Inaugurohet sot në orën 19.30 pranë sheshit “Skënderbej” Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar të restauruar. Ceremonia, që mbahet në kuadër të Javës së Evropës do të shoqërohet me disa performanca kërcimi dhe këngësh, nga artistë të përzgjedhur.

Në kuadër të “CloudFest” artisti Besart Zhuja do të sjellë sot në orën 19.00 albumin e tij “Ka një rrugë tjetër”, me shtatë këngë të shkruara në formën e një bisede me veten.

Teatri “Zonja e Bujtinës” vijon të shfaqë edhe sot e nesër në orën 19.00 komedinë “38 ditë për të ndryshuar jetën” me autor Giuseppe Della Misericordia, regji e interpretim të artistit Naun Shundi shoqëruar në skenë nga partnerja Raimonda Shundi.

Në kuadër të 132-vjetorit të lindjes së shkrimtarit rus Mikhail Bulgakov, mbahet sot në orën 18.00 një takim në Shtëpinë Studio Kadare me të ftuar studiues të veprës së tij.

Me 16 piktura në vaj dhe 7 vizatime, ekspozita “Përtej kufirit dhe portave” e artistit Artan Peqini, qëndron e hapur në galerinë “Fab” deri në 21 maj.

Nga televizioni, rrjetet sociale, heroi i Disney-t, politika, artisti Joni Kraja me një ironi të mprehtë prek ‘maskat’ pas imazheve me serinë “Simfonia e talljes”. Ekspozita qëndron e hapur në Galeri 70 në Tiranë deri në 21 maj.

Përmes dizajneve të 11 stilistëve,  “Vogue Italia”, sjell imazhin e modës së re italiane në Qendrën për Hapje e Dialog në Kryeministri përmes ekspozitës  “Fashion Panorama - The Italian Neë Wave”, që qëndron e hapur deri në 2 qershor.

Ekspozita “Udhëtimi” e piktorit të njohur Hasan Nallbani, qëndron e hapur deri në 18 maj në galerinë “Golemi” në Tiranë.

Vijon e hapur sot e nesër në galerinë “Kalo” në Tiranë ekspozita “Drejtësia” me punime të realizuara nga studentët e Fakultetit të Arteve të Bukura  dhe me kurator Erlind Fushën, në kuadër të 110-vjetorit të krijimit të Gjykatës së Lartë.