Tiranë - Çmimet mesatare të artikujve kryesorë ushqimorë në fund të kësaj jave në tregjet e vendit ishin të qëndrueshme, kundrejt një jave më parë, sipas treguesve statistikorë nga dikasteri i Bujqësisë.
Në tregjet e kryeqytetit çmimet e perimeve të stinës rezultojnë të jenë 10-20 lekë/kg më të lira se në fillim të javës së kaluar. Sipas specialistëve të bujqësisë, moti i ngrohtë dhe me temperatura të larta ka favorizuar rritjen e prodhimit vendas bujqësoë, duke shtuar sasinë e këtij prodhimi në tregjet e vendit dhe ulur çmimin e shitjes. Ndërsa me rritje të çmimit sipas treguesve statistikorë, rezultojnë prodhimet e importit, ku kryesojnë frutat me një rritje prej 3,2 lekë/kg.
Ushqimet industriale si sheqer, vaj, miell etj, prej javësh ruajnë qëndrushmëri të çmimit të shitjes. Ndërkohë që çmimet më të lira për prodhimet bujqësore shënohen në Lushnje, Fier dhe ato më të lartat në Vlorë e Tiranë.
Sipas INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit në muajin tetor 2014 arriti 116.4 %, kundrejt muajit dhjetor 2007. Ndersa në tetor 2014 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1.4%, kur një vit më parë ky ndryshim ishte 1.7%./ATSH/