ITALI- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një 49-vjeçar shqiptar, baba i tre fëmijëve është rrahur për vdekje në shtëpinë e tij, në qytetin Rocca Priora.
Alarmi është dhënë nga familja e viktimës rreth orës 11.00 të paradites së djeshme. Sipas të dhënave paraprake, 49-vjeçari shqiptar ishte gjetur i pa jetë mbi dysheme dhe kishte disa plagë në fytyrë dhe trup, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga një mjet prerës. Ai ishte një person i njohur dhe i respektuar në zonë.
49-vjeçari shqiptar, identiteti i të cili aktualisht nuk bëhet i ditur, mendohet se është sulmuar nga autori apo autorët sapo ai ishte kthyer në shtëpi pasi kishte çuar njëri prej fëmijëve në kopsht. Disa dëshmitarë e kishin parë edhe në një supermaket para se të ndodhte ngjarja.
Autoritet italiane ka nisur menjëherë hetimet, ndërsa banesa e 49-vjeçarit shqiptar u sekuestrua me qëllim që të kryhen të gjitha kontrollet dhe ekzaminojnë të gjitha provat e mundshme që do të çojnë në zbardhjen e këtij krimi makabër.
Disa media italiane raportojnë se 49-vjeçari kishte precedentë policie për krime ndaj personit. Mësohet se ai i ka qenë edhe frekuentues i lotarive sportive, prandaj dhe hetimet e karabinierëve po përqendrohen në këto mjedise për të rindërtuar orët e fundit të jetës së 49-vjeçarit.