TIRANE - Vjen dorëheqja e parë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pas skandalit që përfshiu institucionin më të lartë financiar në vend me vjedhjen e thesarit të shtetit. Është Adrian Civici, i pari nga anetare, që depozitoi këtë mëngjes në Kuvend dorëheqjen nga ky post. Me Fullanin e arrestuar, me dorëheqjen e Civicit, dhe me mungesën prej nente muajsh te 2 anëtarë që nuk janë zevendesuar nga Kuvendi, Këshilli Mbikëqyrës aktualisht funksionon me 5 anëtarë, nga 9 që duhet të kishte.

Civici për A1 REPORT: Vendim personal, e kisha në kokë që ditën që ndodhi ngjarja
Në një lidhje telefonike për A1 REPORT, menjëherë pasi depozitoi në Kuvend dorëheqjen e tij, Civici shpjegoi arsyet e këtij vendimi. Ai tha se e kishte menduar dorëheqjen që kur ndodhi skandali në bankën qendrore, por vendosi për të lënë postin tashmë që situata u stabilizua.

Cilat janë motivacionet që keni paraqitur në shkresë drejtuar Kuvendit? 
Për t’i hapur rrugë forcimit të Bankës së Shqipërisë, në kryerjen e misionit të saj shumë të rëndësishëm, stabilitetin financiar dhe monetar të vendit njëkohësisht dhe për arsye shëndetësore personale.
 
Ka një vendim kolektiv nga anëtarët e tjerë të Këshillit?
Është vendim personal, unë e kisha deklaruar me dhe më parë. Ishte vendim që e kisha në kokë që ditën e parë që ndodhi ngjarja se njeriu ndjen përgjegjshmëri për atë gjë që bën, por për vetë situatën si rrodhën... tani që situata u stabilizua dhe banka filloi një proces të rëndësishëm”, shprehet Adrian Civici në një prononcim për A1 REPORT.

Sakaq, Shqiptarja.com mëson se në letrën drejtuar Kuvendit, Civici ka dhënë edhe shpjegimet përkatëse për marrjen e këtij vendimit. "Dorëhiqem për t’i hapur rrugë ristrukturimit të Bankës së Shqipërisë”, -mësohet të ketë argumentuar Adrian Civici dorëheqjen e tij.

letra e civicit derguar kuvendit
(Në foto: Letra e Civicit derguar Kuvendit)


Adrian Civici është anëtari i parë i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që jep dorëheqjen. 

Kule: Nuk dorehiqem....por Kuvendi mund ta shkarkoje
Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës Dhori Kule, e quan personal vendimin e Civicit për t’u dorëhequr dhe thotë se vetë ai nuk do ta marrë një vendim të tillë. Por është Kuvendi ai që mund të sjellë shkarkimin e tij. Dhe kjo pasi, Kule është në konflikt me ligjin për Bankën e Shqipërisë, pasi ka implikim aktiv në politikë.

Rektori i Universitetit të Tiranës, i propozuar nga Partia Demokratike, mund të shkarkohet nga Parlamenti, me propozim te Keshillit te MInistrave, për shkak se gjatë ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka marrë pjesë në veprimtari politike. Gjë që Kule e ka bërë publikisht, si gjatë fushatës së Lulzim Bashës për kryetar Bashkie, gjatë zgjedhjeve parlamentare, etj, në krah të PD.

Sipas Nenit 47 të ligjit për Bankën e Shqipërisë, një anëtar i Bordit të BSH mund të shkarkohet në rast se “gjatë ushtrimit të detyrës në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike”. 



Doreheqja e Civicit, nje dite pasi deshmoi ne Prokurori
Dorëheqja e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, vjen një ditë pasi Civici bashkë me dy anëtarët e tjerë, Dhori Kule e Petraq Milo, dëshmoi në Prokurorinë e Tiranës mbi funksionimin e këtij organi në lidhje me vjedhjen e parave nga thesari i shtetit. 

Keshilli vendosi te Shtunen shkarkimin e Fullanit
Sakaq, ky Këshill, në një mbledhje të jashtëzakonshme mori vendimin për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani, pas arrestimit të tij në lidhje me vjedhjen e thesarit.

ardian civici
*Ne foto: Anetaret e Keshillit Mbikeqyres duke dale nga zyra e guvernatores ne detyre Elisabeta Gjoni, pas mbledhjes qe u propozua shkarkimi i Fullanit

Adrian Civici është Doktor në Shkencat Ekonomike akorduar nga ENSA, Montpellier (Francë, 2002) dhe doktor në ekonomi agrare akorduar nga Universiteti Bujqësor i Tiranës (Tirane, 1989). Në vitin 1995 merr titullin "Profesor i Asociuar" dhe nga viti 2011, mban titullin "Profesor" në shkencat ekonomike.

​Prof. Adrian Civici është rizgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në dhjetor të vitit 2011.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës
1.Ardian Fullani – Guvernator i Bankës së Shqipërisë (i arrestuarr)
2. Elisabeta Gjoni – Zv.Guvernatore e Parë, aktualisht guvernatore në detyrë
3. Ermelinda Meksi
4. Petraq Milo
5. Adrian Civici (dha dorëheqjen këtë mëngjes)
6. Ela Golemi
7. Dhori Kule
8. Anetari qe mungon prej 9 muajsh dhe qe nuk eshte zgjedhur nga Kuvendi
9. Anetari qe mungon prej 9 muajsh dhe qe nuk eshte zgjedhur nga Kuvendi

Kuvendi duhet te platesoje dy vendet vakante prej nente muajsh në Këshillin Mbikëqyrës, që kanë mbetur bosh pas përfundimit të mandateve të Arjan Kadaresë dhe Halit Xhafës. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)