Britanikja “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, duke e renditur ndër destinacionet me rritjen më të madhe në Evropë për pushimet e vitit 2025, sipas Raportit Global të Udhëtimit WTM 2025 të përgatitur nga Tourism Economics. Sipas raportit, kostoja është bërë faktori kryesor që ndikon në zgjedhjet e vendeve për të kaluar pushimet, duke i shtyrë udhëtarët që të kërkojnë destinacione më të përballueshme.

Për britanikët, shkruan Daily Mail, Shqipëria është bërë më e preferuar se Spanja për të kaluar pushimet për shkak të kostove të ulëta.

Shqipëria përmendet si një nga vendet që ofron pushime në plazh me kosto shumë më të ulët krahasuar me destinacionet tradicionale të Evropës Perëndimore si Spanja. Përveç Shqipërisë, gazeta britanike shkruan se rritje të ndjeshme të vizitorëve po shënojnë edhe Serbia, Rumania dhe Turqia, ndërsa tendenca globale tregon një zhvendosje drejt vendeve më pak të mbushura, me përvoja autentike lokale dhe çmime të arsyeshme.

“Udhëtarët evropianë po kërkojnë të kursejnë para, pavarësisht nëse udhëtojnë në distanca të gjata apo të shkurtra. Nga të gjitha anketat, shohim se kostoja del në krye. Shohim se shpenzimet janë pengesa më e madhe dhe mbipopullimi është gjithashtu një shqetësim. Udhëtarët po i japin përparësi raportit vlerë-për-para dhe po shohin përtej pikave të zakonshme tërheqëse. Shqipëria, Serbia dhe Rumania janë destinacione më të reja dhe më të përballueshme që po shohin rritje të fortë.”, tha drejtori menaxhues i Tourism Economics, Dave Goodger.