“Shqipëria ka çmimin më të lartë të naftës”, ishte shqetësimi kryesor i PD për krizën energjitike. Në interpelancën e kërkuar me Karakaçin, Eno Bozdo tha se vendi nuk ka një rezervë sigurie, ndërsa ministri i Energjisë u përgjigj se verifikimi është kryer dhe po ribëhet për shkak të situatës. Ai tha se rezerva përdoret vetëm në rast rreziku dhe Shqipëria nuk ka pasur ndërprerje të furnizimit me naftë.

“Është ngritur grupi i punës që ka për detyrë të kryejë verifikimin në terren për të gjitha kompanitë. Rezerva hidrokarbure mbahet nga shoqëritë. Rezervat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për shkak të situatës së veçantë, është ngritur sërish grupi i punës pas 2 muajsh që të bëjë të gjtha verifikimet. Sa i përket planit afatgjatë, tashmë është publikuar plani për rezervën hidrokarbure. Është një draft i konsultuar dhe i dakordësuar me BE që vendos një standard të ri për Shqipërinë sepse rezerva menaxhohet nga agjencitë shtetërore. Rezervat përdoren kur ka mungesa në treg. Qeveria siguron se nuk ka pasur pengesa në furnizim dhe vendi ynë nuk është i ekspozuar ndaj rrezikut. Sa i përket akuzës për mungesë transparence, është politike dhe s’i përgjigjet realitetit sepse jemi ulur me të gjitha grupet e interesit dhe kemi diskutuar për situatën”, tha Karakaçi.

Bozdo kërkoi ulje të çmimit të naftës, ndërsa i tha Karakaçit se nuk u përgjigj nëse ka apo jo rezervë sigurie. Sa për mungesën e rrezikut, tha se si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria mund të bëhet pjesë e konfliktit.

“Keni 90 ditë porosi për konsum. Çështja është a kemi apo jo rezervë sigurie. Keni çuar inspektoratin tuaj dhe i keni dhënë letrat dhe u keni thënë firmosni që keni kaq dhe mbyllet kjo histori. Tani që u hodh çështja që na duhet një rezervë sigurie, keni kontaktuar gjithë grosistët e naftës dhe keni thënë që flisni me Ron Yeffet që s’i mjaftojnë 300 mln euro e KAYO-s. Ne jemi barsaletë, jo vend serioz, një vend që mund të përfshihet në konflikt se mund të përfshihet NATO. Ata që ju kanë gënjyer duhet të përballen me ligjin dhe ata që s’janë bindur, duhet të përgjigjen para ligjit se kemi të bëjmë me një çështje që prek sigurinë tonë kombëtare”, tha Bozdo.

Më tej, ai i kërkoi ministrit të Energjisë dakordësim për një auditim të pavarur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për rezervën e sigurisë. Gjithashtu tha se duhet të propozohet një model tjetër për ruajtjen e saj që nuk rëndon xhepat e qytetarëve.

“A bini dakord t’i kërkojmë KLSH të bëjë një auditim të pavarur për rezervën e sigurisë dhe nëse rezulton që kemi 1 gram, do të dal këtu të kërkoj falje. A mund ta autorizojmë KLSH të bëjë auditim ligjor? Ka shumë modele për të mbajtur rezervën e sigurisë. Mos hajdeni këtu me modelin që rëndon 100% xhepat e shqiptarëve. Më e mira është një kombinim i modeleve që shqiptarët të mos paguajnë më për një çmim nafte që është në nivele stratosferike”, tha Bozdo.

Në përgjigje, Karakaçi tha se modeli jep garanci për rezervën, ndërsa sa për modelin, mund ta mbajë shteti ose privati.

“Ne e dimë që modeli aktual nuk është në përputhje me BE, por jep garancinë absolute të rezervës absolute. Ju thoni që ka modele të tjera, dy janë modelet, e mban shteti ose privati. Edhe ky ligj hyn ndër aktet që jemi duke e shqyrtuar. Në çmimin fundor të karburantit është  e përfshirë edhe mbajtja e rezervës së hidrokarbureve”, tha Karakaçi.

Përgjigjja e tij u kundërshtua nga Bozdo që i tha se Greqia e financon nga buxheti i shtetit mbajtjen e rezervës, ndërsa ritheksoi bindjen se vendi s’ka asnjë rezervë sigurie.

“Ka vende që mbajtjen e rezervës së sigurisë nuk ia kalojnë konsumatorëve, por e mban buxheti i shtetit, Greqia për shembull. Për ç’arsye doni ta kaloni çdo kosto te qytetari dhe çdo fitim te buxheti i shtetit? Nëse del që ka rezervë sigurie, do të kërkoj falje, por në dijeninë time, kemi zero rezervë sigurie”, përfundoi Bozdo.