Megjithëse Banka e Shqipërisë vazhdon të shprehet se rënia e inflacionit do të jetë kalimtare, edhe vetë projeksionet e saj për nivelin e inflacionit në horizontin afatshkurtër dhe afatmesëm janë ulur. Vetë ulja e normës bazë të interesit në minimumin e ri prej 1.25% tregon se ritmet e rimëkëmbjes së çmimeve dhe rritjes ekonomike do të jenë më të ngadaltë. Tashmë, kthimi i inflacionit në objektiv është shtyrë për në fundin e vitit 2018.
Sipas të dhënave të publikuara dje nga Instituti i Statistikave, norma vjetore e inflacionit për muajin prill ishte 0.3%, po aq sa në muajin mars. Një vit më parë, shifra e inflacionit ishte 2.3 për qind.

Niveli i preferuar nga Banka qendrore është ai midis 2 dhe 4 përqindëve. Në këtë zonë, prodhuesit kanë interes të rritin prodhimin dhe kërkesa nga konsumatori është e lartë.
Ndikimin kryesor në rënien e inflacionit vijon ta japë grupi i Ushqimeve, ku inflacioni zbriti në nivelin 2%, ndërkohë që një vit më parë kishte qenë 5.2%. Për shumicën e grupeve, inflacioni vijon të jetë shumë i ulët, madje për disa grupmallra qëndron në vlera negative. Kështu, grupet “Veshje dhe këpucë”, Transporti” dhe Shëndeti” po regjistrojnë vlera negative të inflacionit prej rreth një viti, çka nënkupton çmime më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Inflacioni qëndron kështu në vlera shumë të ulëta për të katërtin muaj radhazi dhe ekonomia shqiptare ngelet pranë pragut të deflacionit. Krahasuar me muajin prill 2015, sipas INSTAT-it, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4.8% pasuar nga grupi, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2%, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 1.7%, etj. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 22.3%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet“ me 6.1%, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 1.4%, nëngrupi “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 1.3%, etj. Çmimet e nëngrupit “bukë e drithëra” u ulën me 1.3%, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djath e vezë” me 1.1%, “mish” me 0.7%, etj.

Në fillim të këtij muaji, duke njoftuar uljen e 15-të radhazi të normës bazë të interesit, guvernatori Gent Sejko pohoi se “informacioni i ri ekonomik dhe monetar i muajve të fundit ka qenë përgjithësisht në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Rritja ekonomike e tremujorit të katërt të vitit 2015 rezultoi disi më e ulët se parashikimi, ndërsa inflacioni i tremujorit të parë të vitit 2016 shënoi një rënie të fortë dhe të papritur si pasojë e goditjeve të ofertës”.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Por ambienti i jashtëm shfaqet i përkeqësuar – si në drejtim të rritjes së eksporteve tona, ashtu edhe në drejtim të presioneve dezinflacioniste që burojnë prej tij – ndërsa besimi dhe klima e biznesit në ekonominë shqiptare vazhdojnë të mbeten të luhatshme, deklaroi guvernatori. Këto zhvillime, sipas tij, tentojnë të ngadalësojnë shpejtësinë e kthimit të ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv.




Redaksia online
A.N shqiptarja.com