Conference League/ Mbërrijnë Roma e Feyenoord! ‘Ndizet’ kryeqyteti, tifozët mbushin rrugët e kryeqytetit, flasin për Report Tv: Shqiptarët, miqësorë (VIDEO)

Një ditë para finales Europiane të Conference League, Tirana është zbukuruar me banderola shumëngjyrëshe për finalen europiane të Conference League te ekipit të Romës dhe Feyenoord, ndërsa pritet që tifozët e tyre të jenë të shumtë. Tifozë holandezë thanë për Report Tv se Shqipëria u pëlqen shumë, ndërsa u shprehen të trishtuar për faktin se nuk arritën të gjenin bileta.

"Jemi me Fyenoord dhe presim të fitojmë.  Do fitojmë me rezultatin 2-1 dhe përsa u përket njerëzve këtu në Shqipëri mund të them se janë të këndshëm".

"Nuk e kam siguruar ende një biletë, por shpresoj ta gjej. Sa i përket çmimeve të hoteleve mund të them se janë normale. Jemi me Feyenoord dhe them se do fitojmë 3-1 finalen", tregojnë tifozët holandez.

"Jam i lumtur që gjendem këtu dhe po e shijojmë këtë atmosferë. Fatkeqësisht nuk kam një biletë për finale, por po kërkoj për të. Është sfida ime që sot të gjej një biletë", tha një tjetër tifoz që ka ardhur nga Arabia Saudite.

Tirana është mbushur me tifozë. Finalja e Conference League ka sjellë këtë të martë me mijëra tifozë nga Holanda, ndërkohë që italianët pjanë më të paktë në numër pasi priten me dhjetëra mijëra nesër! Kryeqyteti është zbukuruar me ngjyrat e bukura të futbollit dhe është gati për ditën historike.

Nga ana tjetër ekipi i Feyenoord ka mbërritur në Shqipëri dhe në orën 19:30 është parashikuar seanca e vetme stërvitore e ekipit holandez, ndryshe nga ekipi italian. Ekipi i Romës mbërrin në orën 16:20 në aeroport që do niset direkt drejt stadiumit për një inespektim të fushës.

Ndërkohë tifozët e parë të Romës dhe Feyenoord, shkelën në tokën shqiptare, mesditën e kësaj të marte. Atmosfera në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” i ngjason stadiumit. Drejtori i Aviacionit Civil, Maksim Ethemaj dhe drejtori i TIA, Costandin Von Albensleben dhanë detaje të fluturimeve.

‘8 mijë tifozë janë me bileta nga UEFA dhe 2200 sponsor që do të mbërrijnë përmes fluturimeve charter. Këta pasagjerë përbëjnë 40 për qind të totalit.’- tha Ethemaj.

‘Mund të vendosen në stende 17 avionë sot dhe 42 avionë nesër për do të doja shumë po mundohemi të kemi maksimumin. Operime fluturime charter dy grupe operacionale janë ngritur për pritjen dhe transferimin e tyre ne Tirane". - u shpreh Ethemaj.

Gjatë së martës do të kryhen 61 fluturime me linja të rregullta dhe charter, ndërsa të mërkurën e finales pritet të kryhen 88 fluturime, prej të cilave 30 janë charter.

Të tjerë tifozë mbërritën në Durrës përmes portit me tragetet e linjës Bari –Durrës, ndërsa me qindra tifozë të Romës pritet të mbërrijnë të mërkurën në mëngjes. Njësitë e antiterrorit do të jenë mes grupeve të tifozërive me bllokues valësh për dronët dhe snajpera në tarraca.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:11
"Shmangni qendrën e Tiranës dhe turmat e tifozëve që mund të krijojnë trazira", ambasada e SHBA-së njoftim për qytetarët amerikanë

Ambasada e SHBA në Tiranë ka bërë një njoftim lidhur me zhvillimin e finales e “Conference League” që do të luhet nesër në stadiumin ‘Air Albania’

Ambasada në njoftimin e saj këshillon personelin dhe qytetarët amerikanë që të shmangin qendrën e Tiranës për shkak të turmave të mëdha të tifozëve që mund të shkaktojnë trazira.

" Ambasada e SHBA-së këshillon fuqimisht qytetarët amerikanë dhe personelin e ambasadës amerikane që të shmangin qendrën e Tiranës dhe zonën e Stadiumit të mërkurën më 25 maj. Për shkak të turmave të mëdha që priten në Tiranë, ju lutemi bëni kujdes në të gjithë qytetin dhe jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj.

Shmangni tubimet e mëdha dhe çdo zonë ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdim.
Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj.
Monitoroni mediat lokale për përditësime.
Mbani një profil të ulët", njofton ambasada. 

Ora 18:55
Tifozët e Feyenoord të bindur për të marrë kupën, flasin për Report Tv: Do fitojmë 3 me 0 (VIDEO)

 

Tifozët e Feyenoord janë të bindur se do të fitojnë kupën e finales së Conference League. Report Tv ishte në Pedonalen e Tiranës, ku tifozët po festojnë me muzikë e birra. Të pyetur për rezultatin e ndeshjes, ata shprehen se do të fitojnë kundër Romës me rezultatin 3 me 0.  

Ora 18:27
Atmosfera në sheshin 'Skëndërbej' dhe 'Pedonalja', Report Tv sjell pamjet, festojnë tifozët

 

Tirana është mbushur me tifozë të cilët presin me padurim finalen e madhe të Conference Leauge. Report Tv sjell atmosferën nga sheshi ‘Skëndërbej’ dhe në zonën e ish-Bllokut, ku duket se tifozët kanë filluar festën që tani.

Ora 18:14
Feyenoord nuk harron legjendën e portës Artur Lekbello (FOTO)

Artur Lekbello mbronte portën e Partizanit të Tiranës në vitin 1991, kur skuadra holandeze e Feyenoord-it vinte për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.

Falë aftësise së Lekbello-s, skuadra nga Roterdami arriti të shënonte vetëm një gol në portën e të kuqve. Që nga ajo ndeshje, ish-portieri respektohet shumë nga skuadra holandeze.

Me këta të fundit që me të mbërritur në Shqipëri kanë takuar menjëherë Lekbello-n, duke i dhuruar një fanellë të Feyenoord-it, e firmosur nga lojtarët

Ora 18:07
Mourinho para finales: ‘Air Albania’ shumë i bukur, i lumtur që jam në këtë 'finale shqiptare'

 

Trajneri i Romës Jose Mourinho ka folur para finales me Fejnordin në ambjentet e stadiumit “Air Albania”. Ai ka thënë fjalë shumë të mira për stadiumin, duke thënë se është shumë i bukur. Mourinjo ka nënvizuar se është shumë i lumtur që është këtu në këtë finale shqiptare.

Ai u shpreh se do bëjnë të pamundurën për të shkruar historinë.

“Në kemi bërë para ndeshjes me Torinon, e kemi thënë që ishte një ndeshje e rëndeshim, ishte e rëndësishme që të dinim që të luajë në finale që të vije këtu qe të dije kush luan kupën dhe kualifikimin, nuk kishim nevojë për këtë tension ekstra, e kemi hequr, u kualifikuam dhe objektivi u arrit, dhe kjo ishte mënyra më e mirë për ne që të mendonim për këtë finale, unë dhe stafi im, që nga e premtja në darkë jemi bashkë në Trigoria. Për të ishte e rëndësishëm që të kishte ndjesi po apo jo, unë kam besim për eksperiencën e tij, është një lojtar i cili njeh mirë trupin e tij dhe njeh ndjesitë. Në fund më tha që ndjehet mirë dhe është në dispozicion për të luajtur”, deklaroi Mourinho.

Ora 17:57
Feyenoord shkel në tokën shqiptare: Mbërritëm në Shqipërinë e bukur

 

“Mbërritëm në Shqipërinë e bukur”. Është ky postimi që shoqëron fotot e uljes së avionit të Feynoord në vendin tonë.

Në postimin e publikuar në Twitter, klubi holandez publikon fotot e lojtarëve që prekin tokën shqiptare. Skuadra do të akomodohet në një nga hotelet e markave të njohura ndërkombëtare në afërsi të “Pallatit me shigjeta”.

Ora 17:50
Roma në Tiranë, skuadra e Murinjos e qeshur nga aeroporti në 'Air Albania'

Pak më shumë se 24 orë më pas skuadra e Romës do të shkelë në tapetin e ‘Air Albania’ për sfidën e madhe kur Feyenoord, por më parë ata duhet ta testojnë stadiumin e kryeqytetit shqiptar.

Udhëtimi i skuadrës së Romës nga Rinasi për në Tiranë duket se ka shkuar pa asnjë problem, teksa autobusi i ekipit verdhekuq ka mbërritur në stadiumin “Air Albania”.   Skuadra e Murinjo tashmë është në fushë.

Ora 17:42
Finalja e Conference League, mbërrin në Tiranë presidenti i UEFA Alexandër Ceferin dhe legjenda Boban (FOTO)

Presidenti i UEFA-s Alexandër Ceferin ka mbërritur në Tiranë në prag të finales së Conference League. Ceferin është i shoqëruar nga legjenda e futbollit Zvonimir Boban. Ata u pritën nga presidenti i FSHF-së Armando Duka.

"Mirëprita pak minuta më parë Presidenti Ceferin dhe legjendën Zvonimir Boban. I garantova se do kalojnë një kohë fantastike në Shqipëri dhe organizimi jonë do të jetë perfekt", shkruan Duka.

Ora 17:28
Në prag të ndeshjes, tifozët e Feyenoord nuk përmbahen (VIDEO)

 

Në prag të finales së Conference League mes Romës dhe Feynoord, në Tiranë janë mbledhur qindra tifozë të cilët po presin me ethe ndeshjen. Report Tv ishte i pranishëm në rrugën ‘Mustafa Matohiti’, një ndër rrugicat më të famshme në kryeqytet, ku ishin mbledhur tifozët e Feyenoord. Siç shihet edhe nga video, tifozët e entuziazmuar kanë nisur festën.

Ora 17:27
VIDEO/ Shikoni se ç’i bëjnë huliganët e Feyenoord autobusit të Romës

 

Duket se sfida midis Romës dhe Feyenoordit do të jetë më e ndezur nga se pritet. Nxehja e situatës ka nisur që sonte.

Shumë prej tifozëve në Tiranë janë edhe huliganë, fakt që mund të krijojë probleme.  Dy prej tyre, të cilët ishin holandezë, kanë përdhosur autobusin e skuadrës italiane, duke kryer nevojat e tyre dhe duke e filmuar këtë skenë, përballë hotelit ku do të grumbullohet skuadra e Romës në Tiranë.

Ora 16:53
‘Mirë se erdhe në Romën e vogël mister Mourinho’, poster gjigant për trajnerin e Romës (VIDEO)


Shqipëria po numëron orët e fundit, para nisjes së finales së madhe të Conference League, e cila do të zhvillohet nesër në “Air Albania”, ku Roma do të përballet me skuadrën holandeze të Feyenoord.

Ka qenë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar një poster të madh me foton e teknikut të Romës, Mourinho.

Posteri është vendosur mbi Universitetin Politeknik të Tiranës.

“Mirë se erdhe në Romën e vogël”-shkruan Veliaj në Instagram.

Ora 16:05
FOTOT/ Bashkia dhjetra organizime për finalen, qindra tifozë të Romës dhe Feynoord shijojnë Tiranën

Qindra tifozë holandezë të Feyenoordit dhe italianë të Romës kanë mbërritur tashmë në Tiranë, teksa presin orët deri në finalen e madhe që do të zhvillohet nesër në “Air Albania”.

Disa prej tyre mbërritën sot në kryeqytet, e disa të tjerë erdhën pak ditë më parë, duke e shfrytëzuar vizitën e tyre edhe për të eksploruar vendet turistike rreth Tiranës.

Përgatitjet perfekte dhe plani i organizuar nga ana e Bashkisë së Tiranës ka bërë që shumë prej tyre ta kalojnë këtë pasdite në sheshin “Skënderbej” dhe në pedonalen e Tiranës. Sikurse dje, organizimet festime me muzikë live dhe DJ nga më të njohurit do të vijojnë edhe sot në mbrëmje dhe nesër duke e kthyer finalen në një festë për gjithë qytetin.

Jo vetëm hotelet kanë zënë të gjithë dhomat e tyre, por dhe ato që quhen “guest house” tashmë janë plot, ndërkohë që bizneset janë në kulmin e punës së tyre.

Ndërkaq, në pikat kryesore ku do të grumbullohen tifozë, Bashkia dhe vullnetarët e saj ndihmojnë turistët.

Roma dhe Feyenoord do të përballen nesër në orën 21:00 në “Air Albania”, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane.

Ora 13:39
Nesër finalja europiane, ja rrugët ku do te ndalohet kategorikisht lëvizja e mjeteve të tonazhit të lartë

Qytetarët nuk do të lejohen të lëvizin me makinë as në unazë të mesme, pasi do të jetë në funksion të tifozëve.

"Nuk do të ketë asnjë hyrje lidhëse nga unaza e mesme deri në drejtim të qendrës dhe stadiumit. Asnjë mjet nuk do të hyjë, përveç tre kategorive, personalitete VIP, media dhe tifozë me bileta në stadium", tha Altin Qato, Drejtor i Policisë Rrugore.

Për 24 orë do të bllokohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë në disa rrugë.

"Kufizim të lëvizjes do të jetë në rrugët Tiranë-Durrës, Rinas-Tiranë, Elbasan në pjesën e Tegut dhe Fushë Krujë, krahu i Vorës. Kemi rënë dakord me entin pronar të rrugës që të mos lejohen në mënyrë kategorike në këto akse kalim i mjeteve të tonazhit të rëndë, nga mëngjesi deri në mëngjesin e datës 26", shtoi Qato.

Ministria e Brendshme ka apeluar që përveç administratës dhe shkollave edhe bizneset ta bëjnë pushim ditën e mërkurë

Ora 12:49
Prezantohet trofeu i finales së Conference League në Tiranë, dashamirës të futbollit mblidhen në sheshin ‘Skënderbej’

1653389579_nesti.jpg

Prezantimi i trofeut të finales së UEFA-s Europa Conference League në sheshin ‘Skënderbej’ ka mbledhur shumë tifozë dhe dashamirës të sportit për ta parë. Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi, intervistoi disa prej tyre, të cilët u shprehen shumë etuziastë për të ndjekur ndeshjen.

‘Do rri 5 ditë, shumë e bukur!

E pëlqejmë shumë, po e shijojmë shumë. Nuk kam një biletë për fat të keq. Vijmë nga Arabia Saudite!’- thanë disa prej tyre.

Ora 12:31
Finalja e Conference League/ Harta e trafikut, zona ku do të kalojnë këmbësorët dhe rruga për të hyrë në stadium

 

Policia e Shtetit ka publikuar hartën për masat e marra për ndeshjen që do të zhvillohet ditën e nesërme në Tiranë mes ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoordit. Në hartë duket zona pa trafik e dedikuar për këmbësorët e tifozët si dhe vendi ku do të kalojnë automjetet.

Në hartë vihet re edhe rruga e dedikuar për emergjenca si dhe për të hyrë në stadiumin “Air Albania” për të gjithë tifozët që kanë bileta.

1653388822_16924e49767f4eca903d5ca4ab34888d.jpg

Ora 11:01
Finalja e Conference League bën bashkë Veliajn dhe Dukën, pas përplasjeve për zgjedhjet në FSHF! Prezantojnë për publikun Kupën e finales në Sheshin ‘Skënderbej’

TIRANË-Trofeu i Finales së UEFA Europa Conference League i cili u shfaq sot për publikun në sheshin “Skënderbej”, bëri bashkë kryetarin e bashkisë Erion Veliaj si dhe kreun e FSHF-së Armand Duka, pas përplasjes së tyre për zgjedhjet në FSHF. Tonet mes dy 'kundërshtarëve' duket se janë ulur, ndërsa të dy ftuan tifozët që të shijojnë këtë finale në Tiranë. I pranishëm ishte edhe ish kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Kupa do të qëndrojë për disa orë në shesh, për të gjithë dashamirësit e futbollit që duan të bëjnë një fotografi.

'Ta shijojmë këtë aktivitet, ta shijojmë këtë finale. U uroj suksese të dyja ekipeve!'- tha Duka. 

Nga ana tjetër kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj u shpreh se qyteti është përfshirë nga një valë organizimi për këtë festë të madhe dhe përmendi sërish tre fan zonat që do të presin tifozët që nuk kanë mundur të sigurojnë bileta. Ai kujtoi se Amfiteatri Veror i Liqenit dhe pedonalja “Murat Toptani” do të kthehen në fan zone për tifozët e Romës dhe të Feyenoord, ndërsa sheshi “Skënderbej” do të presë tifozë neutralë, në mënyrë që edhe ata ta shijojnë ndeshjen me po të njëjtën atmosferë si në stadium.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve të Tiranës për mikpritjen fantastike që u kanë bërë atyre që kanë ardhur nga larg. Përshëndesim të gjithë ata që kanë ardhur nga Roterdami dhe nga Roma, mirë se erdhët në Tiranën tone! Shpresoj të kaloni sa më mirë dhe sigurisht të fitojë më i miri në finale, por mbi të gjitha të kalojmë bukur. Me kalimin e kohës, kupat edhe i zë pluhuri, por kujtimet mbeten përgjithmonë. Ndaj, qëllimi i organizimit në Tiranë është që kujtimet t’i kemi përgjithmonë, pavarësisht se ku përfundon kupa”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se kjo finale është dhe një mundësi për të ngritur lart imazhin e mirë të Tiranës dhe të vendit, në sytë e të gjithë botës.

“Në Tiranë do të vijnë edhe dy kryetarët e bashkive të Romës dhe të Roterdamit, do të dalim me një deklaratë të përbashkët për t’i treguar qytetarëve që vijnë nga Roma dhe Roterdami, se i respektojmë si miq, i respektojmë si të ftuar për të qenë pjesë e këtij gëzimi, por nga ana tjetër, duam që edhe ata të respektojnë Tiranën, që të lënë mënjanë zënkat, sigurisht emocionet janë të forta, por në finale duam që të ruhet qyteti, të ruhet edhe qetësia e vëllazëria që kultivon futbolli. Shpresoj shumë që ata që kanë ardhur për herë të parë në Tiranë vetëm si tifozë, të kthehen sërish si turistë, me miqtë dhe familjet e tyre. E vlerësoj shumë faktin që shumica e qytetarëve po udhëtojnë ose në këmbë ose me biçikleta. Çdo njeri që na ndihmon duke ulur pak trafikun, na ka bërë nder të jashtëzakonshëm. U jemi mirënjohës të gjithëve, që të dalim të nderuar nga kjo histori dhe Tirana jonë, imazhi i Shqipërisë dhe reputacioni i gjithë popullit tone, të shkojë lart e më lart”, theksoi Veliaj.

Ora 10:13
Finalja e UEFA Conference League, prezantohet plani i gatishmërisë shëndetësore: 8 ekipe do të jenë në stadium, spitalet janë bërë gati me kapacitete të dedikuara

Në prag të ndeshjes finale të UEFA Conference League, mes ekipit italian të Romës dhe ekipit hollandez të Feynord, që do të zhvillohet nesër në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka parë nga afër planin e masave të përgatitur për situatën shëndetësore, në rast se do të nevojitet ndihma e ekipeve mjekësore. Ministrja Manastirliu inspektoi mëngjesin e sotëm Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku foli për gatishmëri të përforcuar të autoambulancave, spitaleve si dhe ekipeve mjekësore.

“Masat janë marrë që përpos 9 autoambulancave që do të jenë në postacionet fikse, janë edhe 7 autoambulanca të tjera shtesë, të cilat janë në qarkullim. Pra emergjencat shëndetësore në Tiranë do të përballohen me kapacitete të shtuara, sepse gatishmëria do të jetë e shtuar. Nga ana tjetër, edhe ekipet mjekësore, të cilat do të vendosen në stadium, janë 8 ekipe që janë përgatitur me mjekë, infermierë që do të jenë brenda në stadium. Janë gjithashtu edhe autoambulancat jashtë stadiumit, të cilat kanë mundësi që të transportojnë, në rastet që mund të ketë ndonjë emergjencë shëndetësore”, bëri me dije Manastiriu.

Përveç autoambulancave të Urgjencës Kombëtare, Manastirliu bëri me dije se edhe tre spitalet universitare në Tiranë do të jenë në gatishmëri të shtuar me shtretër të dedikuara për rastet emergjente që mund të paraqiten.

“E rëndësishme është që spitalet janë bërë gati. Qoftë spitali i Traumës që tashmë ka vënë një pavion me kapacitete të dedikuara, për të patur lehtësinë që të gjitha rastet që do të ketë, pra të transportuar nga Urgjenca Kombëtare, të kenë edhe një pavion të dedikuar. Po ashtu QSUT me pavionin e toksologjisë edhe me shërbime të tjera, të dedikuara për të ofruar shërbim, si dhe spitali “Shefqet Ndroqi”, ku dhe aty kemi pavione të dedikuara. Por mbi të gjitha ekipet janë në gatishmëri dhe janë përforcuar, duke u dyfishuar”, tha Manastirliu.

Për natën finale janë përcaktuar edhe zonat ku do të grumbullohen tifozat e ndryshëm, për të cilat Manastirliu tha se edhe aty do të ketë autoambulanca për të qenë në gatishmëri në çdo moment.

“Plani është i qartë edhe për Fan Zone. Edhe aty është bërë një organizim. Qoftë në afërsi të liqenit, qoftë tek rruga “Murat Toptani” dhe qoftë në Sheshin “Skënderbej” do të kemi autoambulanca të shtuara. Por edhe të gjitha njësitë e tjera të urgjencës, pra autoambulancat në shërbim do të vijojmë të kemi shërbim të dedikuar për çdo urgjencë tjetër që të jetë në Tirane”, bëri me dije Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka ndërmarrë një plan të detajuar masash për përballimin e çdo emergjence të mundshme shëndetësore, për mbarëvajtjen e ndeshjes finale të UEFA Conference League që do të zhvillohet të mërkurën në Tiranë. Organizimi me Urgjencën Kombëtare është bërë në mënyrë të tillë që të mbulohet shërbimi mjekësor me 7 postacione në stadium (me ekipe mjekësh dhe infermierësh) si dhe 8 ekipe të tjera të lëvizshme mjekësh dhe infermierësh, për çdo emergjencë.

Përvecse në stadium, janë marrë masa për të shtuar postacionet e autoambulancave në zonat ku do të stacionohen tifozët si dhe në pikat kyçe të qytetit. Do të jenë 16 autoambulanca në gatishmëri në Tiranë. Është organizuar shërbimin në spitalet universitare me ekipe mjekësore shtesë në spitalin e Traumës, “Shefqet Ndroqi” dhe në QSUT. Janë marrë masa për të patur pavione të dedikuara në të tre spitalet universitare të Tiranës në rast të një fluksi potencial të rasteve që do të kërkojnë ndihmë mjekësore. Janë siguruar barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për çdo emergjencë. MSHMS rikujton se 127 është numri unik, ku mund të telefonohet për çdo emergjencë shëndetësore.

Ora 09:16
Finalja e Conference League/ Tifozët e Romës nisen për Tiranë, publikojnë foto nga eksodi masiv i 1991! Rama e rishpërndan: Hajdeni, hajdeni (FOTOLAJM)

Një ditë na ndan nga finalja e madhe e Conference League, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Klubi i Romës ka bërë një postim në Twitter duke shpërndarë një fotografi nga eksodi masiv i vitit 1991.

“Andiamo a Tirana (Le të shkojmë në Tiranë)”, shkruhet në postimin që e ka rishpërndarë kryeministri Edi Rama duke shkruajtur “Hajdeni, hajdeni”.  Pritet që ditën e sotme të mbërrijnë tifozët e organizuar për ndeshjen mes Romës dhe Feyenord që do të mbahet nesër në Tiranë.

Eksodi i madh ndodhi në Durrës, në javën e parë të marsit 1991. Ajo kujtohet si java e largimit masiv të mijra bashkëatdhetarëve, për të cilët askush nuk mbajti statistika. Megjithëse kanë kaluar 31 vjet, shifrat janë kontradiktore. Mediat italiane shkruajtën në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën mbi 25 mijë shqiptarë. Ishte eksodi që shënoi hapjen e kufijve pas ‘50-ës që i dhanë grushtin e fundit diktaturës.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Opozita kërkon komision hetimor për Belinda Ballukun lidhur me Porto Romanon, kundërshton PS! Balla: Kërkoni 6 muaj hetim, nuk ka kohë

Opozita kërkon komision hetimor për Belinda Ballukun lidhur me Porto Romanon, kundërshton PS! Balla: Kërkoni 6 muaj hetim, nuk ka kohë