“Opera” mban nesër në orën 19.00 koncertin simfonik vokal "O dolci baci". Orkestra e Teatrit performon me 4 solistë të rinj të Konservatorit të Salernos.

Pas mirëpritjes nga publiku, standup-komedia “Shtëpiakë të dëshpëruar”, rikthehet nesër e pasnesër në orën 19.00 në skenën e Teatrit Kombëtar. Humor e situata jetësore në çift, pjesa franceze vihet në skenë nga Artan Imami, po ashtu protagonist si aktor, shoqëruar nga Indrit Çobani e Gentian Zenelaj.

17 skulptura në mermer të Antonio Canovas, një prej artistëve më të mëdhenj të neoklasicizmit evropian vijnë në 51 shkrepje në bardhë e zi të fotografit të njohur  Mimmo Jodice në ekspozitën “Bukuri e përjetshme”,  të çelur në Muzeun Historik.

Ballafaqim i krijimtarisë, e larmishmëri teknikash e zhanresh, “Piçolo mare”, një ekspozitë e veçantë, me krijimtarinë më të mirë të studentëve italianë e atyre vendas, pret vizitorët edhe nesër në galeritë  “Harabel” dhe “Fab”.

Të endesh në mendime e në kohë, e frutin e imazheve ta jetësosh në telajo. Është ky koncepti i artistes suedeze Susanne Lund Pangrazio, ekspozita e së cilës “Nëpër shkorret”, qëndron e hapur për vizitorët deri në 18 shkurt në Galeri 70, në Tiranë.

Nga nesër në orën 18.00 , për tri ditë radhazi, mbahet në teatrin “Skampa” në Elbasan, komedia “Një dasmë e hatashme” me regji të Kiço Londos.

Nga mjeshtrit Alinari tek fotografët më të mirë bashkëkohorë, vijon e hapur deri në 28 shkurt në Galerinë e Arteve Shkodër ekspozita “Italiae”. E konsideruar si një nga koleksionet më të mëdha fotografike në botë, në të ekspozohen 110 nga imazhet më të spikatura në një shekull.