Skandali i transferimit të beftë dhe pa shpjegim, i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, ku mbahet në një birucë në izolim ka trazuar edhe mbledhjen e grupit parlamentar socialist mëngjesin e sotëm, pak para nisjes së seancës.

Deputeti socialist Bledi Çuçi i ka kërkuar llogari ministrit të Drejtësisë Toni Gogu mbi të gjithë procedurën e transferimit të Veliajt, dhe futjen e tij në izolim. Ministri është shprehur se që prej ditës së djeshme kishte nisur verifikimet për rastin. Por ka marrë një reagim të ashpër nga Çuçi i cili i ka thënë se “kot rri në atë zyrë, nëse ende nuk ke informacion për atë që ka ndodhur”.

Deputeti Çuçi, ka lexuar fillimisht letrën e shpërndarë mbrëmë në rrjetet sociale nga Veliaj, ku ai njoftonte se ishte vënë në izolim për 10 ditë, pa kujdes mjekësor, në një dhomë pa ujë e dritare.

“Këtë letër ma dërgoi avokati i Veliajt, meqënëse jam drejtues i Komisionit të Sigurisë”, ka shpjeguar Çuçi.

Ai ka kujtuar se Veliaj “është kryetar i Bashkisë në detyrë. Sa më larg Tiranës aq më e pamundur bëhet përmbushja e detyrës së tij, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Deputeti i PS ka folur për një cenim të rëndë të të drejtave të njeriut.

Debati mes Çuçit dhe ministrit Gogu

Çuçi: Kemi një transferim që bëhet pa miratimin e personit, pa shkresë të Drejtorit të burgut të Durrësit, e nuk dimë nëse ka ndonjë shkresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Gogu: I dashur Bledi shumë faleminderit që po e ngre këtë çështje. Do ishte mirë të ma kishte thënë personalisht, siç kemi folur dhe për gjëra të tjera. Por po të jap shpjegim edhe këtu në grup.

Çuçi: Po të flas si kryetar i Komisionit të Sigurisë, e po të kërkoj shpjegim në sy të të gjithëve.

Gogu: Jam marrë menjëherë me rastin. Sapo e kam marr vesh, kam kërkuar të gjithë praktikën.

Çuçi: A është bërë transferimi me ndonjë shkresë apo jo? Nëse ti nuk e di pasi kanë kaluar 24 orë, për çfarë rri ministër. Jep dorëheqjen?

Gogu: Atë e çmoj unë. Kam kërkuar informacion që dje.

Çuçi: Dhe ti ende nuk e ke këtë informacion?

Gogu: Do marr informacionin e plotë, pasi kam kërkuar inspektim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:29
Debatet brenda Grupit të PS pas izolimit të Veliajt në Fier, Balla: Kam kërkuar verifikim të rastit, të plotësohen kriteret që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve (VIDEO)

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur pas debateve të zhvilluara sot në mbledhjen e Grupit të PS, lidhur me transferimin në paraburgimin e Fierit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Referuar deklaratave të Erjon Veliaj se nuk iu vu në dispozicion urdhri i transferimit, deputeti Bledar Çuci, kreu i komisionit për Çështjet e Brendshme, i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, të bëjë publike dokumentin zyrtar të Drejtorisë së Pergjithshme të Burgjeve, mbi të cilin është bërë transferimi i Veliajt.

Balla tha se çështja e transferimit të Veliajt në Fier dhe procedura e ndjekur, duhet të trajtohet me përparësi, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke respektuar të gjitha standardet ndërkombëtare.

“Jo për shokun tim Erion Veliaj, por për këdo tjetër, kushdo që më ka dërguar si deputet një ankesë, padyshim që ja kam kaluar ministrave të Drejtësisë. Rasti në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu. Edhe nga ish-Presidenti Ilir Meta kam marrë ankesa. Do verifikohet jo vetëm nga Avokati i Popullit e ministri i Drejtësisë. I kam kërkuar Komisionit të Mbikëqyrjes, në kuadër të punës që ka, të mbikëqyrë këtë çështje. Kam besim që edhe çështja në fjalë do të duhet të trajtohet në kuadër të procesit të integrimit në BE, ku duhet të plotësohen të gjitha kriteret që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve”, tha mes të tjerash Balla.