Ndërka Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri është ndalur edhe tek investimet e huaja në Shqipëri, duke përmendur energjinë dhe turizmin, si dy sektorë me potenciale për investime.
Ku duhet të shkojnë paratë dhe kapitali i investitorëve? Në vitin 2014, a ofron Shqipëria ndonjë sektor me interes për të investuar? Apo duhet të vazhdojmë me energjinë dhe turizmin?
Fillimisht duhet të themi se për sa i përket sektorëve tradicionalë si energjia apo turizmi, ato janë shfrytëzuar pak dhe vazhdojnë të paraqesin probleme lidhur me koncesionet apo pronësinë e tokës. Kështu mund të themi se bregdeti i Shqipërisë është ende i pashfrytëzuar ndërsa minierat punojnë dukshëm nën kapacitete optimale. Por, për sa i përket investimeve, ekzistojnë edhe ide të tjera. Unë sapo jam kthyer nga Ëashingtoni ku kam diskutuar pikërisht për investimet në Shqipëri. Gjithashtu tek sa kam komunikuar me ambasadorin amerikan këtu, kemi arritur në përfundimin se sektori më i madh i ekonomisë shqiptare, është i paligjshëm. Ne në Amerikë kemi bërë të ligjshëm marijuanën në disa shtete ku mund të përmend qartazi shtetin e Ëashingtonit apo Colorados. Unë personalisht jam konservator, por përsëri jam ekonomist. Pra nëse ju jeni ndër prodhuesit më të mëdhenj të një malli që tregtohet në botë, por është i paligjshëm në Shqipëri, atëherë duhet të filloni të mendoni.
Pra ju po thoni se, duke menduar ekonomikisht, sektori i mbjelljes, përpunimit dhe shitjes së marijuanës, nëse do të ishte i ligjshëm, do të ishte një sektor fitimprurës për vendin tonë?
Unë jam pro.
Ta taksohej dhe të përfitonte buxheti i shtetit prej tij?
Ne e taksojmë në shtetin e Colorados në masën 25% të fitimit. Ju duhet të kuptoni se marijuana kur largohet nga paligjshmëria dhe trajtohet si produkt në aspektin ekonomik, atëherë kemi të bëjmë me diçka krejtësisht ndryshe. Së fundmi presidenti amerikan është shprehur publikisht se, fitimet nga tregtia e marijuanës mund të përfshihen edhe në sistemin bankar, sigurisht pas disa kontrolleve. Nëse Shtetet e Bashkuara, bota dhe sigurisht Shqipëria kanë dështuar në diçka, kjo është lufta kundër tregtimit të paligjshëm të marijuanës. Sot ka njerëz të burgosur për krime të cilat nuk quhen më të tilla. Sot që flasim, pas legalizimit, në disa shtete amerikane ky treg është i kontrolluar dhe fitimprurës si për operatorët ashtu dhe për shtetin.
Pra sot shteti amerikan mendon se si mund ta përdorë ekonomikisht këtë produkt?
Së fundmi në shtetin e Colorados, zyrat e taksave kanë arritur në përfundimin se të ardhurat nga ky produkt janë më të larta se sa parashikimi. Kështu që bilanci e tregon qartë se cila është ana pozitive. Tashmë shteti fiton më shumë nga sa kishte parashikuar.
Ju keni jetuar për shumë vjet në Shqipëri. A nuk mendoni se në vendin tonë do të ishte e vështirë të pranohej legalizimi i këtij produkti?
Arsyet e mungesës së statusit kandidat nuk janë feja e përhapur myslimane dhe as lëvizje të forta kundër Shqipërisë. Arsyeja kryesore është lufta e humbur kundër krimit të organizuar, pjesë e madhe e së cilës është dhe trafikimi i marijuanës. Ju jeni prodhuesi më i madh në Europë, dhe këtu nuk kemi kundërshtime. Nëse ju anatemoni një fakt i cili në të vërtetë po ndodh përditë e më shumë, atëherë ky është rasti. Ju keni 2 mundësi. Mund të deklaroni se jeni kundër përfundimisht dhe t’i shpallni luftë të hapur fshatit të famshëm Lazarat, por këtu e kam fjalën për luftë të vërtetë jo si kjo që keni bërë deri tani. Në anë tjetër, mundeni të filloni të mendoni ekonomikisht dhe do ta konsideroni marijuanën produkt duke e taksuar, tregtuar dhe sigurisht përfituar prej saj. Sepse për momentin ju jeni në mes të këtyre dy qasjeve. Ata që ju shohin nga jashtë, mendojnë se nuk jeni serioz, pasi edhe pse e dënoni, asgjë nuk ndryshon për prodhimin e marijuanës në Shqipëri. Ju tashmë jeni bërë si Meksika, e cila nga jashtë hiqet si shtet konservator me ligje të forta, por brenda të gjithë e dimë që është kaos. Mos u bëni kështu. Legalizojeni, taksoheni, futeni në ekonomi dhe kështu do të fitoni njëkohësisht dy herë luftën. Një herë kundër trafikut dhe njëherë kundër të ardhurave të ulëta në buxhet. Nëse të gjithë ndërgjegjësoheni, kjo do ishte një mundësi e mirë investimi.
Intervistë dhënë për Tv "SCAN"
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)