Komisioni i Ligjeve miratoi aktin normativ për uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri. Kjo lehtësi fiskale që do të jetë në fuqi deri në përfundim të situatës së krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme, u aplikua për herë të parë më 3 prill, kur çmimi i naftës arriti 233 lekë, por me uljen e akcizës u pagua nga qytetarët 224 lekë për litër.

“Për të mbrojtur konsumatorët dhe për të mbajtur në kontroll çmimet e shitjeve të gazoil dhe benzinës është propozuar që niveli i akcizës të ulet me 20% përgjatë kohëzgjatjes së periudhës së veçantë. Në total ulja e taksave për një litër është 9.5 lekë pasi kur ulet akciza, ulet edhe TVSH-ja e aplikuar. Për naftën akciza ulet kur kalon mbi 220 lekë litri, për benzinën kur kalon 200 lekë/litri”, tha Andi Mehmeti zëvendësministër i Financave.

Për shkak të rritjes së çmimeve buxheti i shtetit ka përfituar më shumë para se parashikimet, pasi ka mbledhur më shumë taksa. Afro 5 milionë euro është përfitimi aktual tha zëvendësministri i Financave Andi Mehmeti, ndërsa humbja prej uljes së akcizës është minimale.

“Efekti pozitiv është 553 milionë lekë të ardhura, shtesë por ka pasur edhe rritje të sasisë së importuar në konsum me rreth 2 mijë tonë, ose 3% më shumë se në mars të 2025. Gjithsesi efekti pozitiv i çmimeve në të ardhura është 553 milionë lekë. Ndërsa efekti negativ për periudhën 1-24 prill nga akciza është vetëm 37 milionë lekë për këtë periudhë, nga ulja ne 20%”, tha Mehmeti.

Në komisionet parlamentare u shqyrtua edhe nisma e deputetit të PD-së Eno Bozdo për të ulur taksën e qarkullimit.

Por ulja e kësaj takse mori ‘karton të kuq’ në Komisionin e Ekonomisë pasi mazhoranca argumenton se masat e marra deri më tani nga qeveria janë të mjaftueshme për të mbajtur situatën në kontroll.