Dy të moshuar (çift bashkëshortësh) ranë në prangat e Policisë në Sarandë, pasi dyshohet se kanë plagosur me thikë në pjesën e dorës një të mitur.

Burime për Report TV bëjnë të ditur se të arrestuarit jasnë Lavdërim dhe Pranvera Brahimi. Po ashtu mësohet se shkak i sherrit kanë qenë pretendimet se fëmija 6-vjeç shante fëmijët që ishin pjesë e familjes së këtyre të moshuarve.

Ndërkohë Policia ka nisur hetimet edhe për një 39-vjeçar, i cili është djali i të moshuarve, pasi dyshohet se gjithashtu ka kanosur me thikë të miturin.

"Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 79 vjeç, dhe P. B., 73 vjeçe, bashkëshortë, banues në Sarandë, pasi dyshohen se për motive të dobëta, kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në pjesën e dorës, një shtetas të mitur, si dhe nuk janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për shoqërim. Në kuadër të këtij rasti është proceduar penalisht edhe shtetasi E. B., 39 vjeç, (djali i çiftit të bashkëshortëve), pasi dyshohet se ka kanosur gjithashtu të miturin me mjet prerës", njoftoi Policia. 

Materialet për këtë ngjarje iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.