ROMË - Çiklisti danez Jonas Vingegaard fitoi të dielën Giro d’Italia, duke u bërë njeriu i tetë në histori që fiton të tre turet e mëdha evropiane.
Vingegaard, 29 vjeç, i cili garon për ekipin Team Visma-Lease a Bike, e përfundoi garën tre javore me një epërsi të përgjithshme prej 5 minutash e 22 sekondash ndaj vendit të dytë, Felix Gall. Jai Hindley u rendit i treti, 6 minuta e 25 sekonda pas fituesit.
Vingegaard fitoi dy edicione radhazi të Turit të Francës në vitet 2022 dhe 2023, triumfoi për herë të parë në Xhiron e Spanjës shtatorin e kaluar dhe tani i shton koleksionit të tij edhe garën italiane.
"Është e jashtëzakonshme. Është diçka që e kam ëndërruar gjatë gjithë jetës sime dhe tani që arrita ta realizoj, është vërtet diçka e veçantë”, tha Vingegaard i emocionuar në intervistën e tij të parë si fitues i 'Giros'.
"Më mungojnë fjalët. Ishte një ditë shumë e veçantë, me kaq shumë njerëz përgjatë rrugës, kaq shumë spektatorë, ishte vërtet e pabesueshme. Të kesh nderin të veshësh fanellën rozë në rrugët e Romës është diçka e veçantë. Këto tri javë të fundit kanë qenë një mënyrë fantastike për ta mbyllur këtë garë.”
Pasi kaloi vijën e finishit në Romë, ai përqafoi bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, të cilët mbanin kopje të fanellës së tij rozë, simbol i liderit të garës.
“Po, kjo është edhe më e bukur, më sjell lot në sy. Ata janë gjithmonë pranë meje”, tha Vingegaard, i cili ka festuar pesë fitoret e tij në etapat e Giros duke puthur fotografinë e familjes së tij që ndodhet në timonin e biçikletës, përpara se të puthte unazën e martesës.
Vingegaard i mori gjithashtu fëmijët me vete në podium, ku iu dorëzua Trofeo Senza Fine (“Trofeu Pa Fund”).
Pasi dominoi Giron e tij të parë dhe justifikoi statusin e favoritit kryesor të këtij viti, Vingegaard tani do të përqendrohet te Turi i Francës, ku do të përpiqet të bëhet njeriu i nëntë që realizon të ashtuquajturin “dyfishi Giro-Tour” brenda të njëjtit vit.
Megjithatë, në atë garë ai do të përballet me një nga talentet më të mëdha të çiklizmit, Tadej Pogacar. Slloveni 27-vjeçar, i cili e anashkaloi Giron për t’u fokusuar në shtimin e titujve të tij në Turin e Francës, u bë në vitin 2024 njeriu i parë pas 26 vitesh që realizoi dyfishin Giro-Tour.
Etapa e fundit e së dielës, kryesisht ceremoniale dhe e përbërë nga tetë xhiro nëpër Romë, u fitua nga specialisti i sprintit Jonathan Milan.
Rruga prej 130 kilometrash nisi në Romë, vazhdoi drejt bregdetit dhe më pas u kthye në kryeqytetin italian për qarkun përfundimtar.
Atmosfera ishte aq e qetë sa çiklistët u panë duke ndarë mes tyre një kuti me ëmbëlsira në fillim të etapës, përpara se t’u shërbehej edhe Prosecco, vera italiane me gaz. Ata gjithashtu pozonin për fotografi ekipore gjatë rrugës drejt detit.
Milan, të cilit më herët gjatë garës i kishin dështuar disa përpjekje për fitore etapash, më në fund arriti triumfin e tij. Italiani mposhti në sprint bashkëkombësin Giovanni Lonardi dhe francezin Paul Penhoët.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që e mbyll këtë Giro në këtë mënyrë,” tha Milan. "Është e mrekullueshme. Pas tri javësh në kërkim të kësaj fitoreje, të fitosh etapën e fundit në Romë do të thotë se kemi qëndruar të fokusuar, nuk jemi dorëzuar kurrë, kemi luftuar gjithmonë për fitoren dhe kemi besuar vazhdimisht te vetja dhe te njëri-tjetri.”
Komente









