Gazment Bardhi ka kërkuar që policia të ndalë përgjigjen me fishekë gome ndaj protestuesve, të cilët deri më tani efektivët i kanë përdorur në vetëm një rast.

Kreu i grupit të PD kërkon hetim për çdo urdhër e veprim të paligjshëm dhe përgjegjësi. Ai bën thirrje që studentët të dëgjohen e respektohen, si dhe të trajtohen kërkesat e tyre.

Reagimi i plotë:

Përdorimi i plumbave të gomës kundër studentëve vë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë e tyre. Ndaleni menjëherë këtë dhunë! Çdo urdhër dhe çdo veprim i paligjshëm duhet të hetohet, dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi personale e ligjore.

Përdorimi i forcës dhe i armëve kundër të rinjve që ngrejnë zërin ka kaluar çdo kufi të pranueshëm. Studentët nuk heshten me plumba dhe nuk mposhten me dhunë. Zëri i tyre duhet dëgjuar, të drejtat e tyre duhen respektuar dhe kërkesat e tyre duhen trajtuar me përgjegjësi.

Ndalni dhunën. Respektoni studentët. Asnjë pushtet i korruptuar nuk është mbi të drejtat dhe jetën e qytetarëve!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:10
Protestat e dhunshme në Tiranë, Blushi: Orë vendimtare për Shqipërinë! Përshkallëzimi, e vetmja zgjidhje për largimin e Ramës nga pushteti

Për Partinë e Lirisë, përshkallëzimi i revoltës është e vetmja rrugë dhe e vetmja zgjidhje për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Sekretari i përgjithshshëm i kësaj force politike, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat thotë se largimi i Ramës nga pushteti është kusht për rikthimin e normalitetit demokratik, ndërsa bën thirrje të mos bëhet asnjë hap pas dhe që të gjithë të solidarizohen me studentët.

Duke i cilësuar këto orë si vendimtare për Shqipërinë, Blushi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’u bashkohen protestave të dhunshme që po zhvillohen në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.

Reagimi i plotë i Blushit:

Partia e Lirisë shpreh solidaritetin e plotë me studentët dhe gjimnazistët që janë ngritur në protestë historike për lirinë, demokracinë, dinjitetin, të drejtat dhe të ardhmen e tyre.

Beteja e tyre është beteja e çdo të riu, e çdo pedagogu, e çdo prindi dhe e çdo shqiptari që refuzon të jetojë nën Narkoregjimin kriminal të dhunës, arbitraritetit dhe korrupsionit që ndërtoi Edi Rama.

Këto janë orë dhe ditë vendimtare për çlirimin e Shqipërisë nga një regjim barbar, që duhet shporrur një orë e më parë.

Përballë një regjimi gjakatar, solidariteti me studentët është më i domosdoshëm se kurrë.

Përshkallëzimi dhe vetëm përshkallëzimi i revoltës është e vetmja rrugë dhe e vetmja zgjidhje për t’u çliruar përgjithmonë nga një organizatë kriminale që qeveris me dhunë, nuk ngopet me vjedhje dhe kërkon të qëndrojë në pushtet me gjakosjen e të rejave dhe të rinjve të Shqipërisë.

Partia e Lirisë dënon me vendosmëri dhunën çnjerëzore fashiste, torturat kolektive naziskine, gjakosjen barbare të ushtruar nga Narkopolicia ndaj studentëve, studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve.

Keqtrajtimet brutale, rrahjet, rrëmbimet dhe arrestimet e paligjshme dhe përdorimi brutal i dhunës kundër të rinjve që protestojnë janë akte thellësisht kriminale, që kanë për autor dhe urdhërdhënës vetëm Edi Ramën, pushteti i të cilit meriton të shkërmoqet dhe të shembet nën këmbët e studentëve dhe të sovranit.

Rekrutimi i banditëve dhe mercenarëve të maskuar, që ushtrojnë dhunë në emër të Narkoshtetit dhe janë gati të derdhin gjak për mbrojtjen e karriges së Edi Ramës e bën të domosdoshme bashkimin dhe solidaritetin me studentët.

Nuk ka shtet ligjor me maska dhe nuk ka rend demokratik kur banditë dhe mercenarë të paguar me paratë e zeza të korrupsionit dhe krimit të organizuar përdoret për të terrorizuar qytetarët, për të mbjellë panik dhe kaos.

Terrori i maskave të banditëve dhe mercenarëve të mafias nuk është shenjë forcë por tregues i panikut të Narkoregjimit gjakësor të Edi Ramës, në orët dhe ditët e fundit.

Partia e Lirisë i bën thirrje çdo të riu, çdo studenti e gjimnazisti, çdo pedagogu, çdo mësuesi, çdo prindi dhe çdo shqiptari që të qëndrojë në krah të protestës dhe të dalë masivisht në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo shesh dhe në çdo qytet të Shqipërisë.

Sot, më shumë se kurrë, kërkohet solidaritet, guxim dhe qëndresë e pandalshme qytetare dhe përshkallëzim të protestës dhe revoltës.

Studentët po mbrojnë jo vetëm të ardhmen e tyre, por edhe dinjitetin e shoqërisë dhe të drejtën për të jetuar në një Shqipëri të lirë.

Përballë dhunës fashiste dhe arrogancës kriminale të Narkopushtetit, heshtja dhe indiferenca nuk është zgjidhje.

Është koha që të gjithë shqiptarët të bashkohen kundër një regjimi mafioz që kërkon të vazhdojë të sundojë përmes frikës, dhunës dhe hajdutërive të panumërta.

Edi Rama është piromani i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë.

Me Edi Ramën nuk mund të ketë as paqe dhe as negociata politike!

Nuk mund të ketë kompromis me Narkoshtetin, me mafian, me bandat, me kartelet e drogës, me dhunën dhe korrupsionin.

As normalitet demokratik për sa kohë qytetarët shtypen me dhunë dhe të rinjtë keqtrajtohen barbarisht për shkak se protestojë për liritë dhe të drejtat e tyre themelore.

Edi Rama është përgjegjësi dhe autori kryesor i shpopullimit dramatik të Shqipërisë, i dëbimit me dhunë të të rinjve, për plaçkitjen e financave dhe pasurive private e publike të shqiptarëve.

Edi Rama është armiku më i egër i shqiptarëve dhe i shtetit të së drejtës, pengesa kryesore për integrimin europian të vendit.

Edi Rama është e keqja më e madhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Largimi i tij nga pushteti është kusht për rikthimin e normalitetit demokratik.

Të gjithë në këmbë në mbështetje të studentëve për të shembur nën këmbët e tyre dhe të sovranit narkoregjimit mafioz, më të pabesë dhe antishqiptar të Edi Ramës.

Antishqiptari dhe i pabesi, Edi Rama, plaçkitësi më barbar i Shqipërisë, pronave dhe miliarda eurove të shqiptarëve, që sot bën sikur i qan shpirti për pesë xhama të thyer dhe hap rubrikën e hipokrizisë “dëmi im”, duhet të marrë përgjigjen e merituar për dëmin e pallogaritshëm që u ka bërë shqiptarëve, Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për shpëtimin e Shqipërisë.

Asnjë hap pas!

Të gjithë në krah të studentëve!

Të gjithë në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, në mbrojtje të Shqipërisë dhe të kombit!

Triumfi i lirisë është më pranë se kurrë!