COVID në Kosovë/ Mjeku për Report Tv: Numri i lartë i viktimave pasi neglizhohet trajtimi i simptomave të para! Nuk e përballojmë izolimin e dytë

Kosova nuk po kalon një situatë të mirë si pasojë e koronavirusit ku çdo ditë regjistrohen qindra raste dhe shumë viktima.

Mjeku kirurg, Arbër Morina në një intervistë për Report Tv thotë se një prej arsyeve që kanë rritur numrin e viktimave është vonesa në trajtimin e tyre.

Ai thotë se mjekimi në fazat e para të shfaqjes së simptomave neglizhohet shumë dhe në momentin që pacientët shtrohen në spital, ata janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

"Ne sikurse ju po kalojmë një periudhë të vështirë përsa i përket të infektuarve nga koronavirusi. Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova po e kalon këtë periudhë me më pak vështirësi për disa arsye. Populli i Kosovës është një popull i ri dhe nuk e kalon mesataren e 30 vjetëve. Një veti tjetër e madhe është se ne mjekët e Kosovës jemi të lidhur me mjekët e Europës dhe botës dhe po shkëmbejmë eksperienca me njëri-tjetrin duke fituar eksperiencë në trajtimin e sëmundjes.

E vërteta qëndron pikërisht në vonimin e kërkimit të mjekimit nga stafi profesional mjekësor. Shumica e njerëzve në Kosovë vonohen në trajtimin primar dhe kur ata shtrohen në spital janë në gjendje shumë të rëndë. Të gjithë ne e kemi kuptuar se përsa i përket patologjisë së COVID-19, nëse mjekimi nuk është agresiv që në ditët e para, pasojat mund të jenë vdekjeprurëse. Nuk krahasohemi ne me Shqipërinë por me vendet e tjera të rajonit jemi mirë" - tha Morina.

Mjeku thotë se Kosova është në pritje të vaksinës teksa ditën e sotme ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj firmosi dhe aplikimin zyrtar me kompaninë Gavi për vaksinën COVAX.

Morina shprehet se qeveria ka një plan për vaksinimin e popullatës teksa pohoi se një izolim i dytë i vendit do të ketë pasoja të papërballueshme.

"Populli i Kosovës është i mirëinformuar me ngjarjet e fundit. Ne presim pjesën e parë të vaksinave që të vijë. Është diskutuar dhe është bërë një planprojekt se kujt do t'i jepen vaksinat. Së pari do të jetë stafi mjekësor që do e marrin të parët. Më pas do të vaksinohen moshat e rrezikuara. Besoj që populli i Kosovës është i mirëinformuar dhe janë dakord që të presin derisa të vijë vaksina.

Edhe populli i Kosovës është ndërgjegjësuar me pasojat e këtij virusi. Besoj se Kosova nuk është në gjendje të përballojë një mbyllje të dytë si ajo e marsit. Për shkak se pjesa dërrmuese e Kosovës është e re, një pjesë e popullatës e ka kaluar dhe ne presim që kjo valë që po e kalojmë të mos përkeqësohet dhe të mos ketë një valë tjetër. Aktualisht po e përballojmë fluksin e pacientëve. Nuk na ka dalë nga kontrolli. Ne kemi mungesë të stafit mjekësor pasi dhe kirurgët kanë filluar të angazhohen në trajtimin e pacientëve të infektuar nga COVID" - tha Morina.

Kirurgu Arbër Morina tha se situata është e vështirë dhe me pacientët që nuk janë infektuar nga COVID të cilët ndërrojnë jetë si pasojë e sëmundjeve të tjera.

"E vërteta e hidhur është që dhe Kosova, gjatë periudhës së izolimit, kaloi një periudhë të padëshiruar dhe shumë pacientë që kanë pasur sëmundje të tjera, për shkak të izolimit ata e kanë mbyllur veten dhe i kanë fshehur shenjat. Në momentin që është hapur shërbimi spitalor, ata kanë ardhur në gjendje shumë të rëndë. E njëjta situatë është dhe në Kosovë. Po hasemi me një situatë tepër të vështirë në repartin e kirurgjisë. Pothuajse të gjithë mjekët e kanë kaluar COVID-in, përfshirë dhe mua dhe familjen time. Pacientët po vuajnë dhe po vdesin nga sëmundjet e tjera. Neglizhenca që u është bërë ndaj këtyre pacientëve nuk është bërë mirë nga Kosova dhe Shqipëria" - tha Morina.

Në 24 orët e fundit në Kosovë u regjistruan 519 raste të reja teksa kanë humbur jetën 14 qytetarë të tjerë.

E.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin