“S’mundem më, kam nevojë për psikolog!”

Kjo është thirrja e dëshpëruar e 34-vjeçares, e cila i rri tek koka e të atit në spitalin e Fierit.  Ajo pretendon se është përdhunuar nga një 52-vjeçar, i cili është daja i deputetes socialiste Zegjine Çaushi.

Ngjarja sipas saj ka ndodhur në Maj të këtij viti, ku përmes mashtrimit, ai e ka marrë në shtëpinë e tij për 45 ditë.

"Kam përjetuar gjëra të tmerrshme... Më ka dhunuar, përdhunuar, më ka kërcënuar,  nuk mundem më. Dua psikolog!", tha ajo në kushtet e anonimatit.

E reja pretendon se gjatë kësaj periudhe ishte tërësisht e pamundur të largohej nga shtëpia e tij për shkak të dhunës dhe kërcënimeve të vazhdueshme.

"Nuk lëvizja dot, s'kisha shanse. Vetëm isha nën kërcënime, në dhunë. Çdo minutë, çdo minutë, më thoshte: 'Do të vras, do të vras!'. Nuk mundem më, kam nevojë për psikolog, ju lutem!", shprehet ajo me lot në sy.

Nga shtrati i spitalit, ku gjendet i plagosur në këmbë, i ati i saj, tregon se jeton në kushte të vështira ekonomike me bashkëshorten dhe vajzën, ndërsa 3 djemtë i ka në emigrim. 67-vjeçari rrëfen se i kishte kërkuar 52-vjeçarit punë për vajzën për të përballuar jetesën dhe detyrimet, por ai e rrëmbeu përmes mashtrimit.

"Quhet Bledar Bakaj, te cilin e njoha përmes motres sime se kisha nevojë për një vend pune për vajzën. Kishim detyrime ndaj shtetit për çështje toke. Kishim nevojë se jemi të 3 të sëmurë, për pak lekë se nuk e përballojmë dot si familje. Me pensione rrojmë, marrim nga 100.000 lekë të vjetra pension une e gruaja."

"Na bëri një mashtrim, më pruri te spitali aty poshtë, te poliklinika, për vizitë, se vajza është me anemi e me alergji. Ai na premtoi se kishte njohje dhe do e çonte për kurim në Tiranë, por në fakt e mori në shtëpinë e tij dhe rrugës e ka përdhunuar, në kodrat e Vlorës."

Pasi ka qëndruar 45 ditë në shtëpinë e tij, e reja ka mundur të rikthehet tek prindërit ku dhe ka bërë denoncim në polici. Prej muajit gusht, kishte marrë edhe urdhër-mbrojtje nga gjykata, por 52-vjeçari e ka thyer këtë urdhër-mbrojtje. Mbrëmjen e 13 shtatorit ka shkuar në shtëpinë e saj me qëllim për ta marrë forcërisht, ku ka hasur në rezistencën e të atit 67-vjeçar, që mbeti i plagosur.

"Erdhi sepse donte të merrte çupën, siç e mori herën e parë. Donte ta merrte për herë të dytë. Në momentin që më goditi me drapër, mua më preku venën dhe doli gjaku... nuk kisha më fuqi. Kishte edhe sëpatë me vete. Ai ra në pus me ujë 5 metra, doli me anë të tubit të pompës. Unë nuk i shkova me qëllim të keq që ta dëmtoja, se isha vetë në gjendje kritike ngaqë më iku gjaku. Erdhi shoqëria përqark aty me ndihmoi. Erdhi edhe policia me shumë vonesë.. Ai doli nga pusi dhe e kapi policia... Ka mundësi të jetë në pus sëpata dhe telefoni i tij”, rrëfen i moshuari.

Pavarësisht kësaj dëshmie, policia shprehet se vajza ka qenë bashkëjetuese e 52-vjeçarit, gjë që kundërshtohet prerazi nga i ati.

"Është marrë me forcë, jo për bashkëjetesë!"

Aktualisht 52-vjeçari, Bakaj, mbahet në paraburgim dhe pritet të dalë në gjykatën e Fierit për masën e sigurisë. Teksa është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, ai ka pretenduar se nuk e ka përdhunuar 34-vjeçaren por ka bashkëjetuar me të.  

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:23
34-vjeçarja pretendoi se është përdhunuar nga daja i Zegjine Caushit, flet deputetja e PS: Dënoj me forcë çdo lloj dhune, pavarësisht nga kush është ushtruar

1789496952_xgjfhjdcxygjki.JPG

Deputetja Zegjine Caushi ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Suk 2 të Roskovecit, ku daja i saj, 52-vjeçari Bledar Bakaj plagosi me drapër 67-vjeçari Enver Gremaj në banesën e këtij të fundit.

Vajza e 67-vjeçarit të plagosur, M.G, pretendoi se është përdhunuar nga daja i Zegjine Caushit, pasi ai i kishte premtuar një vend pune, me ndihmën e deputetes socialiste.

Ndërkohë Caushi ka sqaruar atë se çfarë ka ditur për marrëdhënien mes Bledar Bakajt dhe M.G.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Caushi thotë se i ka takuar rastësisht të dy në fillim të muajit qershor, teksa kishte kaluar pranë banesës së tyre, ku ndodheshin edhe rreth 10-15 persona të tjerë.

Sipas saj, në atë takim M.G i është prezantuar si bashkëjetuesja e Bledarit dhe ka deklaruar se e kishte marrë parasysh situatën në të cilën ai jetonte, pavarësisht kundërshtimit të babait të saj.

Deputetja thekson se ka qëndruar rreth 10 minuta dhe më pas është larguar për shkak të angazhimeve të saj, ndërsa më vonë ka parë në rrjetet sociale fotografi të çiftit së bashku.

Caushi nënvizon se për ngjarjen e ndodhur është informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik, dhe thekson se dënon me forcë çdo formë dhune, pavarësisht se nga kush është ushtruar.

Ajo kërkon që rasti të trajtohet me seriozitet edhe nga këndvështrimi psikologjik për të dy personat dhe që organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre, me qëllim ndalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Reagimi i deputetes Zegjine Caushi:

Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 dhe të publikuar nga mediat më 14.09.2026 dhe 15.09.2026, dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhëna deri tani.

Familja e nënës sime përbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte të vazhdueshme dhe të pandërprera me njëri-tjetrin.

Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. M.G, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cilin M. G e kishte njeriun e afërt nga fisi i të ëmës.

Sapo kam hyrë në oborr kam pare M, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjët që ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”

Merita Gremaj tha: “Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…”

“Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pëlqimit te babait. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm.

Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam lëvizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qëndronin.

Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale, fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar.

Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre.

Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik.

Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.

Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.

Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre.

R.D/SI.E./Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • EDO: 15/09/2026 12:14

    MONSTRA SI ZEQINEJA CA PRET ME KUCEDER KOMPLET

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 15 Shtator, 12:58

    Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni?