GJKKO, Apeli i Posaçëm dhe Gjykata e Lartë kanë arsyetuar mjaftueshëm për faktet që kanë shërbyer si bazë për caktimin dhe lënien në fuqi të masës “arrest në burg” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në kuadër të hetimeve për abuzime me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që mbante detyrën e Koordinatorit Kombëtar për Instrumentin e Paraaderimit të Asistencës Financiare të Bashkimit Evropian.
Në këtë konkluzion ka arritur Gjykata Kushtetuese, e cila më 28 janar rrëzoi kërkesën e Beqajt për shfuqizimin e masës “arrest në burg”, të cilën e vuan prej 4 korrikut 2024 në paraburgimin e Durrësit.
Sipas Kushtetueses, “gjykatat e zakonshme nuk e kanë justifikuar vazhdimin e paraburgimit të kërkuesit vetëm mbi ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se ai ka kryer veprat penale, por kanë dhënë edhe arsye të tjera të veçanta, të tilla si rreziku i marrjes dhe manipulimit të provave, rreziku i largimit, rreziku i arratisjes së kërkuesit, si dhe, megjithëse i vogël, rreziku që kërkuesi të kryente vepra të tjera penale, arsye këto të përshtatshme dhe të mjaftueshme në aspektin kushtetues dhe konventor për justifikimin e vazhdimit të paraburgimit të një individi”.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Beqaj këmbëngul se paraburgimi i tij është i tepërt pasi më herët, ka treguar korrektësi ndaj Drejtësisë, duke zbatuar me përpikmëri masën e “detyrimit të paraqitjes”, të caktuar ndaj tij në një tjetër hetim, atë të Dosjes së “Sterilizimit”, të cilën ai as nuk e kishte ankimuar. Por Gjykata Kushtetuese mendon se korrektësia e ish-ministrit në atë rast “jo domosdoshmërisht tregon për mungesën e rrezikut të arratisjes në rastin konkret, për më tepër që një fakt i tillë, pra ekzistenca e procedimeve të tjera penale, mund të jetë tregues më së paku jo pozitiv në drejtim të personalitetit të tij’.
“Gjykata vlerëson se urdhërimi i gjykatave të zakonshme për vazhdimin e paraburgimit të kërkuesit duket se është i justifikuar mbi tregues specifikë të një kërkese të vërtetë të interesit publik, e cila, pavarësisht nga prezumimi i pafajësisë së tij, tejkalon rregullin e respektimit të lirisë personale të përcaktuar në nenin 27 të Kushtetutës dhe nenin 5 të KEDNJ-së”,- deklaron Kushtetuesja.
Në ankimimin e tij, Beqaj pretendon se Gjykata e Posaçme e Apelit, kur ka shqyrtuar ankimimin e masës së arrestit në burg të caktuar GJKKO e Shkallës së Parë ndaj ish-ministrit, gabimisht sipas tij, i ka shtuar një tjetër vepër penale të pakualifikuar nga vetë SPAK, atë të “Falsifikimit të dokumenteve” gjatë kohës që mbante detyrën e Koordinatorit Kombëtar për Instrumentin e Paraaderimit të Asistencës Financiare të Bashkimit Evropian.
Edhe këtë pretendim të Beqajt, Kushtetuesja e rrëzon duke arsyetuar se “GJKKO-ja e Apelit nuk e ka rënduar pozitën e kërkuesit, por ka vlerësuar në mënyrë autonome rëndësinë e fakteve konform natyrës së veprave penale për të cilat ai dyshohet . Arsyetimi i gjykatës në drejtim të nevojave të sigurimit personal nuk përbën rëndim të pozitës të të pandehurit, pasi është organi i akuzës ai që vlerëson gjatë hetimit paraprak se për cilat vepra penale do të ngrejë përfundimisht akuzë”.
Beqaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej më shumë se një viti pasi u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të GJKKO-së pas kërkesës së SPAK.
Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi.
Pasi ish-ministri i Shëndetësisë u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, prokurorët dyshojnë se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.
Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmori më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani.
Përveç hetimit për abuzimit me fondet e SASPAC, Ilir Beqaj është në akuzë për shpërdorim detyre për kontratën koncesionare të sterilizimit.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
-----------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente












