TIRANE- Palestinezi Anwar Rizik ka pasur gjithmonë shqetësime kur në ambjentet e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë zhvilloheshin protesta nga banorët e tokës mbi të cilën është ngritur fabrika. Këto shqetësime gjithmonë 43-vjeçari ja ka paraqitur bashkëshortes dhe familjarëve të tij, por në fakt asnjëherë nuk e ka kapur paniku për të marë masa sigurie. Bashkëshortja e palestinezit Anwar Rizik është marrë në pyetje nga anëtarët e grupit të hetimit ku në praninë edhe të një psikologe, Elda ka pohuar se Rizik shfaqte gjithnjë shqetësime në momentet kur banorët bënin protesta ose kur informohej lidhur me vënien e eksplozivëve afër fabrikës së çimentos.

Gjatë dëshmisë së saj, Elda u ka treguar hetuesve se 43-vjeçari kishte marrë kërcënime të drejtpërdrejta, por në fakt në asnjë rast ai nuk i njihte kërcënuesit, të cilët ankoheshin gjithmonë për zënien e tokës nga fabrika si dhe tymrat e shumtë që dilnin prej saj. E pyetur nga specialistët e hetimit nëse kishte ndonjë rast kur pronarët e tokës kishin ardhur në shtëpi për të kërkuar lekët apo për tu sqaruar, ajo ka pohuar se në dijeninë e saj në asnjë rast në shtëpi nuk ka mbërrituar asnjë prej pronarëve të tokës për të kërkuar lekët. Pas dëshmisë së bashkëshortes së 43-vjeçarit Anwar Rizik, në pyetje është marrë dhë vëllai i tij Ramiu. Ky i fundit në dëshminë e tij ka qëndruar në të njëjtën linjë me dëshmitë e tjera, duke pohuar se nga bisedat që bënte në internet më vëllain, në disa raste ai i është ankuar për konfliktet dhe problemet që kishte gjatë punës me disa prej banorëve të zonës ku ishte ndërtuar fabrika.

EKSPERTIM TABULATEVE TE TELEFONIT

Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ekspertimin e telefonit të 43-vjeçarit të ndjerë, Rizik si dhe u është kërkuar informacion kompanive celulare, lidhur me tabulatet telefonike. Ajo që shpresohet në këtë drejtim është gjetja e ndonjë prej numrave të pronarëve të tokës në celularin e viktimës, nga ku do t’i orientonte anëtarët e grupit hetimor mbi një person të dyshuar si autor të kësaj ngjarje të rëndë. Ndërsa për sa i përket trupit të të ndjerit, burime pranë Institutit të Mjekësisë-Ligjore thanë se trupi Anwar Rizik është tërhequr nga vëllai i tij rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme, ku është nisur më pas në drejtim të aeroportit të Rinasit. Nëpërmjet një linje ajrore mësohet se ai ka udhëtuar nga Shqipëria në Turqi dhe prej këtej në drejtim të Palestinës, vend në të cilin do të varroset trupi i pajetë i 43-vjeçarit. Ky i fundit u ekzekutua katër ditë më parë në derën e shtëpisë së tij, në të cilën ishte vendosur një granatë artizanale.
(sg/shqiptarja.com)