Vetëm një muaj luftë në Lindje të Mesme, me pasojë rritjen e shpejtë të çmimit të hidrokarbureve, është përkthyer në më shumë të ardhura për arkën e shtetit.

Shifrat paraprake tregojnë se vetëm në mars nga TVSH-ja në import, u mblodhën 144.8 milionë euro nga 136.1 milionë euro që ishte vlera në marsin e 2025-ës, duke u rritur me afro 8.7 milionë euro.

Kontributi kryesor në rritjen e të ardhurave nga TVSH-ja ka dhënë shtrenjtimi i karburantit, pasi sa më shumë të rritet çmimi i naftës apo benzinës aq më tepër është vlera e TVSH-së prej 20% që paguhet. (P.sh. Kur 1 litër naftë është 200 lekë TVSH është 40 lekë, ndërsa kur çmimi i naftës është 170 lekë TVSH e paguar është 34 lekë).

Të ardhurat nga TVSH-ja e karburantit u rritën me 3.9 milionë euro në muajin mars, duke kontribuar me 45% në rritjen e të ardhurave nga ky tatim. Njëkohësisht ka ndikuar edhe shtimi i karburantit të importuar, pasi vetëm në mars të dhënat e doganave tregonin se janë zhdoganuar 56 mijë e 903 tonë karburant, afro 2 mijë tonë më shumë se vjet.

Çmimi i naftës me pakicë gjatë muajit mars u rrit në 218 lekë për litër, nga 173-175 lekë që shitej në shkurt ende pa nisur lufta në Iran. Deri më tani çmimi më i lartë i naftës është regjistruar në 3 prill, duke shkuar në 233 lekë litri, por me uljen e akcizës me 20% nga qeveria, çmimi që u pagua nga konsumatorët ishte 224 lekë.

Ndërsa të ardhurat nga akciza në mars ishin 51.4 milionë euro, nga 53.4 milionë euro vjet, duke u ulur me 2 milionë euro, me ndikimin negativ të importit të cigareve, ndërsa zërat e tjerë të karburantit apo alkoolit patën efekt pozitiv.

Qeveria ka deklaruar se çdo e ardhur shtesë që do të vijë si rezultat i rritjes së çmimeve do të shkojë në fondin e pensioneve për ti rritur ato, qoftë përmes bonuseve mujore, apo edhe ndërhyrjeve direkte në skemë.

TË ARDHURAT NGA TVSH-JA NË IMPORT
Mars 2025            136.1 mln euro
Mars 2026            144.8 mln euro
Diferenca               +8.7 mln euro
 
Karburant   +3.9 mln euro
Metale bazë +2.2 mln euro
Veshje tekstili +1.1 mln euro
Energjia elektrike    -2.7 mln euro
Cigaret                   -773 mijë euro

 

TË ARDHURAT NGA AKCIZA
Mars 2025            53.4 mln euro
Mars 2026            51.4 mln euro
Diferenca               -2 mln euro