Ndonëse numri i vdekjeve nga Covid-19 është pesë herë më i ulët se në prill kur ishte edhe maksimumi i vdekshmërisë, OBSH deklaron se rikthimi i kufizimeve është një domosdoshmëri për të shpëtuar jetët e qytetarëve, ndryshe nga deklaratat e mëparshme kur kishte kërkuar që izolimet të shmangen.
"Sezoni vjeshtë-dimër vijon në Evropë duke shënuar rritje të rasteve të të infektuarve dhe rritje të përqindjes së vdekjeve ditore. Situata epidemiologjike në Evropë po shkakton shqetësim të madh", është shprehur drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Një ndër shtetet e cila ka marrë masat më ekstreme është Franca e cila ka kthyer në fuqi shtetrrethimin gjatë natës, në fuqi për katër javët në vijim. Në vend akoma vazhdojnë të dhëna tejet shqetësuese. Gjatë 24 orëve të fundit në Francë janë konfirmuar pozitiv 30 621 raste, ndërsa një ditë më parë ishin 22 591 raste.
Shkollat në rajonin jugor italian të Kampanias, përfshirë qytetin e Napolit, do të mbyllen për dy javë, pasi vendi regjistroi rritjen e tij më të lartë ditore të rasteve që nga fillimi i testimit masiv.
Në Republikën Çeke, shkollat dhe baret janë mbyllur, por infeksionet janë ende në rritje. Qeveria tha se po ndërtonte spitalin e saj të parë në terren për pacientët me koronavirus dhe u ka bërë thirrje mjekëve që punojnë jashtë të kthehen në shtëpi. Vendi me një popullsi prej 10.7 milionë banorë ka konfirmuar gjithsej 149,010 raste pozitive, që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, 50,000 prej tyre janë regjistruar javën e kaluar.
Në Gjermani baret dhe restorantet në zona me rrezik më të lartë duhet të mbyllen herët. Vendi regjistroi 6.638 raste të reja, shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë
Në Portugali, qeveria tha që grumbullimet do të jenë të lejuara deri në pesë persona. Dasmat dhe pagëzimet do të kenë një pjesëmarrje deri në 50 persona.
Në Holandë, të gjitha baret, restorantet dhe kafenetë u mbyllën në 14 Tetor, përveç shërbimet take away dhe familjet mund të kenë maksimumi tre mysafirë në ditë.
Lëvizja është e kufizuar në kryeqytetin rus Moskë dhe nga e hëna shkollat e mesme do të mbyllen.
Masa kufizuese të rrepta janë vendosur edhe në Poloni. Shumë rajone përfshirë edhe Varshava cilësohen zona të kuqe. Çka do të thotë se janë mbyllur edhe shkollat. Vendimet u morën pasi gjate te enjtes rastet me COVID-19 u rritën me 24 duke shtuar presionin në sektorin shëndetësor.