TIRANE - Reshjet e shiut e të dëborës si dhe ulja e temperaturave në vendin tonë, kanë sjellë bllokimin e disa akseve rrugore, përmbytje në disa zona si dhe mungesën e furnizimin me energji elektrike. Reshjet e dëborës kanë përfshirë pothuajse të gjitha vendet malore, ku trashësia e saj në zonat e qarkut të Korçës shkon nga 10-30 cm, ndërsa në rrethin e Malësisë së Madhe, i cili ndodhet para situatave problematike pasi trashësia e dëborës i ka kaluar 50 centimetrat. Kukësi dhe disa fshatra në Korçë kanë pasur mungesë të furnizimit me energji elektrike për disa orë. Ndërsa në aksin Morinë-Kukës-Kalimash dëbora ka arritur deri në 40 centimetra.


KUKESI PA DRITA, DEBORA 40 cm, PROBLEMATIKE RRUGA E KOMBIT

Reshjet e dendura të dëborës që kanë përshirë Kukësin që prej mbrëmjes së kaluar, kanë vështirësuar kalimin në Rrugën e Kombit. Dëbora ka arritur deri në 40 centimetra në aksin Morinë-Kukës-Kalimash duke detyruar autoritetet rajonale të punojnë me 5 borëpastruese vetëm në këtë rrugë, për ta mbajtur të hapur. Kalimi është i detyrueshëm vetëm me zinxhirë. Sipas drejtorit rajonal të rrugëve në këtë aks, ka pasur probleme gjatë gjithë natës, sepse erërat e forta dhe temperaturat e ulëta kanë ngrirë borën e rënë.

Por të bllokuara rezultojnë dhe shumë akse të tjera rrugore si dhe komunat Arrën, Kalis, Grykë-Cajë, Lekëbibaj si dhe dhjetëra fshatra të komunave Surroj, Zapod, Shishtavec, Topojan, Golaj, Fajza, Bujan, Llugaj, Tropojë e vjetër e të tjerë. Ndërkohë i gjithë Kukësi, Hasi e Tropoja me rreth 128 mijë banorë nuk u furnizua me energji elektrike për afro 5 orë ,nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 12:00 të ditës së sotme për shkak se është dëmtuar linja e transmetimit të energjisë Fushë-Arrëz-Kalimash. Ndërkohë edhe pas riparimit të linjës 110 kv, të gjithë komunat e rrethit të Kukësit si dhe rrethit të Hasit vijojnë të mos furnizohen me energji elektrike që nga ora 17:00 e ditës së djeshme për shkak se stuhia e dëborës ka shkatërruar linjat e tensionit të ulët. për të mos mjaftuar e gjithë kjo situatë negative në rrjetin elektrikë sërish janë shfaqur mungesa të energjisë elektrike në qytetin e Kukësit dhe të Krumës, ku sipas informacioneve të marra pranë CEZ-Shpërndarje në Kukës linja e Hc/të Ulëzës nuk përballon konsumin e energjisë elektrike, duke lënë pa energji për orë të tëra banoret ne këto temperatura ekstreme. (Nga Bekim Lekica)

SKRAPAR, DEBORA IZOLON DHJETERA FSHATRA
Reshjet e dendura të dëborës ku trashësia arrin deri në 40 centimetra si dhe moti i acartë i ditëve të fundit ka bërë praktikisht të pakalueshëm rrugët që lidhin qytetin e Çorovodës (Skrapar) me të paktën katër komuna që përfshijnë dhjetëra fshatra të zonës. Konkretisht, deri një ditë më parë ku ende sipas konfirmimeve të autoriteteve lokale rezultojnë të bllokuara akset rrugore; Çorovodë-Qafa e Devrisë ; Çorovodë-komuna Leshnje, Çorovodë – Gjerbës; Çorovodë – komuna Dobrenjë duke përfshirë dhe lidhjet me fshatrat e tjerë si Turbehovë, Bujanik, Kulmak, Ccorotatë, Dobrushë, Mëlovë, Davidh, Tomorricë, Cerovë etj, ndërkohë që në komunën Potom konfirmohet se erërat e forta kanë shkatërruar çatitë e shtëpive.

PROBLEME NE QAF-PLLOC‏
, BLLOKOHEN AUTOMJETET
Reshjet intensive të borës në Rajonin e Korçës kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve. Problematike është situata në Qaf-Pllocë, ku si pasojë e reshjeve kanë rrëshqitur dy furgona,por pa pasoja në njerëz, duke krijuar kështu vetëm radhë. Në terren është ndërhyrë me borëpastruese. I kontaktuar në telefon, përgjegjësi i rrugëve Nacionale, Genti Pere bëhet e ditur se automjetet që kanë rrëshqitur kanë qenë pa zinxhirë. Sipas tij në fund të Qaf-Pllocës janë ndaluar nga policia të gjitha automjetet që nuk janë pajisur me zinxhirë. Z.Pere ka konfirmuar gjithashtu se nuk do të lejohet të lëvizë asnjë automjet,të kalojë nga Qaf-Plloca pa u pajisur më parë me mjetet lëvizëse dimërore. Ndërkohë me zinxhirë është e kalueshme Qafa e Qarrit,Qaf- Thana si dhe pika turistike e Dardhës. Nga zonat rurale mbetet i bllokuar fshati Panarit. Ndërsa janë të kalueshme me vështirësi dhe me zinxhirë vetëm nga automjetet e rënda, fshati Shtyllë, Lekas. (Nga Dafina Ismaili)

KORCE, QYTETI MBULOHET NGA BORA‏

Reshjet intensive të borës në juglindje të vendit pas zonave të thella malore në lartësinë mbi 1000 m, tashmë kanë mbuluar dhe qytetin e Korçës. Gjatë mbrëmjes, por dhe në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele i gjithë qyteti ka filluar të zbardhet, ndërkohë që temperaturat e ulëta nën zero kanë krijuar vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve. Në qytet trashësia e borës ka arritur deri në 3 cm, ndërsa në zonat e tjera të qarkut trashësia e reshjeve shkon nga 10-30 cm. Më problematike, ku këshillohet dhe përdorimi i zinxhirëve, paraqitet Qaf-Thana, Qafa e Qarrit si dhe Qaf-Plloca. Edhe drejt zonave malore si Dardhë, Voskopojë, Lekas, Vithkuq si dhe në zonën e Mokrës në Pogradec, mjetet janë të detyruara për shkak të borës, por në pjesë të caktuara dhe të prezencës së akullit, të lëvizin me zinxhirë. Reshjet e borës, shoqëruar dhe me erë të fortë kanë krijuar gjithashtu dhe problemet e para përsa i përket furnizimit me energji elektrike. Bëhet e ditur se fshatra të thellë, por dhe pranë qytetit kanë pasur mungesë të energjisë për disa orë. Bëhet fjalë për fshatrat Miras, Cërravë dhe Dvoran. (Nga Dafina Ismaili)

MALESIA E MADHE PROBLEMATIKE, TRASHESIA E BORES 50 cm
Rrethi i Malësisë së Madhe ndodhet para situatave problematike pasi trashësia e dëborës i ka kaluar 50 centimetrat. Akset kryesore kalohen me vështirësi nga automjetet të cilët duhet të jenë të pajisur me zinxhirë. Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe ngricat janë prezente kudo.

Në qarkun e Shkodrës janë rikthyer reshjet e dëborës. Situata paraqitet më problematike ne rrethin e Pukës si dhe në rrethin e Malësisë së Madhe ndërsa probleme ka edhe në komunat e thella të rrethit Shkodër. Ulja e temperaturave si dhe reshjet e shumta të borës, kanë bërë që shumë komuna në zonat malore të përballen me probleme, ndërsa dëbora ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore. Sipas informacioneve zyrtare të prefekturës së qarkut Shkodër, gjatë 24 orëve të fundit pothuajse e gjithë pjesa malore e territorit të qarkut Shkodër është përfshirë nga reshjet e dëborës të cilat po vazhdojnë edhe gjatë ditës së diel në rrethin Malësi e Madhe. Në rrethin Shkodër, në akset e rrugëve rurale të Qafë-Thores dhe aksi i Prekalit që lidhet më komunat Shalë, Shosh, Pult, trashësia e dëborës në qendër të komunës Shalë është 50 cm. Në rrethin Pukë, trashësia e borës në Qafë Mali është 60 cm, ndërsa në qytetin e Pukës rreth 15 cm, aktualisht reshjet e dëborës kanë pushuar. Rrugët nacionale në këtë rreth janë të kalueshme me zinxhirë. Gjatë gjithë natës kane punuar mjetet e Drejtorisë Rajonale të rrugëve duke pastruar dëborën dhe duke mbajtur të hapur rrugën nacionale. Furnizimi me energji elektrike është ndërprerë mëngjesin e së dielës në bashkinë Pukë dhe Fushë-Arrëz për shkak të një defekti të linjën e tensionit të lartë në komunën e Fierzës që furnizon rrethin Pukë. Në rrethin Malësi e Madhe, reshjet e dëborës vazhdojnë edhe gjatë ditës së diel. Në Aksin rural Selcë-Vermosh trashësia e dëborës është 50 cm, ndërsa akset e tjera nacionale dhe rurale janë të hapura. E ndërkohë efektivët e policisë rrugore i bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë drejt rrethit të Pukës që të përdorin zinxhirë pasi në rast të kundërt mund të kenë probleme me qarkullimin në këto akse ku trashësia e dëborës është e konsiderueshme. (Nga Elvis Nabolli)

(Gre.M/Shqiptarja.com)