VLORË- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni la pushimet në Pulia dhe u ‘arratis’ për 3 ditë relaksi në bregdetin shqiptar pas ftesës së kryeministrit Edi Rama. Që prej ditës së djeshme, Meloni bashkë me familjarët e saj dhe një grup miqsh ndodhet në Vlorë. Report Tv ka siguruar disa video ku dallohet grupi i Melonit që niset drejt një udhëtimi me skaf për të eksploruar plazhet e kristalta të Vlorës.

Meloni do të qëndrojë në Vlorë për afro 2-3 ditë së bashku me familjen e saj, ndërsa dje ajo zhvilloi edhe një takim ne rezidencën qeveritare me kreun e qeverisë Edi Rama.

Kryeministrja e Italisë mbërriti dje (14 gusht 2023) në Vlorë me një traget linje. Ajo ndërpreu pushimet e saj në Pulia, në një fermë pranë Ceglie Messapica dhe u nis për në Shqipëri, duke iu përgjigjur kështu ftesës së Ramës, i cili pak ditë më parë tha për mediat italiane se e ka ftuar kryeministren italiane që të pushojë në Shqipëri. Madje Rama e konsideroi si motrën e re të Shqipërisë.

Vizita e Melonit në Vlorë, vjen në një moment kur mediat italiane i kanë kushtuar shumë artikuj turizmit në vendin tonë, ndërsa këtë vit shumë italianë kanë preferuar që pushimet t’i kalojnë në Shqipëri Kreu i qeverisë ka bërë me dije se po arrihet shifra rreth 500 mijë italianë që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit.