Kryedemokrati Sali Berisha ka mbledhur ditën e sotme Kryesinë e PD-së, në një moment kur protestat e dhunshme në vend po vijojnë në ditën e nëntë.

Që në nisje të fjalës së tij, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se nuk është i sinqertë në ftesën për dialog drejtuar protestuesve.

Paralajmërimet e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një ‘black-liste’ për protestuesit e dhunshëm, Berisha i cilësoi si kërcënime, që sipas tij bëhen vetëm nga narkodiktatorët.

Për Berishën, kryeministri Edi Rama është në panik nga protestuesit dhe sipas tij, fundi i qeverisë socialiste në pushtet është më afër se kurrë.

“Edi Rama nga paniku i tmerrshëm që e ka ngërthyer, frika e madhe se dita e llogarisë po vjen, ka humbur logjikën, arsyen dhe është lëshuar në kërcënime bajate, vulgare që faktojnë të gjithë arketipin e tij psikologjik, genet e paraardhësve të tij prej xhelatësh dhe vazhdon kërcënime nga më të ndryshmet ndaj protestuesve. Në mëngjes i fton për dialog. Pasi ia përmbysin karriget, del tani me fjalim tjetër me bankierët dhe mendon se fuqia monetare e bankave do mund ta kthejë kundër protestës. Bankat janë biznese, të cilat nuk funksionojnë sipas parimeve të një narkodiktatori, por funksionojnë sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të sektorit bankar financiar. Sot ai kërcënoi protestuesit për blacklistime, për linçime, për heqje pasaportash udhëtimi, për bllokimi të transportit publik. I nxjerr të gjitha nga arkiva e etërve të tij. Kërcënon se do u bëjë ngarkim zhdëmtimin”, tha mes të tjerash Berisha.

Pretendimet e kryeministrit Rama se në protestën që po zhvillohet në Shqipëri ka elementë të lëvizjes ‘Antifa’, Berisha i cilësoi si të pabazuara. Kjo ‘kartë’ sipas Berishës përdoret nga Rama për të mashtruar partnerët ndërkombëtarë.

Për Berishën, protestuesit janë ngritur kundër vjedhjeve masive të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Kryedemokrati akuzoi gjithashtu Ramën se ka organizuar sulme kundër selive të PD-së në të gjithë Shqipërinë.

“Ky sillet si një padrino. Ky bën çdo gjë për të krijuar një mburojë dhe për të paraqitur këtë lëvizje çlirimtare studentore si një ANTIFA. Asnjë element të ANTIFA-s. Zero Lëvizja është kundër vjedhjeve të tmerrshme të tij. Ua ka përzënë ky me politikën e tij dhe tani kalon si monstër nga një fjalë në një fjalë tjetër duke menduar se do mashtrojë komunitetin ndërkombëtar se këta janë ANTIFA. Këta nuk janë ANTIFA. Dhe pikërisht dështoi në mënyrën më të turpshme kur ky u përpoq t’u japë pamjen ANTIFA dhe organizoi sulmin ndaj selisë së PD. Dhe organizoi sulmet ndaj selive të PD në të gjitha rrethet.

Se kjo i duhej atij të thoshte se ja këta nuk e kanë me mua, nuk e kanë me korrupsionin tim, nuk e kanë me drogën, nuk e kanë me narkoshtetin, këta janë anarkistë shkatërrimtarë. Dhe u detyrua në fund të përdorë narkopolicinë e tij për të sulmuar selinë. Të gjitha projektet e tij për të sulmuar selitë me polici kriminale, me agjentë civilë të policisë kriminale dhe Jago, ekstremistë të majtë të penetruar në protestë, kanë dështuar. Letra e ANTIFA-s iu dogj Edi Ramës”, shtoi Berisha.

Akuza Berisha hodhi edhe ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila sipas tij, në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama, kanë vjedhur mbi 12 milionë euro.

Ndërsa kryeministrin Rama e paralajmëroi të japë dorëheqjen sa më parë, duke i kujtuar edhe fatin e Ramiz Alisë dhe Nikola Çausheskut.

“Ky vetëm në punë publike me Lubi Ballukun dhe lukuninë e tij kanë vjedhur mbi 12 miliardë euro. Ky duhet të ikë sa më parë dhe zgjidhje e vetme është Rama jep dorëheqjen. Zgjidh midis fatit të Çausheskut dhe Ramiz Alisë”, përfundoi Berisha.