TIRANË- Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nënshkruajnë brenda këtij viti një Marrëveshje Fitosanitare, e cila lehtëson shkëmbimet tregtare të produkteve bujqësore mes dy vendeve. Kjo është dakordësuar në takimin që pati sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, me homologun nga Maqedonia e Veriut, Trajan Dimkovski, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Çuçi tha gjatë takimit se të dy vendet kanë lidhje të forta me njëri-tjetrin dhe një axhendë të përbashkët në rrugën e integrimit europian. Rrjedhimisht duhet të intensifikohet bashkëpunumi në sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural.
“Pika më e rëndësishme e axhendës tonë dhe që kemi ardhur fazën ku duhet t’i japim zgjidhje, duke mos e zvarritur më, lidhet me Marrëveshjen e Bashkëpunimit Fitosanitar mes dy vendeve. Janë bërë hapa përpara që pas takimit të fundit në nivel ministrash duke e ulur nga 100% në 20% kontrollin e analizave fitosanitare. Ka ardhur koha që edhe këtë 20% ta rishikojmë”, tha ministri Çuçi, duke theksuar këtu faktin se prodhimet bujqësore shqiptare eksportohen sot në të gjitha vendet e Europës pa barriera dhe deri më tani nuk është shënuar asnjë kthim pas për çështje që lidhen me sigurinë e tyre.
Më tej ministri i shtroi homologut të tij një edhe problemin e eksportit të qumështit UHT nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut, duke i përmendur disa kompani shqiptare me standarde të larta që po pengohen nga autoritetit e vendit fqinj për të shitur produktetet e tyre.
Në vijim Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural shtroi edhe dy probleme të tjera të cilat duhen adresuar për zgjidhje; eksporti i kafshëve të gjalla drejt Maqedonisë së Veriut dhe administrimi i përbashkët i dy liqeneve kufitare në lidhje me peshkimin.
“Ne importojmë kafshë të gjalla nga Maqedonia e Veriut. Sinqerisht nuk e kuptoj përse kemi pengesa për të patur qarkullimin e kundërt; eksportin e kafshëve nga Shqipëria në vendin tuaj. Ka ardhur koha që të kemi një marrëdhënie reciproke të shëndetshme në lidhje me këtë lëvizje”, tha ministri Çuçi.
Në përfundim të dy ministrat u dakordësuan që tre grupe pune të ndjekin këto çështje në nivel teknik dhe më pas të mbërrihet tek nënshkrimi i marrëveshjes.