Në nder të festave të Nëntorit, 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetorit të daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qytetin e Prizrenit, pasditen e së premtes u organizua ceremonia e zbulimit të shtatores së heroit të kombit, komandantit Tahir Sinani.
Figura e tij, e njohur si komandant i Zonës së Pashtrikut të UÇK-së dhe pjesëmarrës në tri luftëra në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës u nderua me pjeswmarrjen e figurave te njohura te UÇK-se dhe qytetareve nga Prizreni, Kukwsi e Tropoja vendjlindja e Tahir Sinanit.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë më shumë për nderimin e heronjve të UÇK-së, duke shtuar se Prizreni dhe komandant Tahir Sinani përbëjnë një pikë bashkimi gjeografik dhe shpirtëror të shqiptarëve në rrugën e çlirimit, ashtu siç e simbolizon edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Në fjalën e tij, gjeneral Kudusi Lame u shpreh se kjo ditë e pavarësisë së Shqipërisë, e ditëlindjes së Adem Jasharit dhe e paraqitjes publike të UÇK-së merr edhe një vlerë të shtuar me vendosjen e shtatores së Tahir Sinanit, të cilën e quajti “një medalje plus” për Prizrenin dhe kontributin e kësaj treve në luftën për liri.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe deputeti i PD-së, Isuf Çelaj. Si tropojan dhe njohës i familjes Sinani nga fshati Gri, ai tha se komandant Tahir Sinani është shembull i tri luftrave dhe duhet të zërë vend të merituar në tekstet e historisë sonë kombëtare.
Me emocion të veçantë foli edhe Rezart Sinani, djali i komandantit, i cili ishte vetëm pesë vjeç kur babai i tij ra dëshmor në malet e Gostivarit. “Përveç dhimbjes për humbjen e babait, do të kem gjithmonë krenarinë në zemër. Vendosja e kësaj përmendoreje është si rikthimi i babait në Prizren,” tha ai.
Tahir Sinani (25 maj 1964 – 29 korrik 2001) ishte oficer i Ushtrisë së Shqipërisë dhe komandant i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai mori pjesë në Luftën e Kosovës, në Luftën e Luginës së Preshevës dhe në luftimet e vitit 2001 në Maqedoni.
Komente








