21 nëntori 2026 do të mbetet i shënuar përjetë në karrierën sportive të Lara Colturit, por edhe të Shqipërisë. Skiatorja e cila përfaqëson ngjyrat kuqezi, për herë të parë, ka arritur të triumfojë në një garë të Kupës së Botës, teksa zuri vendin e parë në Slalom-in e Austrisë.

Në pistën e Gurgl, në lëshimin e parë, Colturi u rendit e dyta me vetëm 24 të qindtat pas Anna Larsson. Mirëpo skiatorja e Shqipërisë rikuperoi në lëshimin e dytë kundrejt suedezes, duke shkuar drejt rezultatit historik. Colturi në lëshimin e dytë u rendit e treta, por rikuperoi shumë ndaj Larsson e cila u rendit e 10-a.

Në total pas dy lëshimeve Lara Colturi shënoi kohën 1 minutë, 45 sekonda dhe 47 të qindtat. Vetëm 27 të qindtat më e shpejtë se Sara Hector, por mjaftueshëm për të triumfuar. Për Anna Larsson vetëm vendi i tretë, teksa e mbylli garën me 30 të qindtat pas Lara Colturit.

Me këtë sukses skiatorja e Shqipërisë arriti një tjetër rezultat historik, pasi për herë të parë udhëheq renditjen e përgjithshme në Kupën e Botës. Pas 3 garave të para, dy në Slalom dhe një në Slalom-in Gjigand, Lara Colturi është në kuotën e 260 pikëve, 68 më shumë se Emma Aicher më të cilën ndante kryesimin para garës në Austri. Në vendin e tretë në renditjen e përgjitshme është Sara Hector me 150 pikë, 110 më pak se Lara Colturi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:46
'Krenari për Shqipërinë', Rama për triumfin historik të Lara Colturit: Fitorja e parë në Kupën e Botës në ski alpine

1795103331_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas fitores historike të skiatores Lara Colturi në Kupën e Botës në ski alpine, në garën e zhvilluar në Gurgl të Austrisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar këtë rezultat si një ditë historike për sportin shqiptar, duke theksuar se 20-vjeçarja i dhuroi Shqipërisë triumfin e parë në këtë kompeticion.

Reagimi i plotë: 

Lara Colturi, e para në Kupën e Botës në ski alpine

Një ditë historike për sportin shqiptar! Në moshën 20-vjeçare, Lara Colturi triumfon në slalomin e Gurglit në Austri, duke i dhuruar Shqipërisë fitoren e parë në Kupën e Botës në ski alpine

Pas dy vendeve të dyta në vitet 2024 dhe 2025, Lara ngjitet në majën e podiumit, duke na bërë krenarë të gjithëve