Daçiç: Serbia nuk do të largohet
kurrë nga veriu i Kosovës

Daçiç: Serbia nuk do të largohet<br />kurrë nga veriu i Kosovës
MITROVICE- Serbia nuk do ta lëshojë kurrë veriun e Kosovës, ka thënë të premten kryeministri serb, Ivica Daçiç në veri të Mitrovicës.

Këto mesazhe, ai i ka drejtuar në një tubim zgjedhor të Iniciativës Qytetare Serbe e njohur edhe si “lista serbe”.

Bashkë me kryeministrin Daçiç, në këtë tubim kanë marrë pjesë edhe ministrat Aleksandar Vulin dhe Zorana Mihajloviç si dhe përfaqësues të “listës serbe”.

Pjesëmarrja e delegacionit të nivelit të lartë qeveritar serb në këtë miting, ishte shprehje e mbështetjes që Beogradi i jep “listës serbe” në zgjedhjet lokale në Kosovë nëpër komunat ku komuniteti serb përbën shumicën.

Për shkak të incidenteve që ndodhën më 3 nëntor, votimet do të përsëriten në 3 qendra votimi në Mitrovicë.

Për këtë arsye, Daçiç ka qëndruar të premten në Mitrovicë ku ka ftuar komunitetin serb që të dalë në votimet e të dielës më 17 nëntor dhe të mos lejojë, siç ka thënë ai, që në krye të Mitrovicës veriore të vjen një shqiptar.

“Serbia nuk do ta braktisë kurrë dhe nuk do t’i harrojë kurrë serbët e veriut të Kosovës”, ka thënë Daçiç.

Sipas tij, Serbia nuk është larguar nga Kosova, përkundrazi është duke konstituuar institucionet e saj nëpër komunat ku jeton ky komunitet.

Më pas ai ka porositur serbët se ata duhet ta dëgjojnë shtetin serb, në mënyrë që Serbia të mund të vazhdojë me praninë e vet në veri.

“Po të mos ishte Serbia, nuk do të ishte edhe ky territor ku sot kemi katër komuna të mëdha e të rëndësishme serbe”, ka thënë Daçiç.

Sipas tij, është me rëndësi që serbët e Kosovës të marrin pushtetin në 10 komunat ku janë shumicë, pasi që ndërhyrja e dhunshme, nuk është më e mundur që të ndodhë.

Ndonëse ka shprehur simpati edhe për ndërhyrje me forca në Kosovë, Daçiç ka thënë se kjo sot nuk është e mundur.

“Serbia sot, nuk mund t’ju ndihmojë me pushkë dhe tanke. Nuk mundet, jo pse nuk donë, por sepse nuk i lejohet dhe se në atë betejë nuk mund të del fituese”, është shprehur Daçiç.

Ai i ka siguruar serbët e veriut se e ushtrisë e ardhshme e Kosovës nuk do të guxoj të zbarkoj kurrë në veri. Thirrja për të dalë në zgjedhje, sipas Daçiçit, serbëve lokalë nuk u bëhet se Beogradi edhe ka shumë dëshirë, por se kjo është zgjidhja e vetme.

“Ne nuk u ftojmë të dilni në zgjedhjeve që të ndihmoni Thaçin apo Prishtinën, por ne u ftojmë të dilni në zgjedhje sepse kjo është mënyra e vetme që serbët të marrin pushtetin, i cili do të njihet si nga Prishtina ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare pa të cilin nuk mund të bëjmë asgjë”, është shprehur në vijim Daçiç.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri serb është shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e listës serbe, dhe së bashku kanë shëtitur nëpër qytetin e Mitrovicës.

Duke i dhënë mbështetje të plotë listës serbe që të fitojë në të gjitha komunat ku jetojnë serbët, Daçiç ka shpalosur edhe skenarin e konstituimit të organeve lokale, të cilat ai i ka quajtur serbe.

“Të ecim hap pas hapi: Fitore në zgjedhje lokale, konstituimi i bashkësisë së komunave serbe, zgjedhja e kryetarit dhe këshillit ekzekutiv, pastaj konstituimin e organeve tona, policisë dhe gjyqësisë aty ku serbët jetojnë”, i është drejtuar masës së tubuar Daçiç.

Për dallim nga gjendja e para dy javëve, tani në Mitrovicën veriore, dominojnë panot me thirrjet për dalje në zgjedhje dhe jo ato për bojkot.

Thirrjet janë të shoqëruara edhe me mesazhin për të votuar listën serbe, e cila po mbështetet fuqishëm nga qeveria e Beogradit.

Autoritetet e atjeshme, po pretendojnë që Mitrovica e veriut të jetë qendra e re administrative serbe, ku do të vendoset edhe Asociacioni apo Bashkësia e Komunave Serbe, organ ky i dalë si rezultat i Marrëveshjes së 19 Prillit në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë–Beograd.

Përmes këtij organi, serbëve lokal u është premtuar një shkallë më e lartë e vetëqeverisjes lokale, përderisa katër komunat veriore do të kenë kompetenca shtesë.

Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris