Zv/kryetari i LSI, Luan Rama u shpreh gjatë një lidhje telefonike për Report Tv se dy votat e kësaj force politike në Këshillin Bashkiak, që shkuan për rritjen e çmimit të ujit, nuk përfaqësojnë qëndrimin e LSI.
 
Ai tha se ishte PD ajo që me pjesëmarrjen e saj në fillim, plotësoi kuorumin për nisjen e mbledhjes.
 
Qëndrimi zyrtar i LSI, tha Luan Rama ishte i shprehur më herët për transparencë në mbrojtje të interesit të qytetarëve.
 
“Nuk kam asnjë qëndrim të ndryshëm nga ajo që ka shprehur koordinatorja e këshilltarëve të LSI, i cili konsistonte në bashkëpunim institucional dhe transparencë në funksion të mbrojtjes së interesit të qytetarëve.
 
Kjo për të ofruar kontributin tonë në interes të qytetarëve, prandaj vota atje nuk është votë e LSI.
 
Njërën nuk e njoh fare, më thanë që ka hyrë sot, tjetri ka qenë, ka ikur, ka ardhur prapë. Pra, është një këshilltar shëtitës, është çështje e tij. Por qëndrimi i tij, nuk është qëndrim i LSI. Pavarësisht kësaj nuk është ky qëndrimi i LSI dhe s'konsiderohet votë e grupit të këshilltarëve të LSI.
 
Vota zyrtare e LSI ishte largimi nga mbledhja pa filluar mbledhja. Ndërsa kuorumin për nisjen e mbledhjes e bënë këshilltarët e PD-së. Ne zgjodhëm të mosmarrim pjesë në mbledhje”,
u shpreh Luan Rama.  

Këshilltarët e LSI janë larguar nga Këshilli Bashkiak pa filluar ende mbledhja, ndërsa ata të PD e braktisën atë disa minuta pas nisjes.