Sot, 21 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës 1998-1999, rreth një milion kosovarë u detyruan nga forcat paraushtarake serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni. 16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falenderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e shtëpisë për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova. Por këtë vit për shkak të pandemisë COIVD-19 ky përvjetor nuk u shënua me asnjë aktivitet.

Fidaim Dida nga fshati Pobreg i Kukësit, veteran i luftës së UÇK-së. Si çdo kuksian tjetër sot për herën e parë që nga viti 2000 nuk ka pritur ish të dëbuarit dhe bashkëluftëtarët me të cilët ka ndarë shtëpinë, bukën dhe frontin gjatë luftës në Kosovë. Shtëpia e tij ishte celula e parë të UÇK-së ku përcilleshin luftëtarët dhe armatimi.

"Atë ditë e kujtoj me dhembshuri por edhe me krenari si shqiptarë, dëbimin masiv të popullatës shqiptarë nga serbët, por e pritem me dhembshuri dhe gëzim për t'i dalë në ndihmë vëllezërve dhe motrave kosovare. Ne si familje i kemi ardhur në ndihmë 17 familjeve, kemi strehuar rreth 125 kosovarë. Shtëpia ime ishte vatra e luftëtarëve të UÇK-së që vinin nga diaspora, unë isha bashkëluftëtarë me ta", tha Fidaim Dida.

Jo vetëm shtëpia e Fidaim Didës që sot njihet si “sozia“ e Adem Jasharit, por dhe stani i tij buzë kufirit në Pikllimë u bë vatër e vërtetë e luftës dhe strehë e të dëbuarve kosovarë. Ndërkohë që nëna e tij Rabija që tani nuk jeton ka ushqyer, mjekuar e veshmbathur qindra ushtarë të UÇK-së.

"Në kemi dhe stane, atje kishim bazat e luftës ku u strehuam, mobilizoheshim dhe stërviteshim dhe merrnim rrugën drejt fronit të luftës në Kosovë. Dhe nëna ime i ndihmonte, ku kemi një përkujtim të madh në historinë e kësaj tragjedie. Lufta jonë ishte e drejtë ne nuk luftuam për pasuri por për të mbrojtur trojet tona. Ne i kemi ruajtur lidhjet, në vitet e tjera vinin të gjithë në shtëpi kosovarët që kemi strehuar por koronavirusi na ka mbyllur brenda, por i kujtojmë gjithmonë me mall dhe dashuri", tha Fidaim Dida. Për herë të parë në Kukës që nga viti 2000, nuk u përkujtua “Eksodi 99”, për shkak të pandemisë  Covid 19. Cdo vit në këtë datë në Kukës vinin kosovarë në shenjë falenderimi për mikpritjen e tyre.