Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka thënë se disa përfaqësues shqiptarë kanë folur se ndarja është zgjidhja më e mirë për Kosovën. Sipas tij, pala kosovare pa praninë e ndërkombëtarëve, do të pranonte edhe ndarjen.

Unë vazhdoj të them se shqiptarët, kur do të fillonim të bisedonim me ta pa mentorët e tyre, do të pranonin për ndarjen e Kosovës, pasi kjo edhe për ata do të ishte një zgjidhje e mirë. Duhet të pranoj që presidenti Aleksandar Vuçiç ka bartur mjaft ngarkesë kur bëhet fjalë për kërkimin e zgjidhjeve për Kosovën. E dini, nuk është aspak e lehtë të diskutohet dhe të bindet një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare që t’i rishikojë gabimet e tyre. Shumë nga Perëndimi nuk dëshirojnë të pranojnë asgjë përveç përmbushjes së të gjitha kërkesave të shqiptarëve. Kjo nuk mundet. Serbëve kurrgjë, e shqiptarëve të gjitha. E çfarë janë pastaj këto bisedime? Këto janë ultimatume.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç

Daçiç ka folur edhe për përballjet me ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

E keni parë që ndaj çdo argumenti tim në OKB, Vlora Çitaku përmendi Sllobodan Millosheviçin. Aman, njerëz, lini njeriun, ai ka vdekur, hajde të zgjedhim problemet.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç

I pyetur se me cilin përfaqësues nga Prishtina Serbia do të gjente gjuhën e përbashkët, Daçiç tha se është e vështirë të bisedohet me Behgjet Pacollin, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçin.