Dade: Mungesa e demokracisë 
 mund të na largojë nga PS-ja

Dade: Mungesa e demokracisë <br /> mund të na largojë nga PS-ja
TIRANË - Gjashtë orë ka zgjatur debati brenda Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ditën e djeshme. Pika ku u përqendrua i gjithë debati ishte ajo e ndryshimeve statutore.  Arta Deda, Ben Blushi e Mimoza Hafizi kanë qenë zërat kryesorë kundër ndryshimeve statutore, teksa në fund ishte Maqo Lakërori ai që në emër të grupit “Blushi” njoftoi krijimin e nismës “Demokracia në PS”. Diskutimi i Servet Pëllumbit uli tonet mes palëve, duke zbutur mjaft tonet mes palëve. Në fund, Gramoz Ruçi ka njoftuar mospranimin e kërkesës së Dades dhe Hafizit për ndryshimin e rendit të ditës për Kongresin e 19 marsit.

Pjesë nga debati me dyer të mbyllura në Asamblenë e PS:
Arta Dade: Nuk mund të shkojmë në zgjedhje me një kryetar që ka 7 vjet pa u zgjedhur. Nuk është normale që sa herë unë apo kolegët e mi kritikojmë mbarëvajtjen e punës së partisë, na cilësojnë si “Saliu”. Mungesa e demokracisë së brendshme mund të na largojë shumë prej nesh nga partia. Tani po ju pyes ju si socialistë: nëse dua të kandidoj për kryetar partie, sa duhet të pres, 12 vjet?

Ben Blushi: Një pjesë prej nesh vijmë nga një mbledhje e tensionuar e grupit parlamentar dhe duke patur ende shijen e hidhur të saj në gjuhë, dua t’ju kërkoj të gjithëve të përmbahemi dhe të dëgjojmë njëri-tjetrin. Sa më takon sigurisht që do ta bëj. Nuk kam asnjë interes që njerëzit të ikin nga kjo Asamble duke mallkuar ditën që janë bërë anëtarë të saj. Partia duhet të jetë një bashkim vullnetar dhe nuk ka këtu asnjeri që ka ardhur i detyruar dhe prandaj s’ka pse ikën i detyruar dhe pa vullnet. Ajo që po them pra, është të bëjmë një ushtrim: të mësohemi të bëjmë debat dhe të kundërshtojmë normalisht.

Në të gjitha kohët ka njerëz që nuk merren vesh. Mënyra e grindjes në popujt e prapambetur quhet sherr, në ata që janë pak më tëë civilizuar quhet konflikt, ndërsa tek ata që janë shumë me të civilizuar quhet debat. Unë jam për debat. Sot nuk kam ardhur të grindem me asnjeri, por jam i gatshëm të bëj debat me çdo njeri. Dua t’ju bëj të gjithëve një kërkesë: A mund të mendojmë për nesër më shumë se për dje?

Unë shpresoj se kjo është e mundur. Në këtë grup ka shumë burra dhe gra me të cilët s’kam qenë dhe ndoshta nuk bie dakord për shumëçka, ç’ka ka krijuar keqkuptim, por kjo nuk më pengon t’i mirëkuptoj edhe kur nuk i kuptoj. Pa u zgjatur dua t’ju them se pse kam hyrë në këtë debat brenda partisë në gjithë këta muaj. Sepse duke lexuar siç duhet dhe siç di, normat e Statutit tonë, kam kuptuar se kjo Asamble mori një vendim për të kaluar gjithë partinë në zgjedhje, në fund të këtij muaji. E thashë, nuk dua sot të merrem me mënyrën se si erdhëm deri këtu, se pse nuk pati mbledhje periodike të kësaj Asambleje dhe të Kryesisë që buron prej saj.

Të gjitha këto janë të vërteta, por po aq e vërtetë është se nuk kthehemi dot pas. Ajo që ka ndodhur ka ndodhur. Por ajo që s’ka ndodhur nuk ka pse të ndodhë. Unë nuk dua t’i bëj gjyq askujt dhe nuk pranoj që dhe mua të më bëhet gjyq. Ky është mendimi im për statutin që keni propozuar sot. Ai është shumë i mire, sa ç’është shumë e mirë një makinë e re, me goma të fryra, me disqe të praruar, me sedije të arta, me kondicioner dhe me altoparlantë stereo. Por asaj i mungon diçka. I mungon timoni. Sikurse këtij Statuti i mungojnë zgjedhjet. Zgjedhjet janë timoni i demokracisë. Gabohet kush mendon se makinën e drejton një njeri.

Në fakt e drejton harmonia permanente mes njeriut dhe makinës. Asnjëra nga të dyja nuk zhvendoset dot pa tjetrën. Sigurisht. Kjo mund të ndodhë dhe do përpiqem të ndodhë vetëm nëse shkojmë në një kongres për të ardhmen dhe jo për shkuarën! Një kongres ku flasim për nesër dhe jo për dje. Një kongres ku nuk flasim për vete, po për shqiptarët. Një kongres ku nuk flasim për Partinë Socialiste, por për Shqipërinë. Unë e kam marrë vendimin tim: Nëse duhet të zgjedh mes Partisë dhe Shqipërisë, zgjedh pa dyshim të dytën! Çdo ditë. Deri në fund.

Bashkim Fino: E ke gabim Blush, statuti i ri e ka timonin, por ti nuk e ke parë pasi e ka në të djathtë.

Mimoza Hafizi: Ka disa javë që bashkë me kolegë po investohemi për një kauzë të rëndësishme: respektimin e garës në PS, respektimin e normave statutore të partisë sonë. Çdo veprim tonin e kemi komunikuar me transparencë maksimale drejt secilit prej jush, përmes adresave elektronike që i keni patur të depozituara në zyrën e organizimit. Kemi dashur kështu të japim dhe një model të ri transparence dhe respekti.

Gjithkush e di tashmë që mandati i kryetarit të partisë socialiste është shkelur me gati tre vjet, ka shkuar nga katër në shtatë vjet. Deputetët Blushi, Arta por edhe kolegë të tjerë e kanë ngritur zërin prej kohësh, dhe më vjen keq që kryetari sot e mohoi këtë fakt në fjalën e tij. Unë vetë, në momentin e hyrjes së një  sfidanti në garë, krahas kryetarit në detyrë, ndalimin e garës e kam quajtur njollë të padenjë mbi PS.

Gara derimë tani është refuzuar të hapet. E kam quajtur shkarje drejt autoritarizmit. E kam konsideruar kthim mbrapa në histori. E kam konsideruar zhbërje të vlerave të PS, të kësaj force politike që me shumë mundim lindi si një krijesë demokratike në kaosin e përmbysjes së komunizmit. Përse gara nuk u pranua që në ditën e parë? Z. Rama u përpoq të jepte sot përgjigje, por më pas me propozimin e tij për referendum ai hodhi poshtë argumentet e veta. Përse paska kohë të shkojë para socialistëve në referendum dhe s’paska kohë të respektojë statutin, pra të shkojë para socialistëve me një kandidat dinjitoz përballë e t’u kërkojë votën? Ne kërkojmë garë dhe që kjo garë të zhvillohet sipas normave të statutit ende në fuqi. Se ky është supozuar të na ketë ruajtur bashkëjetesën prej një dekade.

Futja e një norme të re, që kandidati të marrë 10% të firmave të delegatëve të Kongresit nuk ka pikë burrërie, siç i themi ne veriorët. Se kështu kërkoni ta detyroni Benin apo Artën apo këdo tjetër që mund të aspirojë për kryetar me datën 19 Mars, të marrë mbi 100 firma e të votohet nga më shumë se gjysma e delegatëve të atij Kongresi me socialistë që me të drejtë shpresojnë për një vend pune apo që nuk duan të humbin vendin e punës. Se mezi e kanë fituar. Dhe vendet e punës administrohen nga qeveria e kryeministrit. Miq, deri dje kishim dy variante të zgjedhjes së kryetarit, statuti aktual që është arsyeja dhe statuti i ri, që është imponim i shumicës. Sot u fol për referendum, konfuzioni u rrit, mbase juristët e PS i japin pak dritë kësaj rrëmuje, unë nuk di më se ç’të them.

Gjithkush e ka marrë vesh që organet e Partisë socialiste nuk funksionojnë prej vitesh. Nuk ushtrohet kolegjialiteti i vendimmarrjes as në Kryesi dhe as në Asamble. Këto organe nuk mblidhen, Kryetari i Partisë nuk e ka ushtruar detyrën e vet statutore. Përse nuk janë mbledhur? Përse është shkelur kolegjialiteti në Partinë Socialiste, normë e vendosur në nenet e para të statutit aktual? Edhe në projekt-statutin që propozohet, kolegjialiteti është norma bazë. A ka kuptim që t’i referohemi përsëri kësaj norme, nëse nuk kemi ndërmend ta respektojmë? Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare.

Po ndjekim prej disa javësh dhe kemi shterruar të gjitha procedurat institucionale brenda partisë. Nga Asambleja, nga Kryetari i saj e deri te Komisioni i Garancive Statutore. Sinqerisht nuk e di se çfarë mund të bënim më tepër që ju të jeni të informuar e të ndjeshëm ndaj asaj që ka ndodhur dhe po ndodh në Partinë Socialiste. Po marrim me koshiencë të plotë të gjitha kostot politike. Çfarë ka anormale këtu? Përse duhej e kujt i duhej gjithë ky moskuptim ndaj nesh, ky reaksion negativ e hera-herës cinizëm? Përse kjo situatë duhej të degjeneronte në dhunë? Unë miqtë e mi, dhunën nuk e pranoj.

Nuk pranoj që një koleg i yni të lëshohet pre e njerëzve agresivë. Ndjehem keq nga heshtja mbytëse e kolegëve të grupit. Unë miqtë e mi, pas incidentit të Elbasanit dhe skenave të ditës së hënë në Tiranë, ju them sinqerisht se ndjehem e rrezikuar, për veten apo kolegët e mi që po ndjekin këtë kauzë. Dhe kjo më trishton pa masë. Këtë nuk ia fal mikut im, kryetarit të Partisë Socialiste. Pas mbi një dekade që bashkëpunojmë, pas viteve të tëra që e kam ndjekur me shpresë se do sjellim bashkë në këtë vend më shumë begati, siguri e liri, nuk ia fal që erdhi dita të kem frikë se unë apo njeri nga kolegët e mi do të cenohet fizikisht për arsyen e thjeshtë se nuk jemi dakord me të. Unë prita prej tij ndjesë për skenat e dhunës së ditëve të fundit. Do vazhdoj të pres. Përndryshe, unë e kam të pamundur të jem pjesë e aktiviteteve të tija publike.

Unë nuk e pranoj më që ai të ndezë dritën informative për mesazhet e tija nëpër aktivitete partiake dhe të ndezë terrin informativ për kolegët që duan të flasin jashtë matricës së tij të preferuar. Nëse vazhdon kështu, unë s’mund të jem më pjesë e aktiviteteve të tija publike. Miq të nderuar, a do kemi pas këtyre ditëve dhe javëve një Parti Socialiste më të mirë? Dua shumë ta besoj, por kjo varet nga secili prej jush, të nderuar anëtarë të Asamblesë. Ju ftoj të merrni në dorë fatin e kësaj partie, me guxim, kurajo e ndërgjegje qytetare. Jemi partia më e madhe në vend, populli pret nesh.

Gramoz Ruci: ne kemi marrë një mandat për të qeverisur 2013-2017. Jemi një vit para zgjedhjeve elektorale, dhe debati nëse kryetari ka apo jo mandat, do të mbyllet në Kongres. Statuti ka dy rrugë: O votëbesim në kongres, siç e parashikon statuti i ri, ku kryetari vazhdon mandatin legjislativ deri në fund, ose propozimi tjetër i votëbesimit. Mandati i Edi Ramës është çështje politike. Rama kërkoi votëbesim në anëtarësi dhe kjo është kërkesë statutore. Ndërsa Blushi dhe të tjerët kanë të drejtë, sipas statutit, për mocion mosbesimi. Të dyja format, edhe mosbesimi edhe votëbesimi, janë statutore dhe demokratike.

Unë jam për një votëbesim të kryetarit, ta mbyllim këtë histori e të ecim përpara për sfidat qeverisëse. Sa i takon kërkesës së znj. Dade dhe znj. Hafizi  unë jam i mendimit se kjo nuk është kërkesë që i takon Asamblesë Kombëtare. Nuk jemi në forumin e duhur. Rendi i ditës së Kongresit, ndryshohet nga vetë Kongresi. Ai mund të votojë për ta ndryshuar atë. Në këtë pikë, nuk kemi pse e ngarkojmë Asamblenë me një barrë që nuk i takon.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Në dokumentet e vetë Ministrisë së Mbrojtjes, që në shkurt 2002, doli në ballë të mashtrimeve për datën e çlirimit, 28 nëntori ‘44, figuron si datë e çlirimit të Shqipërisë'/ Polemika e historianit të njohur

'Në dokumentet e vetë Ministrisë së Mbrojtjes, që në shkurt 2002, doli në ballë të mashtrimeve për datën e çlirimit, 28 nëntori ‘44, figuron si datë e çlirimit të Shqipërisë'/ Polemika e historianit të njohur