Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë të hënën në Kuvend një projektligj që detyron qeverinë që në rast krizash energjitike nga situata globale, të marrë automatikisht masa për të mbajtur nën kontroll çmimet e karburantit.
Nisma vjen në kuadër të luftës në Lindjen e Mesme që është reflektuar në rritjen e çmimit të naftës dhe ushqimeve.
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Eno Bozdo, tha se nevojitet një mekanizëm detyrues që ndihmon shqiptarët dhe ekonominë kombëtare.
Gjithashtu, i bën thirrje Autoritetit të Konkurrencës të monitorojë kompanitë dhe të ndërhyjë menjëherë në rast abuzimi me çmimet.
“Ndërsa çmimi i një litri karburant në Shqipëri po i afrohet me shpejtësi nivelit të 200 lekëve të reja për litër dhe çmimet e ushqimeve bazë të shportës po rriten gjithashtu, në këtë situatë vërtet shqetësuese dhe me pasoja për ekonominë familjare dhe atë kombëtare, i vetmi akt që qeveria shqiptare bën për t’u përballur më këtë situatë, është një kafe pune me grosistët e naftës, si dhe siguria e dhënë sa për të larë gojën se qeveria “…është duke monitoruar nga afër situatën..”.
Me sa duket, qeveria shqiptare ende nuk ka kuptuar se ne ndodhemi në mes të një krize të përmasave globale, dhe reagimi i shpejtë është i domosdoshëm!
Në këtë krize që po shpaloset për të gjithë, vendet e BE-së, në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë (ANE), po bashkëpunojnë intensivisht duke marrë masa të cilat synojnë mbrojtjen e qytetarëve evropianë dhe ekonomisë së BE-së nga përshkallëzimi i çmimeve të karburantit dhe për rrjedhojë, shtrenjtimi i të gjitha produkteve ushqimore bazë.
Kështu, në një vendim urgjent, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, (ANE) miratoi planin për të lëshuar 400 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike të saj. Kësraj kërkese iu bashkua menjëherë Gjermani dhe Austria, duke zyrtarizuar lëshimin e rezervave strategjike të naftës. Japonia gjithashtu ka ndërmarrë hapa e saj duke lëshuar edhe ajo këto rezerva, me qëllim normalizimin e furnizimit me lëndë djegësi si dhe qetësimi i çmimeve të naftës në bursat botërore.
Por gjithashtu, masa të menjëhershme dhe efikase po marrin vendet fqinjë me ne. Greqia ka ngritur borde të cilat kontrollojnë dhe minimizojnë fitimet e kompanive të tregtimit të karburanteve dhe të ushqimeve bazë të shportës, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka shpallur emergjencë energjetike dhe po lëshon në treg rezervat e saj të naftës.
Ndërkaq, Komisioneri Europian për Energjinë, Dan Jørgensen, doli publikisht me një thirrje të fortë drejtuar vendeve anëtare të BE-së që ato të ulin menjëherë taksat mbi energjinë — përfshirë akcizat mbi karburantet — për të përballuar rritjen e çmimeve të shkaktuar nga lufta në Iran dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit.
Qeveria italiane njoftoi zyrtarisht se po punon për të riaktivizuar mekanizmin e njohur si « Akciza e ndryshueshme » (açisa mobile), mekanizëm i cili ul automatikisht akcizën kur rritet çmimi i naftës bruto (crude oil). Ky mekanizëm funksionon duke përdorur të ardhurat shtesë nga TVSH-ja që rriten kur rritet çmimi i naftës, ku qeveria është përfitues i vetëm.
Nga ana tjetër qëndron qeveria shqiptare, e cila për momentin nuk ka asnjë ide, dhe nuk dimë të ketë shprehur asnjë inisiativë për të vënë në zbatim këto mekanizma që vendet e BE-së dhe fqinjët tanë në rajon po ndërmarrin.
Është shumë shqetësues fakti se qeveria shqiptare, edhe pse fiton më shumë kur çmimi i naftës rritet, nuk ka ndërmend t`i përdorë këto të ardhura shtesë të pamerituara për qytetarët e saj.
Por ka edhe një fakt tjetër po aq shqetësues: rezervat e naftës! Angazhimi ynë pranë Agjencisë Ndërkombëtare te Energjisë si dhe ndaj Direktivës përkatëse të BE-së sanksionon detyrimin ligjor që kompanitë shqiptare të mbajnë një rezerve të naftës të barabartë me 61 ditë konsum apo 90 ditë importe.
Për fat të keq, është e vështirë sot të imagjinojmë se një rezervë e tillë ekziston dhe se mund të aktivizohet me kërkesën më të parë nga qeveria, në kushtet e emergjencës energjitike.
Pra, ndërsa të gjitha vendet e BE praktikisht po vrapojnë të ngrenë pa humbur kohë, instrumentet për t’u përballur me krizën që po troket, me synim të vetëm të mbrojtjes së qytetarëve të tyre dhe ekonomisë kombëtare, qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë hap të tillë!
Ditët e fundit, rritjet e menjëhershme dhe të njëkohshme të çmimit të naftës nga të gjithë tregtarët, treguan se kjo rritje është e organizuar, dhe me shumë gjasa përmban elementë të kundraligjshëm. Për këtë i bëjmë thirrje Autoritetit të Konkurrencës të monitorojë sjelljen e kompanive në këtë treg nga shumë afër dhe të ndërhyjë menjëherë në rast se verifikohet situate kartel dhe abuzimi me çmimin e naftës si edhe të ushqimeve bazë të shportës.
Nuk është hera e parë që përballë krizave botërore, qeveria e Edi Ramës nuk reagon. Rasti i fundit ishte pandemia Covid, kur përveç ndalim-qarkullimit, masat e tjera ishin inekzistente. Për pasojë, gjatë pandemisë, qeveria u pasurua vërtet nga rritja e çmimeve, por vetëm pak përqind të këtyre të ardhurave iu kthyen qytetarëve dhe ekonomisë mbrapsht.
Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Përgjigjia ndaj krizave nuk mund të jetë humori i qeverisë dhe Edi Ramës. Qytetarët paguajnë taksa për t’u mbrojtur në situata të tilla dhe për të mos u lënë në mëshirë të fatit. Për këtë arsye, ditën e hënë, grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në Kuvend një projektligj që e detyron qeverinë, në rastin e krizave energjetike të shkaktuara nga situatat globale - forcave madhore, të marrë automatikisht masa për të mbajtur nën kontroll çmimet e karburantit.
Me anë të këtij projektligji ne synojmë të zgjidhin atë që të gjitha qeveritë e rajonit dhe BE-së e vetëzgjidhin, si pasojë e detyrimit të tyre për t`i shërbyer qytetarëve të vet.
Sepse kur qeverisë nuk ia ndien, në duhet të kemi një mekanizëm detyrues që ndihmon shqiptarët dhe ekonominë kombëtare! Është detyrim i opozitës t’u japë zgjidhje ligjore situatave të tilla, kur qartazi mungon vullneti i qeverisë për këtë!
Ju faleminderit!”
Sot, çmimi i naftës luhatet nga 192 lekë e deri në 196 lekë për litër. Megjithatë, në raport me situatën para nisjes së luftës, çmimi për një litër naftë është 25 lekë më shtrenjtë.
Komente










