TIRANE- Realizimin e një modeli të ri të ndarjes administrative-territoriale në vend, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, e ka cilësuar si një reformë urgjente. I ftuar në studion e “A1 Report”, Ministri Çuçi tha se edhe nga ana e kryetarëve të komunave e bashkive në vend ka një konsensus të gjerë për këtë reformë, duke shtuar se “50 % e këtyre njësive të qeverisjes vendore nuk kryejnë asnjë funksion, nuk japin shërbime, apo nuk gjenerojnë të ardhura”.

Sipas ministrit për Çështjet Vendore, sistemi i ndarjes administrative-territoriale duhet rimodeluar për t’iu përshtatur modelit ekonomik e politik të vendit.

“Duhet rimodeluar sistemi i ndarjes administrative-territoriale. Harta që kemi tani është bërë para viteve ‘90 kur kishin një tjetër ekonomik dhe politik, por më ndryshimin e këtij modeli, duhet ndryshuar edhe modeli i ndarjes administrative. 50% e komunave nuk kryejnë asnjë funksion, nuk japin shërbime, apo nuk gjenerojnë të ardhura. Kriter për përcaktimin e njësive vendore është padyshim numrii popullsisë. Ka komuna që shpenzojnë 80% të buxhetit të tyre për shpenzime administrative. Qëllimi final i qeverisjes nëpërmjet instrumentit të decentalizimit është që të kemi shërbime sa më cilësore dhe efikase në komuna e bashki dhe të promovohet zhvillimi. Nëse ky qëllim nuk arrihet ne duhet të shohim shkaqet. Dhe aktualisht kemi evidentuar se shkak është ky model aktual i ndarjes administrative të vendit”, u shpreh ministri Çuçi.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore tha se për realizimin e një reforme të tillë do të merren për bazë një sërë faktorësh, shoqërorë, gjeografikë, ekonomikë, etj.

“Kur bëhen reformat e tilla, merret në konsideratë edhe terreni, shtrirja, gjeografia. Do të lihen zyra shërbime në qendrat ku më parë për shembull kanë funksionuar komunat apo bashkitë. Ka konsensus edhe nga vetë drejtuesit e komunave dhe bashkive në vend, lidhur me rishimikimin e modelit të ndarjes admisnitrative, dhe modelin suedez e kanë kërkuar të parët vetë ata, pasi po e vërejnë se nuk po i shërbejnë dot komunitetit ashtu siç duhet. Pra ata janë dakord për rishikimin dhe një reformë për ndarjen e re administrative –territoriale. Padyshim që ne nuk jemi në pikën zero, një refomë e tillë ka filluar që ne 2003, ku është propozuar një ligj në parlament, por që për shkaqe politike nuk u miratua. Por duhet të vazhdojmë të ecim përpara me projektin. Për të filluar diskutimet me komunitetin, për të parë edhe mënyrë sesi do vijohet”, theksoi Ministri.
 
Duke u ndalur tek rekomandimi i Komisionit Europian, dhe kreut të delegacionit të BE në Shqipëri, Ettore Sequi, për më shumë bashkëpunim dhe konsensus, ministri Çuçi tha se opozita edhe e ftuar që të marrë pjesë në të gjitha hallkat e këtij procesi, sa i takon reformës së re të ndarjes administrativo-territoriale.

“Ne kemi hapur dyert, kemi ftuar që nga dita e parë që kemi marrë një iniciativë të tillë, edhe opozitën që të marrë pjesë gjerësisht në të gjitha hallkat e procesit. Edhe në konferencën e djeshme kishim ftuar zotin basha në cilësinë e kryetarit të bashkisë më të madhe në vend, por që fatkeqësisht nuk erdhi. Ky është vetëm fillimi. Ne do e mbajmëhapur këtë kanal, dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim në këtë drejtim”, tha ministri Çuçi.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)