Kjo organizatë kërkon rishikimin e Rregullores së Funksionimit Të Këshillit Bashkiak Tiranë, për të siguruar që çdo qytetar i interesuar, të ketë mundësi të ndjekë mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë. CRCA kërcënon se nëse nuk zgjidhet kjo dhe disa kërkesa të tjera që ajo parashtron, atëherë “do të padisë pranë Gjykatës Kushtetuese, Nenin 39 të Rregullores së Funksionimit të Këshillit Bashkiak Tiranë, si një nen që haptazi kufizon të drejtën e qytetarëve për informim dhe pjesëmarrje në institucionet e tyre publike”.
Deklarata publike i drejtohet kryebashkiakut Lulzim Basha, kreut të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, sekretarit të Këshillit, Behar Zeneli, si dhe për dijeni trojkës së ambasadorëve të akredituar në Tiranë, Ettore Sequit të BE, Eugen Ëollfarth të OSBE, Aleksandër Arvizut të SHBA, por edhe krerëve të grupit të këshilltarëve, Ferdinand Ponit të të djathtëve dhe Aldrin Dalipit të të majtëve.
Thirrja publike e organizatës CRCA nis me skandalizimin dhe indinjimin nga trajtimi që Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka bërë gjatë mbledhjes së datës 28 shkurt, një prej anëtarëve të stafit drejtues të CRCA dhe dy vajzave të reja të grupit rinor të Lidershipit të Tiranës.
“Pavarësisht se CRCA ka ndjekur të gjitha procedurat standarde për akreditimin për ndjekjen e mbledhjeve të Këshillit, dje stafi ndihmës i Këshillit i ka nxjerrë jashtë duke i trajtuar në mënyrën më të shëmtuar dhe në mungesë të plotë të respektit për dinjitetin njerëzor të tre përfaqësuesit e CRCA”, bëhet e ditur në deklaratë.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri shkruan më tej në deklaratën e saj publike, se deri më tani përfaqësuesit e CRCA kishin qenë prezent në 6 mbledhje të Këshillit, gjatë vitit 2012.
“Në mbledhjen e datës 28 Shkurt 2012, CRCA kishte njoftuar Këshillin për praninë e vëzhguesve në mbledhje dhe nuk kishte hasur pengesa. Përfaqësuesit tanë ishin instruktuar nga punonjësit e Bashkisë që të paraqiteshin 30 minuta para fillimit të mbledhjes. Të tre vëzhgueset (vajza mosha 22-24 vjeç) u paraqitën 30 minuta përpara fillimit të mbledhjes dhe në fillim u lejuan të futeshin në sallë. Më pas iu komunikua se Salla e Mbledhjeve të Këshillit Bashkiak nuk ka hapësirat e duhura për të lejuar pjesëmarrjen e të gjithë personave të interesuar dhe se vendet e tyre ishin për drejtuesit. Mënyra e komunikimit ishte gjatë të gjithë kohës jo etike dhe jo e përshtatshme për një institucion publik, duke mos dhënë asnjë informacion nëse mbledhja mund të ndiqej duke qëndruar edhe në këmbë. Mbas një përpjekje të dytë vëzhgueset u futën përsëri në sallë dhe u nxorën përsëri nga aty, me justifikimin se “vendet janë për drejtorët e Bashkisë”. CRCA asnjëherë nuk ka kërkuar që të ketë vende-ulëse të rezervuara në këto mbledhje”, theksohet në deklaratë.
Që prej Janarit të vitit 2012 CRCA punon me një grup të rinjsh nga partitë politike dhe shoqëria civile, nëpërmjet “Lidershipit të të Rinjve të Tiranës”, për të nxitur pjesëmarrjen aktive të të rinjve në qeverisjen lokale, siç është edhe vëzhgimi i procesit të vendim-marrjes lokale, që realizohet në Këshillin Bashkiak të Tiranës, për të parë se sa dhe si ky këshill i dedikon kohë dhe buxhet zgjidhjes së çështjeve të të rinjve, grave dhe fëmijëve në Tiranë.
KERKESAT E CRCA
Duke u nisur nga kjo ngjarje shumë e rëndë, CRCA Shqipëri i rekomandon Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Kryetarit dhe Sekretarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, si dhe grupeve të partive politike në këtë Këshill, të marrin masat më të shpejta për ta zgjidhur këtë çështje, përfshirë edhe:
- Rishikimin e Rregullores së Funksionimit Të Këshillit Bashkiak Tiranë, për të siguruar që çdo qytetar i interesuar, të ketë mundësi të ndjekë mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë;
- Parashikimin në Rregullore të procedurave dhe mënyrave për ndjekjen e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak nga të interesuarit, si p.sh. vënia në dispozicion e një salle tjetër nga ajo ku zhvillohet mbledhja, ku qytetarët dhe grupet e interesuara, përmes një monitori apo mjeteve të tjera, të kenë mundësi të ndjekin mbledhjet e hapura të Këshillit;
- Sigurimin e transparencës ndaj qytetarëve dhe taksapaguesve të Tiranës, të cilët ju kanë besuar qeverisjen e qytetit;
- Sjellje etike nga stafi i Bashkisë Tiranë. Rishikimin e mënyrës së pritjes së qytetarit dhe mos lejimin e paragjykimeve personale të mundshme të stafit të Bashkisë ndaj qytetarëve.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)