Çfarë duhet të bëjnë organet e Drejtësisë kur një person kapet për kryerjen e një vepre, të njëjtë ose të ngjashme, për çfarë së paku një herë është dënuar me vendim gjykate? Sigurisht, për secilën vepër të dënueshme ekzistojnë edhe masat adekuate, dhe ato zbatohen.

Mirëpo jo gjithherë këto masa kanë qenë të mjaftueshme, ose e kanë arritur efektin e duhur. Prandaj, nuk do të ishte keq që, në një të ardhme jo të largët, të shqyrtohet mundësia e një rishikimi të krejt sistemit të masave ndëshkuese.

Sepse janë disa dënime që, ndonëse shqiptohen, janë të buta e të papërshtatshme për disa vepra të caktuara.
Ta zëmë, nëse policia ka zënë “me presh në dorë” një vjedhës xhepash, recidivist, masat ndëshkuese ndaj tij janë standarde. I ndaluari vuan dënimin dhe lirohet. Gjithçka në rregull.
Mirëpo janë disa vepra më të rënda, si në aspektin penal ashtu edhe në atë moral, për të cilat dënimi, ta zëmë me disa muaj burgim, nuk është i mjaftueshëm. Çfarë të bëhet me këso rastesh?

Kemi qenë dëshmitarë që X persona janë dënuar për keqpërdorim detyre, për abuzim me paranë publike e të tjera, dhe pasi kanë vuajtur dënimin për veprën, të cilën gjithmonë e kanë mohuar, janë rikthyer në vendin e punës dhe kanë vazhduar të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Por situata është krejt e ndryshme në rastet kur, për shembull, një individ është dënuar për një vepër të ulët moralisht, sikur dhunimi, marrëdhëniet ose ngacmimi seksual i ndonjë të mituri. Akoma më keq bëhet kur dhunuesi është dikush që do të duhej të ishte shembull i sjelljes, i moralit, i gjithçkaje.

Pra, kur ai është një mësimdhënës, i cili ka abuzuar me nxënësit e tij.
Dhe, nga tri këso rastesh, pra me akuza kundër mësimdhënësve që kanë keqpërdorur nxënësit e tyre, të cilat u bënë publike javën e kaluar, së paku njëri prej tyre u kuptua se për vepër të ngjashme pedofilie ishte dënuar edhe vite më parë.

Në këso rrethanash del në pah se dënimi i aplikuar ndaj tij dhe secilit tjetër që ka kryer vepër të njëjtë ka qenë ose i butë, ose jo i mjaftueshëm sa për ta bindur që të mos e përsëritë veprën për të cilën është shpallur fajtor.

Prandaj, për këso veprash dhe të ngjashme ndryshimi i masave ndëshkuese është më se i domosdoshëm. Sepse, për kriminelë të tillë nuk është i mjaftueshëm vetëm qëndrimi për ca kohë në qeli.

Ndaj njerëzve të tillë duhet shqiptuar edhe dënime të tjera. Edhe dënime morale. Duhet që, siç thotë populli, “t’u qitet faqja e zezë”. Dhe, emrat e këtyre mësimdhënësve faqezinj, të cilët iu bashkuan hallkave të zinxhirit të të këqijave të pafundme të këtij vendi, duhet të gdhenden në pllakën e turpit.

Përveç dënimeve siç e parasheh ligji, ata meritojnë edhe më shumë. Duhet t’u ndalohet përjetësisht puna me fëmijë, ose me nxënës. Përjashtimi ose pezullimi nga puna (ani me pagesë, siç u vendos ndaj njërit - demek deri në sqarimin e plotë të rastit), është një ndëshkim që nuk i dekurajon ata. Përkundrazi.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)