BEOGRAD - Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka komentuar vendimin e dhënë sot nga UEFA për ndeshjen Serbi-Shqipëri, ku pavarësisht dhunës dhe racizmit serb, fitorja i shkoi në tavolinë 3-0 këtyre të fundit. Sipas Daçiç, nga verdikti i UEFA-s, të dyja palët kanë dalë të humbura, ndërsa shton se sipas tij, vendimi më i mirë do të ishte që ndeshja të riluhej edhe një herë.
 
Ministri i Jashtëm serb shprehet se ky është edhe qëndrimi i qeverisë, por nënvizon se në rajon ka ende probleme të pazgjidhura.
 
"Ky është qëndrimi i qeverisë por padyshim në rajon ka ende probleme të pazgjidhura," tha Daçiç.
 
Ministri serb është ndalur edhe në anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, zyrtarizimi i së cilës pritet të bëhet në dhjetor. Daçiç ka theksuar se dikasteri që ai drejton do të bëjë gjithçka të jetë e mundur që anëtarësimi i Kosovës të mos ndodhë, duke shtuar se kjo më parë duhet diskutuar dhe jo të merret si një fakt i kryer, për faktin se Serbia ende nuk njeh shtetin e Kosovës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)