Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi deklaron se eksporti i prodhimeve bujqësore në 6-mujorin e parë të këtij viti. Ai tha se Shqipëria vazhdon të jetë në 20 vendet e para në botë për eksport të domates. Çuçi tha se këto rezultate nuk janë të rastësishme pasi vijnë si fryt i stratgjisë së ndjekur nga politikat për zhvillim rural.
“Shifrat për 6-mujorin e parë të këtij viti janë vërtet impresionuese po t’i krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në total sektori bujqësor ka një rritje me 24.1%. Grupi i perimeve vazhdon të ruajë pozitat e ‘kampionit’ në eksportin e prodhimeve tona bujqësore. Shqipëria vazhdon të jetë një ndër 20 vendet e para në botë për eksport të domates në volum. Në grupin e perimeve kemi edhe produkte të vecanta me rritje që shkon mbi 80%. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe natyrisht një tregues inkurajues për të gjithë fermerët tanë. Unë besoj se rritja e eksporteve nga viti në vit është një lloj çertifikimi që iu bëhet prodhimeve tona bujqësore dhe garanci për këdo që i konsumon ato.
Këto zhvillime pozitive nuk janë të rastësishme. Politikat që ne kemi ndjekur në ndihmë të bujqësisë dhe zhvillimit rural po i japin frytet e tyre. Stimulimi dhe forcimi i pikave të grumbullimit si hallka kyçe mes fermerit dhe tregut po jep rezultate. Po kështu përmend këtu edhe mbështetjen përmes Skemës Kombëtare, Programit IPARD, heqjen e TVSH-së për imputet bujqësore, heqjen e TVSH-së për makineritë dhe investime të tjera në infrastrukturën ujitëse e kulluese”,përfundoi ministri Çuçi.