Çikago ‘kurorëzon’ Kamala Harris si kandidate për presidente, një e ardhme optimizmi kundër urrejtjes së Donald Trump

Çikago ‘kurorëzon’ Kamala Harris si kandidate për presidente, një e ardhme optimizmi kundër urrejtjes së Donald Trump

Kamala Harris

Liria. E vërteta, për të vendosur si të jetosh jetën tënde, duke respektuar ligjin, por pa ndërhyrjen e shtetit në zgjedhjet personale. Një vizion për të ardhmen që përfshin të gjithë në ëndrrën amerikane, siç ndodhi me të dhe historinë e saj personale, në vend që të mbështetet tek frika, zemërimi dhe mllefi, për të ndarë Amerikën dhe për ta dominuar atë. Në thelb, demokracia e vërtetë, e bazuar në problemet konkrete të qytetarëve që duhet t’i zgjidhë, dhe e kërcënuar nga arroganca, egoizmi dhe shikimi drejt së kaluarës së kundërshtarit.

Kamala Harris u paraqit mbrëmë në vendin që synon të udhëheqë si presidente, për të ofruar një ndryshim brezi që përfaqëson gjithashtu një ndryshim drejtimi për SHBA-të: «Këtë nëntor - siç e kishte parashikuar tashmë të hënën - do të bashkohemi të gjithë për të deklaruar me një zë të vetëm, si një popull i vetëm, që kemi ndërmend të ecim përpara». E kundërta e Donald Trump, i cili shikon pas në akuzat e tij dhe në nostalgjitë e votuesve të frikësuar nga evolucioni i një vendi që gjithmonë e ka bërë inovacionin forcën e tij. Biden kishte përqendruar këtë mesazh tek rreziku që paraqet paraardhësi për të ardhmen e demokracisë. Harris preferoi të fokusohej tek mbrojtja e lirive, që gjithashtu lidhet me demokracinë, por e kornizon atë në nevojat konkrete që janë lehtësisht të kuptueshme për votuesit.

Fjalimi, i punuar për javë të tëra dhe i shkruar nga ish ndihmësi i Obamës, Adam Frankel , kishte tre objektiva kryesore. Së pari, të kujtojë historinë e saj personale si e bija e emigrantëve indianë dhe xhamajkanë, jo vetëm sepse tregon suksesin e saj si prokurore, senatore dhe zëvendëspresidente, por edhe sepse mishëron vlerat që synon të sjellë me vete në Shtëpinë e Bardhë. Së dyti, të theksojë dallimin e qartë midis vizionit të saj pozitiv dhe të ndritshëm për të ardhmen, dhe atij të errët dhe kërcënues të Trump. Natyrisht duke kujtuar se rivali i saj justifikoi sulmin ndaj Kongresit më 6 janar 2020 dhe më pas u dënua penalisht për shkelje të ligjit. Më në fund, të përcjellë një ndjenjë të re patriotizmi tek amerikanët, të bazuar në përfshirje në vend të ndarjes, me atë ndjesi të rikthimit të gëzimit në garën për Shtëpinë e Bardhë, siç kishte përsëritur tashmë zv/presidenti i saj, Tim Walz.

Pastaj, natyrisht, edhe disa detaje konkrete, siç është programi ekonomik për të rritur taksat për të pasurit, për të financuar programe si ai për strehimin me kosto të përballueshme. Ose mjetet që synon të përdorë për të bindur kompanitë e mëdha të mos spekulojnë me çmimet, duke ulur inflacionin në një mënyrë që familjet ta ndiejnë në xhepat e tyre. Gjithashtu, vazhdimësia në politikën e jashtme, veçanërisht në konsolidimin e aleancave që i kanë mundësuar Uashingtonit t'i kundërvihej Moskës pas pushtimit të Ukrainës. Delegatët “të pavendosur”, ata që ishin kundër Bidenit për shkak të qëndrimit të tij ndaj luftës në Gaza, protestuan sepse nuk u ishte dhënë mundësia të flisnin në Konventën e Çikagos, siç kishin bërë prindërit e pengut Hersh Goldberg-Polin një ditë më parë. Por për këtë, Shtëpia e Bardhë po punon pikërisht për një armëpushim, të cilin Harris e ka mbështetur qartë në të kaluarën.

Fjalimi i zv/presidentit Walz të mërkurën në mbrëmje, dhe akoma më shumë ai i Kamalës të enjten, shërbyen për të konfirmuar vizionin progresist për të ardhmen e Amerikës, pa rrëshqitur në ekstremizëm që mund të frikësonte mijëra votues të pavendosur në shtatë shtetet kyçe, nga të cilat varet rezultati.

Që kur u kandidua në vend të Bidenit, Harris ka mbledhur në vetëm një muaj një shifër rekord prej gjysmë miliard dollarësh për financimin e fushatës. Sipas faqes FiveThirtyEight, ajo gjithashtu ka kaluar në avantazh në nivel kombëtar, me 46,6% të mbështetjes përballë 43,8% të Trump-it. Tani duhet të forcojë këtë përparësi, ta konsolidojë atë, dhe të mos bëjë gabime që do të hapnin sërish rrugën për një mandat tjetër për Trum, i cili është i çorientuar nga Kamala dhe mesazhi i saj./La Repubblica

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarjet e fundit në vend ju shqetësojnë për nivelin e sigurisë?



×

Lajmi i fundit

Ministrja Denaj në Slloveni: Rrisim bashkëpunimin në fushën e bujqësisë

Ministrja Denaj në Slloveni: Rrisim bashkëpunimin në fushën e bujqësisë