Kryebashkiaku Dako ka përuruar rrugët "Jeta e Re" dhe "Bashkim Taga" si dhe hapësirat përreth. Banorët e kësaj lagjeje i kanë shprehur falënderimet e tyre kryebashkiakut Dako për punën e bërë për transformimin e kësaj lagjeje dikur të mbytur në baltë, ndërsa sot tërësisht e rehabilituar.
Kryebashkiaku Dako gjatë këtij përurimi ka bërë me dije edhe një projekt të ri prej 750 mijë dollarësh për sistem monitorimi me kamera në qytet për rritjen e sigurisë dhe për ruajtjen e pronës publike si dhe projektin e ri për veshjen me kapotë të pallateve parafabrikate me qëllim kursimin e energjisë.
"Kemi ardhur në lagjen tuaj me premtime të mbajtura pasi të gjithë ju e mbani mend si ka qenë lagja 18, para disa vitesh, me infrastrukturë të rënduar dhe probleme të shumta ndërkohë që sot pas investimeve dhe punës që ka bërë bashkia e Durrësit lagja 18 është kthyer në një lagje model me hapësira publike të gjelbëruara dhe rrugë të asfaltuara. Në sajë të punës sonë kjo lagje është transformuar tërësisht duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të kësaj zone.
Kështu do të vazhdojmë edhe mandatin tjetër dhe jo vetëm në këtë zonë por në të gjithë Durrësin, tha Dako, ndërsa premtoi se, "modeli i urbanizimit të kësaj lagjeje do të jetë modeli ynë edhe për zonat e Ishmit, Manzës, Sukthit, Rrashbullit dhe Katundit të ri". "Tashmë ne do të investojmë edhe për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve por edhe të pronës ndaj do të punojmë në sistemin e sigurisë ku në sajë të një investimi prej 750 mijë dollarësh do të monitorohet me kamera qyteti për të jetuar në një qytet edhe më të sigurtë e për të ndalur dëmtimet që i bëhen pronës publike", tha ai.
Po kështu, Dako siguroi se do të vazhdojmë punën në këtë lagje pasi kemi aplikuar edhe për një projekt tjetër me fonde të BE-së, ku projekti ynë është veshja me polisterol apo siç quhet ndryshe me kapotë e të gjitha pallateve të parafabrikateve, me qëllim kursimin në mënyrë të ndjeshme të energjisë elektrike.
"Ne do ta ndryshojmë infrastrukturën e rënduar në të gjithë territorin e ri të bashkisë së Durrësit, ne do t'i japim Durrësit atë që meriton si mushkëria e dytë e Shqipërisë dhe do t'i japim Durrësit vendin që i takon prej shekujsh. Ju jeni dëshmitarë të të gjitha transformimeve që po ndodhin në Durrës por edhe shtimit të sipërfaqeve të gjelbëra. Një ditë më parë mbollëm palmën e 1000 dhe gjatë dy mandateve kemi mbjellë edhe mijëra pemë të tjera, por edhe mandatin tjetër do të vazhdojmë me shtimin e sipërfaqeve të gjelbëra dhe do të mbjellim më shumë se 7 000 pemë të tjera", tha më tej Dako.
Rruga "Bashkim Taga" dhe "Jeta e Re" janë rikonstruktuar me një fond prej 54.454.002 lekë në një gjatësi rreth 2.1 kilometra dhe me siperfaqe të asfaltuar prej 11420 metër katror dhe 5581 metër katror trotuare si dhe dhjetëra pemë e shkurre dekorative./atsh/