funksionim, dhe aty uleshin e ngriheshin kështu edhe aeroplanët e parë sovjetikë. Përveç aerodromit ndodhet edhe një ofiçinë e madhe riparimesh të automjeteve dhe një depo karburanti.
PORTI I DURRËSIT
Porti i Durrëësit është më i madhi dhe më i rëndësishmi port në vend. Atje, aktualisht përpunohen vetëm mallra të ish-Ëehrmacht-it gjerman. Thellësia e ujit në molo është 8-10 m. Thellësia në basen vlerësohet të shkojë nga 10-20 m. Nga Elbasani në Durrës shtrihet një linjë teke hekurudhore.
Të dyja linjat, nga Tirana dhe Elbasani drejt Durrësit takohen në territorin e portit të Durrësit. Shinat të çojnë deri në molo. Në port ndodhen pesë linja paralele shinash. Aty gjendet edhe një vinç me fuqi ngarkuese prej të paktën 20.000 kg. Në shkëmbinjtë që ndodhen rreth portit të Durrësit, janë ndërtuar bunkere; kalibri i tyre nuk dihet, dhe as vendndodhja e saktë.
PORTI I VLORËS
Porti i dytë më i madh në vend është ai i Vlorës. Atje më së shumti përpunohen mallra për konsumin civil. Shqipëria nuk ka një flotë të vetën. Posedon vetëm disa barka e anije të vogla në shërbim të policisë. Nuk është vënë re as prania e anijeve luftarake sovjetike.
SHQIPTARËT I PËRDORIN SHUMË MUSHKAT
Vendstërvitja më e madhe ushtarake është ajo e (emri i lokalitetit nuk dallohet qartë) 81 km larg Tiranës. Ajo ka një lidhje direkte rrugore me Tiranën dhe ndodhet rreth 900 m. mbi Tiranën. Zakonisht, në fund të prillit, trupat zhvendosen me anë të kafshëve që janë pajisur me shalë e pajisje të tjera shtesë të prodhimit sovjetik, në këtë vendkomandë dhe kthehen vetëm nga fundi i shtatorit nga sheshstërvitja.
Nga mungesa e ujit të pijshëm, që në këtë stinë të vitit gjendet në terrenet me nivel më të lartë, trupat rrinë një kohë të gjatë atje lart. Për shkak të rrugëve të mangëta malore, njësitë shqiptare posedojnë një sasi të madhe mushkash.
RRUGËT E ITALIANIT, NË GJENDJE TË MIRË
Rrugët aktuale, të cilat u ndërtuan në kohën e pushtimit italian, gjenden në një gjendje të mirë. Hekurudhat e mbetura që gjenden në vend, kanë një sasi të madhe vagonash mallrash, dhe vihet re një mungesë e madhe në transportin e njerëzve. Urat rrugore e ato hekurudhore në vitet e fundit tashmë janë përforcuar.
NË SHQIPËRI KA BURIME NAFTE
Deri pak më parë, benzina dhe nafta importoheshin. Në jugperëndim të vendit, gjatë ekspeditave gjeologjike dhe shpimeve të kryera, janë zbuluar rezerva. Po bëhen përpjekje për të arritur në prodhimin e benzinës në vend. Në veriperëndim të Shqipërisë, duhet të jenë zbuluar rezerva bakri. Atje janë vënë në funksionim disa galeri të lëna nga italianët dhe gjermanët.
RROBAQEPËSI USHTARAKE
Deri më tani, Shqipëria nuk ka ndonjë industri të qenësishme. Në Tiranë u ndërtua një rrobaqepësi e madhe ushtarake, ku qepen uniforma me lëndën e parë të lënë prapa nga italianët. Në Shkodër u ndërtua një uzinë për prodhimin e pajimeve ushtarake për ushtarët shqiptarë ( torneri, kovaçanë). Në këtë vepër u inkuadruan edhe specialistët sovjetikë.
RUSËT TRAJTOHEN VEÇMAS
Furnizmi me mallra të konsumit për popullsinë, është në gjendje të keqe. Rusët për vete blejnë në dyqanet e ngritura enkas për ta. Me shërbimin e detyrueshëm ushtarak, shumë strikt e disi të gjatë në kohë, shqiptarët duket se mezi kanë rënë dakord.
Data e obsevimit: qershor 1951
RAPORTI I VITIT 52: OFICERËT SHQIPTARË, TRAJNUAR NË JUGOSLLAVI E RUSI
Shqipëria tashmë ka trupa të mirëdisiplinuara dhe thuajse të gjitha ato tashmë janë nën komandën sovjetike, sipas raporteve që na vijnë nga refugjatët e arratisur shqiptarë. Përbërja dhe gjendja e trupave, thuhet se mbahet nga njerëz që kanë qenë partizanë gjatë viteve 1941-43. Oficerët janë trajnuar pjesërisht në Jugosllavi e pjesërisht në akademitë ushtarake sovjetike. Shefi i Shtabit të Ushtrisë shqiptare është Gjeneral Beqir Balluku.
Trupat janë alokuar në vendkomandat e mëposhtme:
Tiranë: Divizioni i Parë, me një detashment prej 40 tankesh tipi T-34.
Shkodër: Divizioni i Dytë, me një detashment tankesh gjermanë luftimi.
Vlorë: Divizioni i Tretë , me një detashment të tankeve “Sherman”.
Përveç tyre Shqipëria ka edhe:
Dy regjimente të Marinës sovjetike, të stacionuara në Vlorë dhe një në ishullin e Sazanit.
Pesë batalione të trupave kufitare; dhe pesë batalione të forcave të “Sigurimit”.
Në Vlorë, gjendet një bazë ajrore e mirëpajisur sovjetike, e mirëtrajnuar për rast lufte. Shqipëria vetë nuk posedon ndonjë forcë ajrore.
Sipas raportit tonë, njësitë sovjetike të përmednuar më lart; Marina, këmëbësoria dhe forcat ajrore, janë nën komandën e Nën-admiralit sovjetik Igor Rzhevsky, me vendkomandë në ishullin e Sazanit.
Koment: Nuk kemi informacion rreth detajeve të përmendura këtu, përveç faktit të vërtetuar se shef i shtabit është Balluku dhe ekzistencën e avionëve luftarakë sovjetikë në aerodromet shqiptare.
NË ÇDO DIVIZION, DY OFICERË SOVJETIKË
Një nënoficer shqiptar i arratisur, që dezertoi nga posta kufitare ku kryente shërbimin në Konispol, më 23 maj 1953, dha këto informacione të ndryshme mbi kapacitetet ushtarake të Shqipërisë, për oficerët grekë gjatë hetimit që ata i bënë.
Oficerët sovjetikë në ushtrinë shqiptare. Sipas burimit tonë, në stafet përbërëse të çdo divizioni shqiptar ka nga dy oficerë sovjetikë, një kolonel dhe një kolonel-lejtnant. Këta oficerë, thotë burimi, janë nën urdhrat e një gjenerali sovjetik që ka një zyrë të vetën në Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes. Detyrat e tyre konsistojnë në vëzhgimin dhe instruktimin e Ushtrisë shqiptare dhe këshillimin e saj.
Pagat e personelit ushtarak shqiptar në vitin 1953:
Burimi jep këto të dhëna mbi pagat që marrin ushtarakët shqiptarë në një divizon, duke ia nisur nga ushtari më i thjeshtë, e deri tek gjenerali, drejtues i lartë;
Ushtari – 100 Lekë
Rreshter – 160 Lekë
Rreshter në rezervë – 200 Lekë
Rreshter në rezervë, madhor – 300 Lekë
Rreshter i rregullt madhor – 2500 Lekë
Kapter i Parë – 3500 Lekë
Lejtnant i Dytë – 3700 Lekë
Lejtnant, 3900 Lekë
Kapiten i Klasit B, 4200 Lekë
Kapiten i Klasit A, 4800 Lekë
Major, 600 Lekë
Kolonel-Lejtnant, 10.000 Lekë
Kolonel, 10.200 Lekë
Gjeneral Major, 14.000 Lekë
Gjeneral Lejtnant, 14.200 Lekë
Gjeneral madhor, 20.000 Lekë
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)