Përshpejtimi i procedurave, thjeshtëzimi i marrjes së autorizimeve, ulja e kontrollove fizike dhe dokumentave doganore. Këto ishin disa nga pikat e trajtuara në aktivitetin “Doganat dhe ndërkombëtarizimi, Përmirësimi i Sinergjisë” i organizuar nga Confindustria Albania në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Donato D’Agostino, president i Confindustria Albania, theksoi nevojën për të përmirësuar dialogun midis ndërmarrjeve dhe doganave. Mes problematikave kryesore ai përmendi disa procedura doganore apo çmimet reference.

Siç e dini disa muaj më parë kemi nënshkruar një protokoll bashkëpunimi me doganat shqiptare. Ky është takimi i dytë ku do të paraqesim shqetësimet tona në mënyrë që të gjejmë dhe zgjidhjet e duhura, pra kemi pasur një rrugëtim me doganat dhe kemi zgjidhur një numër të madh problemesh të ngritura nga sipërmarrja që bëjnë pjesë në shoqatën tonë. Një prej problemeve që do të ngrija është përdorimi i çmimeve të referencës të cilat mbeten të pandryshuara, pavarësisht ndryshimeve që mund të pësojnë në tregjet botërore”, tha Donato D’Agostino.

Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e Doganave Mirela Meka tha se me hyrjen në fuqi të dispozitave të Kodit të ri doganor, do të bëhen efektivë shumë procedura lehtësuese për biznesin.

“Aktualisht Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po punon dhe pothuajse është në përfundim të hartimit të dispozitave zbatuese për kodin e ri doganor për pjesën e mbetur që hyn në fuqi në qershor të vitit 2017. Nëpërmjet këtyre dispozitave ne kemi synuar jo vetëm, përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë  të BE-së por edhe futjen e procedurave të reja të parashikuara prej tij të cilat nënkuptojnë nevojën për një bashkëpunim më të madh me biznes dogana. Për këtë qëllim në fokusin tonë, gjatë gjithë muajit maj ne kemi parashikuar të realizojmë konsultime të vazhdueshme dhe informime me biznesin”, tha Meka.

Dy muaj më parë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nënshkroi një protokoll bashkëpunimi me Confindustria Albania, me synim për të lehtësuar dhe mbështetur  operimin e kompanive të huaja, sidomos ato italiane në vendin tonë.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com