“Sa herë mbushni makinën, nuk po paguani vetëm naftë, por edhe 7 taksa.” Me këtë mesazh, Erisa Xhixho reagoi të mërkurën për çmimin e lartë të karburantit në vend.
Deputetja e Partisë së Lirisë kërkon pezullimin e taksës së qarkullimit dhe të karbonit, duke thënë se kjo do të sillte ulje të menjëhershme të çmimit.
Sipas saj, rritja e naftës ndikon zinxhir edhe te çmimet e produkteve bazë si buka, mielli, vaji dhe ushqimet e tjera, ndërsa shton se zgjidhja nuk është te bordet, por te ulja e taksave.
Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos
"Sot çmimi i naftës ka shkuar në 2000 lekë të vjetra për litër. Nëse furnizoni makinën me 20000 lekë te vjetra , do të mbushni rreth 10 litra. Por nëse nafta nuk do të kishte taksa, me të njëjtën shumë do të mund të mbushnit rreth 25 litra. Pra, me të njëjtat para, makina juaj do të kishte më shumë se dyfishin e naftës. Arsyeja është e thjeshtë: rreth 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat. Kjo do të thotë se për çdo 2000 lekë që paguani, rreth 1200 lekë te vjetra janë taksa, ndërsa pjesa tjetër është vetë nafta. Për këtë arsye, kemi propozuar në Kuvend pezullimin e taksës së qarkullimit dhe të karbonit, si masa që do të ulte menjëherë çmimin e naftës. Mos harroni: me rritjen e çmimit të naftës, rriten edhe çmimet e produkteve bazë si buka, mielli, vaji, orizi dhe çdo produkt ushqimor. Historia e bordeve të dështuara nuk është zgjidhje; e vetmja zgjidhje është ulja e taksave. Mos harroni: sa herë mbushni makinën me naftë, nuk po paguani vetëm për naftën, por edhe për 7 taksat" tha ajo.
Pak ditë më parë Partia e Lirisë i kërkoi kuvendit që të miratojë Kuvendi duhet të miratojë me urgjencë projektligjin e propozuar prej saj që pezullon Taksën e Qarkullimit dhe të Karbonit. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PL-së Tedi Blushi, këto masa do të ulnin çmimin e karburanteve përballë rrezikut të përshkallëzimit të pasojave që po reflekton në vendin tonë konflikti në Lindjen e Mesme.
Komente











