TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka dërguar një letër Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për të rishqyrtuar masat e marra ndaj COVID-19. Ai kërkon nga ministrja rishqyrtim të situatës aktuale të pandemisë në Shqipëri duke pasur parasysh rritjen e numrit të të infektuarve.

Në letrën e dërguar, ai kërkon informacion mbi kapacitetet në spitale si dhe përsa i përket stafeve mjekësore. Gjithashtu ai shtron edhe disa pyetje mbi mënyrën se si do të menaxhohet situata e koronavirusit në vijim dhe se çfarë masash parashikon të ndërmarrë qeveria.

Ndërkohë Presienti shkruan se pas krizës së rëndë politike me shkeljen e 5 qershorit, situata e koronavirusit në vend pritet të përkeqësohet.

Për këtë ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama i cili përmes një postimi në Twitter shkruan se Meta nuk duhet të përzihet me punën e ekspertëve.

Kryeministri i kërkon Metës që të respektojë masën për vendosjen e maskës dhe të merret me punën e tij si President.

Postimi në Facebook

Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.

Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë.

Në këto kushte, po bëj publike letrën zyrtare që i kam dërguar ministres së Shëndetësisë, për dijeni Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:41
Rama-Metës: Mos u merr me ekspertët e shëndetësisë! Shih punën tënde që nuk po e bën prej kohësh

Për letrën e Presidentit Meta ka reaguar kryeministri Rama. Përmes një postimi në Twitter kryeministri shkruan se Presidenti nuk duhet të përzihet me punët e ekspertëve të shëndetësisë.

Madje ai i thotë që të mos dalë nga shtëpia pa maskë dhe të shohë punën e tij të cilën e ka lënë pas dore.

"Ilir ti s'ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia,mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s'po bën prej kohësh!

Ekspertët janë ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit.Rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta!

Ministrja e Shëndetësisë meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur që po bën, siç e meritojnë ekspertët dhe padiskutim mjekët e infermierët që po shkëlqejnë prej muajsh në këtë luftë, ku e tërë bota po vuan nga të njëjtat probleme e dilema të mëdha vendim-marrëse!" - shkruan Rama në Twitter.