TIRANË- Një ditë para finales Europiane të Conferencë League, Tirana është gati për të pritur mijëra tifozë, e kjo gjë për kryebashkiakun Erion Veliaj është mjaft entuziazmuese. Në një intervistë për Report Tv me gazetaren Elda Lamja, Veliaj tha se kryeqyteti ka marrë vlerësimin maksimal nga UEFA për organizimin e kësaj finale, teksa shtoi se nuk do të tolerohet asnjë akt dhune dhe barbarizmi.

"Tirana ka treguar më të mirë, janë treguar mikpritës, shumë prej tyre kanë qerasur tifozët, kanë hapur shtëpitë, do vazhdojmë këtu. UEFA na ka konfirmuar që jemi qyteti që është përgatitur më mirë në të gjitha aspekt, që nga pastërtia, pritja e tifozëve dhe fakti që kemi marrë këto rezultate, besoj që është një kompliment shumë i madh, nesër do jetë dita më e vështirë, do vijnë kryetarët e Bashkisë së Romës dhe Roterdamin, nuk do të tolerojmë akte të dhunës dhe barbarizmit", tha Veliaj.

Një njoftim shumë të rëndësishëm ka dhënë edhe për qytetarët që përdorin autobusët, duke sqaruar se nuk do të ketë lëvizje në qendër, pasi e gjitha do të shndërrohet në një pedonale të madhe.

"Pjesa qendrore e Tiranës do jetë e gjitha pedonale, do duhet të përdorim arsyen, nuk besoj që mund të japim targat e makinave që do të lejohet, nëse një punë që nuk është urgjente të mos lëvizin në qendër", tha Veliaj në Report Tv.

Ai ka zbuluar se në këtë ndeshje nuk është tifozë më asnjë, por me Tiranën, që shpreson t'ia dalë faqebardhë nga kjo ditë e rëndësishme.

Roma dhe Feyenoord do të përballen nesër në orën 21:00 në “Air Albania”, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane.