TIRANE - Dy femra të dëmtuara gjatë grabitjeve të Viktor Gushit, personit të arrestuar disa muaj më parë për dhjetëra grabitje, mes tyre me pasojë vdekjen, kanë dhënë dëshmitë e tyre në seancën e së hënës në gjyqin në ngarkim të tij.

Vjollca Hakrama, arkëtare e ujësjellësit afër stadiumit “Dinamo” tha para trupit gjykues se në korrik të vitit 2010, një person me kapele në kokë, pistoletë në dorë dhe qese në dorën tjetër i ka kërkuar paratë që gjendeshin në arkë. “Në fillim i thashë që nuk kisha asnjë lek në arkë, por pasi qëlloi në ajër i dhashë ca para dhe u largua” – deklaroi gruaja.

Sipas saj, në muajin dhjetor, i njëjti person kishte mundur të marrë nën kërcënimin e armës sasi tjetër parash. Pas Hakramës një tjetër grua ka dëshmuar në sallën e gjyqit. “Kam qenë në zyrë e ulur në tryezën time, por nga aty mund të shihja pjesën e arkës. Kam parë kur është futur dhe ka nxjerrë armën. Më pas shtypa alarmin dhe erdhi policia”, dëshmoi ish-Drejtoresha e Bankës.

 Në seancat në vazhdim priten të tjera dëshmi të prokurorisë, të cilat implikojnë Gushin drejtpërdrejt në krimet për të cilat akuzohet.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)