'COVID i gjatë' po mban të mbërthyer 20 mijë shqiptarë, pasojat në shëndet

'COVID i gjatë' po mban të mbërthyer 20 mijë shqiptarë, pasojat në shëndet

Foto ilustruese

Që nga fillimi i pandemisë, deri në mes të tetorit 2021, Shqipëria numëron mbi 175 mijë persona të infektuar zyrtarisht me sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes Sars-Cov-2 dhe me rreth 10 mijë vdekje shtesë nga marsi 2020-mars 2021, sipas të dhënave nga INSTAT. Teksa sistemi shëndetësor në vend është në betejë frontale për të përballuar trajtimin e drejtpërdrejtë dhe zvogëlimin e barrës akute të COVID-19, po jepen sinjalet e para, pandemia po rrit barrën e sëmundjeve.

Të dhëna operative nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se rreth 20 mijë persona po vuajnë “COVID-in e gjatë”. Ata po vuajnë nga pasojat direkte dhe indirekte të sëmundjes, të tilla si dëmtime të mushkërive, lodhje kronike dhe dëmtim të sistemit nervor dhe çrregullime psikike. Pasoja të tilla zgjasin 4-5 muaj, por edhe më shumë pas kalimit të infeksionit dhe po cilësohen nga sistemet shëndetësore si sindromi “post-COVID”, ose “Long COVID”.

Në Shqipëri, por edhe në botë, mungojnë studime të mirëfillta rreth pasojave që COVID-19 lë në periudhat afatmesme dhe afatgjata. Por këto të dhëna konsiderohen të rëndësishme për të përgatitur shërbimin shëndetësor për një ngarkesë të re që e pret në të ardhmen. Sipas vlerësimeve të Institutit të Shëndetit Publik, pacientët me “COVID të gjatë” zënë rreth 12% të personave të infektuar që janë identifikuar me tampon. Alban Ylli, ekspert i çështjeve të shëndetit publik, pohon se, shumica e tyre rikuperohen plotësisht.

Pasojat afatgjata, dëmtimi i mushkërive, sistemit nervor dhe lodhja kronike

Pasojat afatgjata pas infeksionit SARS-CoV-2 po bëhen një barrë e rëndësishme për shoqëritë dhe sistemet e kujdesit shëndetësor. Të dhënat mbi sindromën post-COVID-19 në popullatën e përgjithshme kërkohen për planifikimin në kohë të shërbimeve dhe burimeve të kujdesit shëndetësor.

Luan Dyrmishi, mjek në Poliklinikën e specializuar të mushkërive në Tiranë, e njohur si “Dispanseria”, shprehet se individët me simptoma post-COVID-19 raportojnë se nuk ndihen të shëruar plotësisht nga koronavirusi. Mbi 15% e atyre që e kanë kaluar infeksionin më prekje në shkallë të madhe të mushkërisë vuajnë nga fibrozat polmunare, një lloj i kalcifikimit të pjesëve të mushkërisë që, në disa raste, kthehen në dëme të përhershme.

Një pjesë e madhe e tyre do të mbeten të sëmurë kronikë dhe do të jenë një barrë e re shtesë për sistemet spitalore në vend. Sipas vlerësimeve nga Poliklinika e Trajtimit të Mushkërive, rreth 20% e pacientëve vuajnë nga një lodhje e gjatë kronike, e cila zgjat në kohë. Pacientët me këto simptoma nuk ndihen si më parë gati edhe një vit pasi kanë kaluar infeksionin.

Depresioni dhe prekja e sistemit nervor është një nga simptomat kryesore e “COVID të gjatë” edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në të gjithë botën. Në 4-mujorin e parë të vitit 2021, shtrimet në pavijonet e spitalit psikiatrik u rritën me 68% në krahasim me 4-mujorin e parë të vitit 2020, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Vlerësimet e brendshme dhe ato të jashtme tregojnë se, personat që kanë kaluar COVID-19 me simptoma kanë pasur së paku një kontakt me sistemet shëndetësore.

Rriten rastet Post-COVID në Sanatorium, zënë 40% të shtrimeve ditore

Rreth 40% e shtrimeve ditore në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, që merret me trajtimin e sëmundjeve të mushkërive, janë post-COVID. Arian Mezini, mjek në këtë spital, tha se personat që e kanë kaluar COVID me simptoma të rënda, shpesh vuajnë nga fibroza pulmonare, e cila dëmton dhe shformon indet e mushkërive. Indet trashen, ngurtësohen e për rrjedhojë dëmtojnë frymëmarrjen normale.

Dëmtimi i mushkërive i shkaktuar nga fibroza pulmonare nuk mund të riparohet, por ilaçet dhe terapitë ndonjëherë mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Personat me fibrozë pulmonare preken shpesh nga kolla e thatë, kanë lodhje sistematike, humbje në peshë. Në varësi të simptomave tek disa persona, përkeqësimi është i monitorueshëm dhe zgjat me vite, ndërsa disa persona përkeqësohen më shpejt. Shpesh këta persona kanë nevojë për trajtim spitalor.

Doktor Mezini thotë se fibrozat janë tipike në rastet Post-COVID. Ai tha se në të ardhmen do të ketë rritje të mëtejshme të rasteve, për shkak se vala e infeksioneve me COVID po vijon. Fibrozat në mushkëri Post-COVID, përveçse janë një ngarkesë e re për sistemin, ulin në mënyrë të ndjeshme produktivitetin e jetës te personat e prekur. Përgjithësisht këta persona nuk përballojnë punë të rënda fizike dhe kanë nevojë për mjekime që zgjasin gjithë jetën, duke u shndërruar në barrë për shoqërinë dhe sistemin shëndetësor në afat të gjatë.

Pasojat e COVID në sistemin nervor, moshat e vjetra, të dëmtuar afatgjatë

Mjekët në Poliklinikën e specializuar të Mushkërive pohuan se COVID-19 lë pasoja afatgjatë në shëndetin mendor. Doktor Dyrmishi thotë se, një pjesë e konsiderueshme e pacientëve që kanë kaluar COVID kërkojnë referime për trajtim të shëndetit mendor. Ata shfaqin mungesë përqendrimi, probleme me kujtesën, ankthe dhe depresion. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë treguan se në 4-mujorin e parë të vitit, në janar-prill 2021 u shtruan 718 pacientë pranë këtij spitali, nga 425 më 2021.

Nga një studim në Rajonin e Zyrihut në Zvicër te rreth 460 pacientë që shfaqën simptoma të gjata të COVID-19, rreth 25% e tyre raportuan simptoma të depresionit, 16% simptoma të stresit dhe ankthit. Studimi gjeti se përqindje më të larta me simptoma depresive u raportuan në grupmoshat më të vjetra dhe te femrat. Kontraste të ngjashme u vunë re për simptomat e ankthit. Ndërkohë, moshat më të reja, kryesisht femrat, raportuan simptoma të stresit në krahasim me moshat më të vjetra. Studimi gjeti se te shtresat me të ardhura të ulëta, simptomat e COVID, të kombinuara me stresin që ka krijuar papunësia dhe mungesa e të ardhurave, e kanë përkeqësuar gjendjen.

Post-COVID krijon çrregullime neurologjike sidomos te moshat më të vjetra. Genci Çakçiri, mjek neurolog në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” tha se, ka forma të ndryshme të prekjes së sistemit nervor nga COVID-19.

“Nga pasojat afatgjata që kemi parë më shpesh këto kohë janë çrregullimet konjitive te pacientët e moshuar, si dhe dëmtimet e nervave periferike, ndonjëherë në forma të rënda” – tha Çakçiri. Ai tha se, simptoma të lehta si dhimbje koke apo trupi hasen shpesh, por gjithashtu COVID-i në fazën aktive mund të jetë shkak për ishemi cerebrale.

COVID-19 po rrit sëmundshmërinë e popullatës

Teksa të gjitha energjitë e sistemit shëndetësor janë kanalizuar drejt përballimit të pandemisë COVID-19, sëmundjet e tjera nuk kanë bërë pushim. Leonard Solis, ekspert i politikave shëndetësore, thotë se pandemia COVID-19 po bëhet shkak për rritjen e sëmundshmërisë.

Aksesi i pacientëve të zakonshëm ndaj strukturave shëndetësore ka rënie të ndjeshme. Konsultat dhe vizitat bëhen tashmë jo në bazë të planifikimeve, por vetëm kur shndërrohen në emergjenca. Fenomeni, që është i përbotshëm, për zotin Solis është shkaktar edhe për një pjesë të vdekjeve shtesë që ndodhën gjatë pandemisë në vendin tonë. Ai tha se, sëmundjet primare janë përkeqësuar më tej gjatë pandemisë nga mungesa e trajtimit në kohë, duke lajmëruar fatalitete që mund të ishin shmangur në të ardhmen.

Zoti Solis shpjegoi se, pandemia ka thithur shumë energji të strukturave spitalore, si në burime njerëzore, në infrastrukturë dhe në financa, dhe ka krijuar keqshpërndarje të burimeve dhe ulje të rendimentit në monitorim. Strukturat shëndetësore po japin sinjalet e para të rritjes së sëmundshmërisë post-COVID. Pavijoni i Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” ka nisur të mbushet me fëmijë që po shfaqin çrregullime të shëndetit të krijuara nga COVID-19.

Bashkim Neza, mjek në këtë pavijon, thotë se po shtohen rastet e moshave pediatrike me komplikacione inflamatore të shfaqura në shumë sisteme trupore njëherazi. Disa prej tyre po marrin shërbim reanimator dhe shumë prej tyre kishin kaluar Sars-Cov 2 pa qenë në dijeni. Në poliklinikën e specializuar për trajtimin e sëmundjeve të mushkërive në Tiranë rastet për trajtim post-COVID janë shtuar.

“Në shumë prej të prekurve, virusi ka lënë pasoja të përhershme, me deficenca dhe fibroza në mushkëri. Personat që e kanë kaluar COVID-19 me simptoma të rënda po shndërrohen në të sëmurë kronikë” – tha Silvana Sadriaj, mjeke nga Poliklinika e Mushkërive në Tiranë.

Popullsia e Shqipërisë, e përfshirë në procesin e plakjes dhe rënies së lindshmërisë, po përjetonte një barrë sëmundjesh në rritje edhe para pandemisë. Diagnozat kardiovaskulare, tumorale dhe ato kronike e kanë renditur Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundshmërisë në rajon për 2019-n, sipas të dhënave globale nga “health data”. Prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2019 me rreth 80%, teksa gjithnjë e më shumë po preken moshat e reja.

Zhvillimet pandemike lajmërojnë rënie të cilësisë së shëndetit në popullatë, gjë që pritet të ndikojë negativisht jetëgjatësinë në vend dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike. Burimet ekonomike si të qeverisë dhe të familjeve në periudhën afatmesme do të kanalizohen për trajtimin e shqetësimeve shëndetësore, thonë ekspertët e fushës.

Studimi shkencor në “Nature” zbulon 50 efekte afatgjata të COVID në shëndet

Shqipëria nuk ka kryer studime shkencore rreth përhapjes së COVID-19 dhe pasojave afatgjata te popullata, por të dhënat ndërkombëtare po japin rezultatet shkencore mbi pasojat afatgjata që sëmundja po krijon në shëndet.
“Nature”, një revistë javore ndërkombëtare, që boton kërkimet më të mira në të gjitha fushat e shkencës, në gusht të këtij viti publikoi një mega studim se si COVID-19 lë 55 efekte afatgjata te personat e prekur.

55 efektet afatgjata u vlerësuan nga 21 meta-analiza ku u përfshinë 47,910 pacientë (mosha 17-87 vjeç). Studimi përcaktoi si “COVID të gjatë” periudhën nga 14 deri në 110 ditë infeksion pas virusit. Rezultatet treguan se 80% e pacientëve të infektuar me SARS-CoV-2 zhvilluan një ose më shumë simptoma afatgjata. Pesë simptomat më të zakonshme ishin lodhja (58%), dhimbja e kokës (44%), çrregullimi i vëmendjes (27%), rënia e flokëve (25%) dhe dispnea 24% (ndjesi e pamundësisë për t’u mbushur me ajër).

Studimi që publikoi “Nature” tregoi se 80% individëve me diagnozë të konfirmuar COVID-19 vazhdojnë të kenë të paktën një efekt përtej dy javëve pas infeksionit akut. Në total, 55 efekte, përfshirë simptomat, shenjat dhe parametrat laboratorikë, u identifikuan.

Ato përfshinë lodhjen, mosfunksionimin e mushkërive, teksa çrregullimet neurologjike ishin më të zakonshmet.
Lodhja, simptoma më e zakonshme e “COVID-19 të gjatë” dhe akut në 58% të rasteve, ishte e pranishme edhe pas 100 ditësh nga simptoma e parë e COVID-19 akut. Përveç kësaj, ka sindroma të tilla si ajo e shqetësimit të frymëmarrjes akute, në të cilën është vërejtur se pas një viti, më shumë se dy të tretat e pacientëve raportuan simptoma të lodhjes klinikisht të rëndësishme.
Simptomat e vërejtura te pacientët pas COVID-19, ngjajnë pjesërisht me sindromën e lodhjes kronike, e cila përfshin lodhje të rëndë deri në paaftësi, dhimbje, paaftësinë neurokonjitive, çrregullim në gjumë.

Studimi gjeti disa simptoma neuropsikiatrike, dhimbje koke (44%), çrregullim të vëmendjes (27%) dhe anosmia (21%). Disa simptoma të tjera ishin mjegullimi i trurit, por simptomat neuropsikiatrike te pacientët me COVID-19 janë komplekse, vërejti studimi. Ato mund të lidhen me efektin e drejtpërdrejtë të infeksionit, sëmundjet cerebrovaskulare (përfshirë hiperkoagulimin). Të rriturit kanë rrezik të dyfishtë për t’u diagnostikuar rishtas me një çrregullim psikiatrik pas diagnozës COVID-19. Ato më të zakonshmet ishin çrregullimet e ankthit, pagjumësia dhe demenca.

Çrregullimet e gjumit rrisin mundësitë për çrregullime psikiatrike. Studimi sugjeron se të gjithë të infektuarit me COVID-19 duhet të marrin diagnozë neuropsikiatrike. Për këtë nevojitet një rritje e vëmendjes së spitaleve dhe komuniteteve ndaj shëndetit mendor gjatë dhe pas pandemisë COVID-19. Si pjesë e çrregullimeve u vërejt edhe rënia e flokëve.

Ndjesia e mungesës së frymëmarrjes dhe kolla u gjetën përkatësisht në 24% dhe 19% të pacientëve. Përveç kësaj, skanerët dhe radiologjitë treguan anomali në 35% të pacientëve edhe pas 60-100 ditësh nga infeksioni fillestar. Në një studim të kryer në Kinë, midis rasteve jokritike të pacientëve të shtruar në spital me COVID-19, ekzaminimet radiografike në gati dy të tretat e pacientëve gjetën pasojat deri në 90 ditë pas infektimit.

Shumica e studimeve të disponueshme tregojnë përmirësim ose zgjidhje të gjetjeve jonormale. Anomalitë në funksionin pulmonar, si ulja e kapacitetit të oksigjenimit ishin të pranishme në mesin e 10% të pacientëve në këtë analizë.

Gjithashtu, arsyeja pse disa pacientë përjetojnë simptoma afatgjata pas COVID-19 është e pasigurt. Kjo mund të shpjegohet pjesërisht nga faktorët që ndikojnë në rezultatin e infeksionit viral, duke përfshirë ndjeshmërinë gjenetike, moshën, periudhën kur infektohet, dozën e virusit dhe rrugën e infeksionit, praninë e infeksioneve të njëkohshme dhe ekspozimi i mëparshëm ndaj agjentëve ndër-reaktivë, etj.

Shkenca ka gjetur se SARS-CoV-2 mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme të indeve që çojnë në një formë kronike të sëmundjes, siç janë lezionet kronike dhe ekspozimet ndaj viruseve të tjerë, siç është virusi i mungesës së imunitetit të njeriut (HIV), hepatiti i virusit C (HCV), hepatiti i virusit B (HBV) dhe disa herpesviruse ende të panjohur.
Disa pasoja të tjera përfshijnë humbjen e papritur të peshës trupore, dhimbje veshi, probleme në sy, teshtitjen, hundën e ftohtë, ndjenjën e djegies në fyt, marramendje, palpitacione të zemrës, dhimbje/ndjesi djegieje në mushkëri, dhimbje midis shpatullave, dhimbje trupi dhe konfuzion.

Studimet te personat që kanë kaluar Sars-Cov 2 kanë treguar gjetur anomali të mushkërive shumë muaj pas infektimit. Pas një ndjekjeje njëvjeçare, një studim tregoi se 28% e të mbijetuarve paraqitën ulje të funksionit të mushkërive dhe shenjave të fibrozës pulmonare. Lidhur me simptomat psikiatrike, një studim raportoi nivele të larta të depresionit, ankthit dhe çrregullimit të stresit post-traumatik në afat të gjatë te pacientët e infektuar më parë me koronaviruse të tjerë./ Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve